Viti 2021 shënon 13 vjetorin e themelimit të UET Alumni, njëkohësisht përkon edhe me brezin e tretë të të diplomuarve pranë Universitetit Europian të Tiranës. Siç është kthyer në traditë, UET Alumni do të japë edhe këtë vit Çmimin e Karrierës. Të nominuarit janë zgjedhur nga të diplomuarit e brezit të tretë 2008-2011, duke u vlerësuar kështu 10 vite pas diplomimit të tyre.

Çmimi i Karrierës synon të vlerësojë dhe promovojë arritjet e ish-studentëve të diplomuar pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Aida Maho është diplomuar pranë Universitetit Europian të Tiranës, në vitin 2013, pas një cikli të plotë studimesh Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë dhe Master Shkencor në profilin e Drejtë Biznesi. Studimet e akademike i vijoi me një Master të dytë në Shkollën Ekonomike të Londrës, në të Drejtë Korporatash. Gjatë karrierës së saj, ka punuar si konsulente juridike pranë Studios Ligjore Frost & Fire Consulting shpk. Aktualisht është e angazhuar si eksperte Ligjore Kombëtare pranë projektit të financuar nga Bashkimi Europian, EURALIUS V “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Paralelisht, është pedagoge e jashtme pranë UET, në lëndën “E Drejta Tregtare”. Fusha e saj e ekspertizës përfshin edhe të Drejtën e Bashkimit Europian.

Erlis Hereni është diplomuar në Drejtësi dhe Gjuhë Angleze. Prej 10 vitesh jep mësim pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Prej dhjetorit 2020, Hereni drejton Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin, një institucion i ngritur rishtazi për të lehtësuar procesin e kompensimit të pronarëve për pasuritë e paluajtshme. Erlis Hereni është Alumni i Harvard, Kennedy School – Executive Education; Alumni i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, si dhe Doktorant në Departamentin e Politikës dhe Qeverisjes në Bashkimin Evropian, pranë Institutit të Studimeve Evropiane, në Universitetin e Tiranës.

Edi Vlusha është diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës, në degën Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim, si dhe ka përfunduar studimet MBA në 2015, në New York University of Tirana. Prej më shumë se 10 vitesh, është i angazhuar në fushën e komunikimit, marketingut dhe gazetarisë. Fillimisht ka punuar për një vit si gazetar terreni në Gazeta Standard. Më pas ka punuar për katër vite në departamentin e Marketingut dhe Shitjeve në kompaninë EasyPay, një institucion financiar, që merret me metodat e reja të pagesave, siç janë pagesat elektronike. Prej më shumë se pesë vitesh, mban pozicionin e Drejtorit të Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës

Roland Spahiu ka përfunduar studimet Bachelor në degën e Marrëdhënieve me Publikun dhe Komunikim në Universitetin Europian të Tiranës, në vitin 2011, si dhe ka përfunduar studimet Master po në UET, për Shkenca Komunikimi. Që prej vitit 2012, është gazetar në një nga mediat më të mëdha në vend, Top Channel, fillimisht në emisionin Top Show, duke trajtuar çështje të ndryshme të aktualitetit, nga politika, ekonomia dhe tematikat sociale. Gjatë 3 viteve të fundit, është gazetar dhe autor në emisionin “Ftesë në 5”, për çështjet që lidhen me kulturën, showbiz, rininë, temat konceptuale dhe social – kulturore.

Viliem Kurtulaj ka kryer studimet Bachelor në Universitetin Europian të Tiranës në Shkenca Politike. Më pas ka ndjekur studimet Master në Universitetin e Tiranës, në të njëjtin profil studimi. Aktualisht është i punësuar si Konsull në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Hungari, si dhe është kandidat për doktoraturë në Universitetin Eötvös Loránd (ELTE) në Budapest, duke studiuar lidhjen e universitetit me njohurinë dhe fuqinë. Gjithashtu, ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e edukimit, ku ka shërbyer si asistent lektor në disa universitete të vendit, si dhe jashtë Shqipërisë. Pikat e tij të interesit janë në filozofi, diplomaci, politikë, arsim, marrëdhënie pushteti, menaxhim dhe administratë.

Anisa Gjini ka mbaruar studimet Bachelor për Informatikë Ekonomike, drejtimi Menaxhim Biznes, në vitin 2016. Studimet Master i ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera pranë Åbo Akademi në Finlandë, në degën Software Engineering. Pas përfundimit të studimeve, kthehet në Shqipëri dhe punësohet në sektorin privat pranë kompanisë gjermane DEKRA. Njëkohësisht, ka qenë lektore e jashtme në dy universitete: Universitetin Politeknik të Tiranës dhe University of New York Tirana. Që prej dhjetorit 2020, Gjini mban pozicionin e pedagoges së brendshme, në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhe është e angazhuar me projekte të ndryshme pranë organizatave ndërkombëtare, me fokus rininë.

Ledia Meta ka kryer studimet në ciklin Bachelor dhe Master Shkencor në Shkenca Juridike, pranë Universitetit Europian të Tiranës. Më pas, kreu Shkollën e Avokatisë ku u licensua si avokate. Në vijim u punësua si Asistent/Pedagoge në Departamentin e të Drejtës Publike, Fakulteti i Shkencave Juridike, në Universitetin Europian të Tiranës. Për t’i dhënë një hov sferës profesionale, punoi për disa vite pranë një shoqërie tregtare mëmë (Shega Trans SHA), e cila kishte në përbërje të saj disa shoqëri të tjera tregtare, që vepronin kryesisht në sferën e transportit (tokësor, detar, ajror) kombëtar e ndërkombëtar, fillimisht si juriste dhe më pas si Drejtuese e Departamentit Ligjor të Grupit. Prej rreth një viti, është Drejtore e Departamentit Ligjor pranë Globe Group.

Erinda Fiku ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master Shkencor pranë Universitetit Europian të Tiranës në Degën Financë- Bankë, profili Bankë dhe Tregje Financiare. Pas përfundimit të universitetit, ka ndjekur kurse dhe trajnime të ndryshme, duke iu përkushtuar edhe më shumë zhvillimit të saj profesional, në fushën e Financës, Auditimit dhe Tregjeve Financiare. Karrierën e ka nisur si financiere pranë Tresi Farm dhe pas 4 vitesh, është drejtuar më pas në një fushë në zhvillim në vendin tonë, siç është tregu i kapitaleve. Prej gushtit të vitit 2017, Erinda është punësuar si Specialiste Senior në Departamentin e Monitorimit dhe Mbikëqyrjes së Rrezikut pranë Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, ku përpos punës së përditshme, angazhohet edhe në projekte me fokus edukimin financiar të brezave të rinj.

Shpati Kolgega është diplomuar për Marrëdhënie Publike-Komunikim në Universitetin Europian të Tiranës dhe gjithashtu me M.B.A në Menaxhim të Përgjithshëm pranë Universitetit të New York në Tiranë. Aktualisht është në ndjekje të një programi Master në Eisensadt, Austri, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara FH Burgenland. Ka një eksperiencë profesionale prej më shumë se 11 vitesh në gazetari, politikë, organizata rajonale dhe administratën publike. Në 2013, ka filluar karrierën në administratën publike, si specialist i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Në vitet 2017-2019 ka shërbyer si Zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Qeverinë Shqiptare. Prej 1 viti, është Drejtor i Filialit Tiranë në Postën Shqiptare.

Xhensila Frasholli është menaxhere e lartë koorporative në Klar sh.p.k – Distributor i Autorizuar i Segafredos dhe i franchize me po të njëjtin emër. Presidenti i Grupit zgjodhi të kishte në krye të një prej kompanive të rëndësishme të distribucionit dhe franchize të kafes, një menaxhere te re. Sigurisht, kjo nuk erdhi krejt rastësisht. Eksperiencat e përfituara para, gjatë dhe pas mbarimit të studimeve universitare, kanë qenë shumë të dobishme në hapjen e një dritareje në botën e punës. Nga ana tjetër, eksperienca e nivelit te specialistes “Junior” dhe me pas eksperienca si “Senior” ne “Segafredo” sollën rezultate efikase dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e profilit të sotëm.