Përfaqësuesi i delegacionit të BE në UET: Kërkojmë ‘Young Ambasadors’

Në kuadër të Master Class-eve që UET mban në fushën e komunikimit, ishte i ftuar Sylvain Gambert, Shef i Sektorit të Komunikimit të Delegacionit të BE në një bashkëbisedim me studentët dhe Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini

Një cikël takimesh me personazhe të Mediave, Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike, Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini priti në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, Shefin e Sektorit të Komunikimit të Delegacionit të BE, Sylvain Gambert, ku u diskutua strategjia e Komunikimit të BE në Shqipëri.

Gambert prezantoi një nga fushatat e fundit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri ‘Javë të Evropës 2021’, një udhëtim 21ditor me koncerte, shfaqje filmash, vizitash në pikat kryesore të qyteteve nga Konispoli në Vermosh, takimesh me të rinjtë e informacione për mbështetjen e BE-së në Shqipëri.

Dekania Budini e cila moderoi edhe takimin tha se këto takime janë një mundësi shumë e mirë për studentët, pasi përveç anës teorike që mësojnë në bankat e shkollës, kanë mundësi të përballen edhe me anën praktike dhe këtë UET ua mundëson.

“Është një mundësi shumë e mirë për studentët që të ndërveprojnë në një terren praktik tashmë. Qëllimi i këtij takimi sot, por dhe i autoritetit të pranishëm është të mbajë një sesion praktik dhe ky në mënyrë që ju të përfitoni nga këshillat e tij, por edhe nga informacioni konkret mbi projekte të caktuara, ku mund të bëheni pjesë”, u shpreh Budini.

Nga ana tjetër, Shefi i Sektorit të Komunikimit të Delegacionit të BE, Sylvain Gambert i ftoi studentët që të bëhen pjesë e projekteve për të rinjtë.

Kemi disa trajnime në shtëpinë e Europës. Ne punojmë shumë me të rinjtë. Kemi edhe programin “Young Europian Ambasadors”, ku thirrja është e hapur. është një projekt për të rinjtë shqiptarë që të jenë ambasadorët tanë. Aktualisht kemi dhjetë dhe mund të bëjmë një punë të madhe me ta. Ata influencojnë dhe kushdo mund të ndjekë rrjetet tona sociale dhe të aplikojë.

I pyetur mbi arritjen më të madhe të tij dhe të delegacionit europian gjatë viteve të fundit, Gambert përmendi ndihmën pas tërmetit të nentorit 2019.

“Për mua ajo që ndodhi pas tërmetit ishte më e rëndësishmja. Ishte një punë mjaft intensive. Pati një reagim të menjëhershëm të BE-së. Ekspertët tanë më të mirë ishin këtu. BE koordinoi shumëçka dhe përgjigja e saj ndaj tërmetit ishte e jashtëzakonshme. Po ashtu edhe përgatitja e Konferencës së Donatorëve në Bruksel, ku ishin disa krerë shtetesh”, u shpreh përfaqësuesi i delegacionit të BE-së.

Gjatë bisedës me studentët, ai u ndal gjatë me fushatën e komunikimit të Bashkimit Europian për Ditët e Europës të mbajtura më herët.

Master Class është një projekt i ri në formën e një cikli takimesh dhe leksionesh me personazhe të mediave, komunikimit dhe marrëdhënieve publike.

Kjo nismë e organizuar nga Departamenteti i Shkencave Humane dhe Komunikimit, vjen në kuadër të MediaLab, laboratorit të UET që mundëson aftësimin profesional të studentëve të kësaj fushe, për të njohur më nga afër profesionin e tyre dhe për të qenë më të informuar dhe përgatitur në përballjen e së nesërmes me tregun e punës.

Master Class do të sjellë në vijimësi profesionistë të njohur dhe të suksesshëm brenda fushës së komunikimit, për të njohur më afër studentët me elementët praktikë në profesionet që kanë zgjedhur.

Në këtë aktivitet, studentët e Departamentit të Komunikimit patën mundësinë e pyetjeve rreth komunikimit të organizatës dhe krahasimit me organizatat shqiptare.