Promovohet në UET “Kryqëzimi i Tokës” nga Nikolin Gurakuqi

Në një atmosferë të veçantë, mes muzikës e poezisë, erdhi në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, në aktivitetin e përjavshëm Department’s Book Reviw, promovimi i librit me poezi e prozë poetike “Kryqëzimi i Tokës, nga profesori dhe regjisori i njohur, Nikolin Gurakuqi. Pas prezantimit në Kosovë, përkatësisht në Gjakovë dhe Pejë, “Kryqëzimi i Tokës” vjen në dorën e lexuesit në Shqipëri.

Nën organizimin e Departamentit të Arteve të Aplikuara dhe nën moderimin e Suela Minos, pedagogë, studentë të UET-së, miq e dashamirës, u njohën me një tjetër dimension të personalitetit artistik të Gurakuqit, po aq potent, shprehidhënës, kuptimplotë dhe mbartës i vlerave të tejkohshme.

Prej 20 vjetësh pedagog i Universiteti të Arteve dhe tashmë pedagog në UET, me një kontribut të spikatur në realizimin e veprave operistike, në skena të ndryshme shqiptare dhe të huaja, tashmë  Nikolin Gurakuqi e sprovon veten me në një tjetër gjini arti, me shkrimin. Në një rrugëtim të nisur një dekadë më parë, shkrimi, ky shoqërues i heshtur dhe i dobishëm, shpërfaq me mjaft delikatesë dhimbjen, reflektimet, mendimet, idealet dhe vuajtjet e një njeriu me thirrje gjaku dhe frymim për artin, për të vërtetën, për kuptimplotën.

“Shkrimi është bërë një mënyrë e shprehjes artistike dhe sigurisht që shoqëron kilometrat e mia të fundit, apo parafundit. Nuk është i rastësishëm shkrimi, por ngjarje të rënda më bënë që të marr lapsin dhe të shkruaj, të mos kem turp. Ky libër është cilësuar nga kolegët si më i mirë nga ata që kam shkruar, kështu që synoj që i radhës të jetë akoma më i mirë.

Qëllimi im nuk janë çmimet, por që poezia të pëlqehet, të ketë disa figura letrare, të ketë tematikë, ritëm. Poezia ime ka edhe muzikalitet, që vjen nga puna ime. Shkrimi është një mënyrë jetese, një përditshmëri. Jo çdo ditë shkruaj, por çdo ditë ideoj, meditoj. Dua që ato që kam për t’i treguar, t’i tregoj me kualitet artistik”, u shpreh Gurakuqi, i cili prezantohet kështu me librin e tij të pestë, ndërkohë që vijon punën për mbylljen e dy librave të rinj me poezi dhe një me tregime.

Siç shprehet edhe vetë, nuk ka pse të nxitohet, nuk është në garë me askënd, pasi në fund të fundit nuk është Schumacher. Gara e tij është me veten, me ambicien për të sjellë vetëm vepra cilësore.

Për përgjegjësin e Departamentit të Arteve të Aplikuara, Ermir Nika, Gurakuqi ia ka dalë me sukses, duke dëshmuar një pjekuri dhe arritje që autorëve të tjerë iu janë dashur vite dhe botime të shumta. Teksa i bëri veprës leximin në dy rrafshe, Nika u shpreh, se rrafshi i parë na njeh me vlerat artistike të veprës, ndërsa rrafshi i dytë na tërheq drejt mesazhit dhe përpjekjes së autorit për të zhbiriluar shpirtin dhe ndërgjegjen njerëzore.

Profesori ka ardhur i plotë që me veprën e parë. Është një autor që e njeh mirë strukturën poetike, e njeh mirë gjuhën shqipe, ka një kulturë që e ka akumuluar prej vitesh dhe shikon një poezi krejt të qashtër.

Sekreti, ku një autor mund të rrëzohet, është fjala. Vepra poetike e profesor Nikolinit, ka hyrë në gjuhën shqipe me dinjitet, me njëlloj natyrshmërie dhe ka nisur të komunikojë së pari me elitat e lexuesit. Vetvetiu poezia, duke qenë kurora e arteve, sepse ushqen mjaft zhanre, iu përket elitave.

Ka një veçanti, pasi duket sikur dialogohet me një personazh të dukshëm dhe të padukshëm. Ka një simbolikë shumë të qartë. Ka universalitet. Në poezitë e para nuk ka kohë dhe pastaj kalon në dukuritë e kohës sonë, ku jemi protagonistë, vëzhgues e viktima. Pastaj zhduket sërish koha dhe bëhet universale. Ka peizazhe, ka atmosferë, ka ngjyresë, ka ritmik. Rrafshi i dytë i leximit tregon, se autori ka zhbiriluar shpirtin, vetveten. Është futur thellë në ndërgjegje. Është një autopsi e shpirtit njerëzor”, tha Nika.

Më tej, ai vlerësoi organizimin e aktiviteteve të tilla, për t’iu dhënë vëmendjen e duhur autorëve bashkëkohorë, të cilët më mirë se kushdo zbulojnë gjendjen e shoqërisë, e mbi të gjitha projeksionet e së ardhmes.

“Ky promovim që ne bëjmë sot, në universitetet e tjera nuk ekziston. Akoma merren me autorë të Rilindjes, para Rilindjes, punojnë mbi punime të gatshme. Nuk zhvillojnë analiza mbi botimet e fundit, mbi krijimtarinë e fundit. Analizat e para, shenjat e para hidhen që tani, nuk priten dekada për ta parë ftohtë. Kaluan 30 vjet edhe ende nuk kemi një sprovë letrare, kryesisht mbi poezinë, e cila ka një ndikim të madh këto kohë. Kemi rreth 20 autorë që përkthehen në gjuhë të huaj, ka festivale poezie. Tek ne thuhet se nuk ka letërsi, sepse pedagogët nuk janë në koherencë me zhvillimet letrare. Shumë pak njerëz marrin pjesë në ekspozita, për të parë ku zhvillohen prirjet dhe çfarë epoke po zhvillohet. Kështu që unë mendoj, që është një nismë shumë e mirë, që krijojmë vëmendje dhe bëjmë interpretime mbi dukuritë letrare”, u shpreh Nika.

Libri “Kryqëzimi i Tokës”, me parathënie nga Erenestina Gjergji Halili, është i ndarë në 5 kapituj, një prej të cilëve autori ia dedikon përvjetorit të të birit. Gurakuqi tregoi për të pranishmit, se poezitë janë shkruar kryesisht në vitin 2016, teksa u ndal edhe te momenti ku ai mori shkëndijën, fillin, për të bërë këtë libër e për ta titulluar pikërisht “Kryqëzimi i Tokës”.

“80% e këtij libri është shkruar në 2016. Atëherë më kapi ai delli i disa fjalëv etë tim biri që më rrinin në vesh, për çështjen e kësaj Toke që po kryqëzohet, për qytetërimin që po e kryqëzon edhe njeriun, njeriu që po kryqëzon vetë Tokën ku po jeton, për këtë botë që ka shumë shtypje, shumë shfrytëzim, shumë shkelje të dinjitetit dhe personalitetit të individit. Nuk mbeta indiferent ndaj kësaj gjëje, por shkruajta një kapitull vetëm për këtë temë. Një kapitull tepër i veçantë që i dedikohet 25-vjetorit të tim biri, Ka një kapitull delirium dhe autodelirium.

Nuk është një libër linear, është në formë kryqi. Kam hequr Jezusin dhe kam gozhduar Tokën, që ky qytetërim agresiv po i bën Tokës ku jetojmë. Jetojmë në një kohë kur e përdhosim mjedisin gjatë gjithë kohës, jo vetëm në vendet e pazhvilluara, por edhe në vendet e zhvilluara shikojmë shkatërrim të pyjeve, deteve, të peshkimit, akullnajave”, rrëfeu autori.

Promovimi u shoqërua me recitimin, nga studentët dhe vetë autori, të disa poezive të përzgjedhura, të cilat përveç emocioneve, shkaktuan një nxitje, një goditje të lexuesit, duke e ‘joshur’ drejt librit. Po ashtu, në krejt natyrshmërinë e punës së profesorit, promovimi u përplotësua me interpretimin e disa këngëve të njohura operistike nga studentë të UET-së. Gjuhë dhe muzikë, vetëm kështu një figurë si Gurakuqi mund t’i tregojë botës, atë çka mban brenda vetes, çka e mundon dhe çka e preokupon, në këtë rrugëtim jetësor, duke ngritur ato shqetësime që të tjerët i anashkalojnë, e duke iu kujtuar tik- takun, e jetës së tyre dhe planetit ku jetojnë.