Universiteti Europian i Tiranës ka zhvilluar të shtunën (29 maj) seancën e dytë trajnuese me mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të mesme, në kuadër të projektit “Këshillimi i Karrierës në Komunitet”.

Ky trajnim, që zhvillohet për të tretin vit radhazi nga UET në bashkëpunim me Institutin Europian Pashko, do të ketë një kohëzgjatje prej 10 javësh, gjatë të cilave mësuesit informohen mbi sfidat që sjellin ndryshimet shoqërore mbi tregun e punës, rëndësinë e të qenit të orientuar në këtë dinamizëm, si dhe diskutohet mbi mundësinë e gjetjes së një mekanizmi apo ndërtimit të një sistemi që orientimi dhe këshillimi i karrierës të bëhet gjatë gjithë kohës së formimit shkollor të individëve, por njëkohësisht edhe jashtë këtyre institucioneve arsimore.

Çdo seancë trajnuese përmbyllet me dhënien e certifikatës së trajnimit për të gjithë pjesëmarrësit. Në këtë javë të dytë, referuan pedagogë të departamenteve të ndryshme në Universitetin Europian të Tiranës dhe të Kolegjit Profesional të Tiranës. Trajnimi u hap me përshëndetjen e Rektorit të UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili tha se pothuajse të gjitha departamentet e UET e në veçanti ai i Edukimit, kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e shkollave dhe mësuesit që merren me zhvillimin e karrierës dhe ia kanë dalë me sukses në dhënien e kontributit në këtë pjesë.

“Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme të eksplorohen mundësi të reja komunikimi me gjimnazet dhe ia kemi dalë. Kemi realizuar në mënyrë të rregullt gjimnaz-turet, të cilët i kemi realizuar kudo në Shqipëri, pastaj kemi zhvilluar disa seminare, tryeza apo trajnime në UET. Gjithashtu, ka më shumë se një javë që vazhdon panairi work&study ku kemi qenë të pranishëm. Të gjithë biem dakord, që si drejtues të shkollave, nuk është detyra të këshillojmë vetëm brenda shkollave, por ta nxisim edhe jashtë këtij institucioni, pra edhe në komunitet”, tha Gjurja, teksa shprehu dëshirën që ky komunikim i ndërtuar prej kohësh mes institucioneve të jetë i vijueshëm në të ardhmen.

Pjesë nga trajnimi

Përgjegjësi i Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës, Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka referoi temën “Perspektivat e tregut të punës në fushën e Bankingut dhe Financës”, duke u ndalur në sfidat që kanë sjellë ndryshimet në këtë fushë. Meka tha se tregu i punës për shërbimin financiar përbën një nga tregjet më të sofistikuar dhe komplekse për shkak të fushës së gjerë dhe larmisë së shërbimeve. Në këtë drejtim, sipas tij, të diplomuarit në Financë kanë potencial relativisht të lartë të punësimit që nga institucionet financiare deri tek autoritete të ndryshme rregullatore.

Nga ana tjetër, sipas profesorit të UET, digjitalizimi ka rritur dukshëm kërkesat për dije ndërdisiplinore në Banking&Financë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe për këtë arsye, për t’iu përgjigjur kërkesave që imponon zhvillimi, UET do të rikthejë sërish në vitin e ri akademik degën e studimit Teknologji Informacioni.

“Shërbimet e auditimit, kontabilitetit dhe konsulencës financiare po globalizohen. Dhe kjo kërkon që një konsulent në Shqipëri të ketë të njëjtat kompetenca si kolegu i tij në një kompani që  gjendet nëpër vende të tjera. Po ashtu vihen disa profile që po ndërkombëtarizohen dhe mbi të cilat studentët duhet të jenë të informuar”, tha Meka.

Por si gjendet UET përballë këtyre sfidave? Më tej Prof. Meka renditi edhe disa nga aspektet ku UET ka punuar për të qenë në gjendje t’iu përgjigjet suksesshëm ndryshimeve që pëson tregu global.

“Kurrikula është përditësuar 2 vite më parë në 5 lëndë në profilin e kontabilitetit. Së dyti zhvillohet praktikë në auditor në fushën e bankingut dhe kontabilitetit të aplikuar. UET jep mundësinë e kualifikimit të mëtejshëm pranë partnerëve që kemi në këtë fushë. Dhe së fundi, krijohet mundësia e përdorimit praktik të aplikacioneve të kontabilitetit që përdoren nga bizneset”, përmbylli Përgjegjësi i Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës.

Trajnimi vijoi më tej me një përmbledhje mbi atë se çfarë ofron UET në fushën e teknologjisë. Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, Prof. Asoc. Dr. Arben Dushi tha se ky Fakultee është relativisht i ri, duke përmbyllur ciklin e parë të studimeve bachelor e master, por njëkohësisht është mëse i përditësuar mbi nevojat që ka tregu kombëtar dhe ndërkombëtar i punës.

“Risia e UET është se përgatisim studentë me diplomë në Inxhinieri Industriale, duke përgatitur një inxhinier me njohuri komplekse, nga fusha e mekanikës, transportit, energjetikës, robotikës, etj. Po ashtu kemi një rishikim të kurrikulave në IT, sepse teknologjia avancon. Jemi në funksion të tregut të punës dhe këtë e tregojnë numrat e studentëve që vijnë nga viti në vit duke u rritur. UET në Ballkan është përfaqësues i firmës MicroTik, dhe jemi e vetmja akademi e saj. Gjithashtu, kemi trajnerë nga kjo kompani. Studentët që marrin certifikatë në MikroTik janë të gatshëm të punojnë kudo, në Shqipëri edhe në botë”, u shpreh Dushi.

Duke qëndruar në fushën e teknologjisë, trajnimi vijoi me një referim nga Pedagogu i Kolegjit Profesional të Tiranës, MSc. Ing. Ilir Palushi, i cili foli gjerësisht mbi trendin në rritje të prodhimit dhe përdorimit të automjeteve elektrike dhe hibride. Ndërkohë që gjithnjë e më tepër po flitet për gjetjen e variacioneve që ndihmojnë në zbutjen e ngrohjes globale, makina elektrike dhe hibride shihet si teknologjia e së ardhmes. Prandaj edhe KPT është fokusuar në këtë drejtim, duke ofruar programin “Teknologji automjetesh”, dhe duke përgatitur kuadro të aftë të kësaj fushe.

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, Ervis Iljazaj u ndal në rëndësinë e studimit në shkencat shoqërore, pavarësisht se prioritet iu jepet atyre ekzakte. Sipas tij, është krijuar një ide e përgjithshme se shkencat ekzakte janë e ardhmja dhe fokusi vendoset mbi to, duke lënë të painformuar nxënësit mbi mundësitë e punësimit që kanë në shkencat sociale, politike apo marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Janë krijuar idetë që shkencat ekzakte janë e ardhmja shoqëria dhe kaq. Sa kohë do të ekzistojë shoqëria, shteti etj., tregu i punës për psikologji, shkenca politike, sociale, do të ketë nevojë. Të studiosh degë të shkencave politike nuk do të thotë që të bëhesh deputet. Sigurisht ai që e ka vokacion mund ta bëjë. Shkencat politike kanë lindur për të formuar funksionarë dhe punonjës të administratës publike. Tregu i punës në këto degë është mjaft i rëndësishëm. Në kuadër të marrëveshjes me UET, në javët në vazhdim Drejtoresha e Administratës Publike do të jetë e pranishme në ambientet tona për të informuar studentët tanë sesi funksionon administrata dhe çfarë kërkohet për t’u bërë pjesë e saj”, tha Iljazaj.

Drejtuesi i Departamentit të Imazherisë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike në UET, Dr. Admir Jançe foli mbi mundësitë që krijohen në këtë universitet në përgatitjen e personelit mjekësor, rëndësia dhe roli i së cilit u evidentua më shumë se kurrë gjatë periudhës së pandemisë.

Jemi përqendruar në ofrimin e një kurrikulave sa më cilësore, bashkëkohore, duke u mbështetur në një kurrikul ndërkombëtare dhe të universiteteve publike. Kemi bërë rekrutimin e një stafi të përgatitur. Kemi alternuar mësimin teorik me praktik. Kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi me qendrat spitalore në Tiranë, ku studentët përveçse praktikave në auditorë është e rëndësishme të shkojnë në këto qendra. Po ashtu marrëveshjet vazhdojnë edhe me jashtë, siç është me Universitetin në Austri”, tha Jançe, teksa shtoi se degët si Infermieria, Fizioterapia , Imazheria po bëhen degët më të kërkuara, në përputhje me kërkesat e tregut.

Profesori i Edukimit në Universitetin Europian të Tiranës Prof. Asoc. Dr. Tomi Treska, me një eksperiencë të gjatë në fushën edukimit, ndau shqetësimin e përbashkët për orientimin dhe këshillimin e karrierës, duke shtuar edhe një element të ri, edukimin për karrierën, teksa theksoi që nuk janë e njëjta gjë.

“Orientimi i karrierës të mos bëhet në momentin e fundit, kur duhet të plotësohen formularët. Thellimi i orientimit vijon me këshillimin e karrierës dhe ne të gjithë sëbashku na duhet të ndërtojmë një sistem për edukimin e fëmijëve, nxënësve tanë me edukimin e karrierës, ndërsa orientimi është hallka e fundit. Ne të gjithë jemi të detyruar me ligj të zbatojmë një mësimdhënie me bazën e kompetencave. Në themel të kurrikulave që ne bëjmë në shkollat tona qëndron këshillimi i karrierës”, teksa argumentoi më tej se nuk janë të nevojshme të bëhen aktivitete të veçanta për orientim, këshillim karriere, nëse kurrikula me bazë kompetencash do të zbatohet ashtu si duhet.

Trajnimi u mbyll me referimin e pedagogut të Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, Prof. Dr. Adrian Papajani , i cili foli mbi teoritë teoritë e zhvillimeve të karrierës dhe elementët kryesorë që ato përmbajnë.