Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës u promovua dje, si një bashkëbisedim me studentët e të Shkencave Humane dhe Komunikimit, në vazhdën e “Departement’s Book Review”, libri “Arbëria në kufijtë e mbijetesës” me autor Gjet Ndoj

Nuk është hera e parë që historiani Gjet Ndoj vjen në UET, por ashtu siç ai u shpreh është gjithmonë kënaqësi që ndodhet këtu. Nga ana tjetër mirënjohës për prezencën është dhe vetë universiteti, si një mik i historisë, dhe si një udhërrëfyes për studentët.

Pedagogu i Edukimit në UET, Prof. Asoc. Dr. Tomi Treska i shprehu mirënjohjen për praninë e tij autorit të librit, historianit dhe njëkohësisht Drejtorit  të Përgjithshëm të Politikave dhe Zhvillimit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Gjet Ndojt.

“Gjeta erdhi si mik i UET. Është e dista herë që është mes nesh dhe kërkoi që unë ta moderoja këtë aktivitet”, u shpreh Treksa, teksa theksoi se, Ndoj ka një background historik dhe se ka mbajtur me dinjitet një pozicion të rëndësishëm siç është ai i Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.

Nisur nga një perceptim i tij se autori i jep më shumë vlera në librin e tij Arbërisë se sa Shqipërisë së ditëve të sotme, profesor Treska nuk ngurroi ta pyesë historianin Ndoj, i cili nuk ngurroi të përgjigjej.

“Kam krijuar një ide se prej ndryshimeve janë krijuar  disa momente që shprehen nëpërmjet shtresëzimit kulturor. Shqipëria  jonë në mënyrë figurative ka tre kate kulturore; antike, arbnore ose mesjetare dhe kultura shqiptare. Bie në sy se kati i dytë, pra Abëria është më pak e njohur dhe ka mangësi dokumentare. Ne kemi humbur Arbërinë atë që është e jona dhe që është e pandikuar nga osmanët që kanë ushtruar gjenocid njëlloj si sllavët me dyndjet e tyre”, u shpreh Ndoj.

Profesori i UET, Treska po ashtu vlerësoi bibliografinë dhe burimet që autori i librit ka përdorur për të realizuar librin duke e konsideruar si një libër që ia vlen të lexohet.

“Një nga vlerat  e librit është që çmoj bibliografinë e veprës dhe nëse e shoh me vëmendje konstatoj që është tepër e pasur me dokumente arkivore, burime të brendshme dhe të huaja. Ka dhe monografi të autorëve aktualë, historianë të Shqipërisë, por gjithashtu na kujton edhe vepra të autorëve të kaluar, por të besueshme dhe kjo përbën një vlerë të kësaj vepre”, tha Treska.

“Unë e ndjej në faqet e librit tuaj shqetësimin për të ngritur të tre katet, po ashtu edhe të thellojmë njohjen e katit të dytë që ka qenë një kat dinjitoz dhe bashkëkohës me civilizimet e tjera europiane. Frika që kjo nuk është eksploruar mund të ketë ardhur nga mungesa e dokumentacionit. Guximi juaj qytetar duhet të garantohet me kritere kërimore shkencore, siç është një monografi dhe këtë e bëjnë burimet tuaja që keni përdorur”, vijoi më tej profesor Tomi Treska.

Ndërsa historiani Ndoj nuk ngurroi të rrëfejë me detaje se për të realizuar botimin e tij i ka rënë kryq e tërthor trojeve etnike.

“I kam rënë kry e tërthor trojeve etnike. Ajo çfarë kam pasur në objeksionin tim ishte verifikimi i pjesëve më të dukshme dhe kam mbështetur idetë e miaj me dokumete dhe me objekte të trashëgimisë kulturore, si kështjella, kisha, kulla etj., që janë pjesë faktike dhe dëshmi shumë të rëndësishme të Arbërisë që nuk është shuar dhe që ende ekziston. Ajo që më rezulton është se ne në shkurret tona kemi një qytetërim që mbulohet prej tyre dhe që dëshmon se ne jemi një popull i qytetëruar. Ne mund ta përdorim trashëgiminë për t’ia treguar gjithë botës, por dhe për ta kthyer në një mundësi për ta pasuruar këtë vend”, u shpreh autori i librit.

Ai gjithashtu njoftoi se shumë shpejt do të sjellë një tjetër libër të rëndësishëm dhe që askush nuk e pret.

“Jam i bindur që opinioni nuk është fare i gatshëm që ta presë atë botim, madje as familja ime”, u shpreh Ndoj, duke shtuar më shumë kurreshtjen.

Ndërsa profesor Treska u tregua mjaft mikëpritës duke i hapur dyert e UET për promovimin e radhës.