Bursa e UET i ndryshoi jetën/ Aktivistja që i jep zë komunitetit rom

Nuk e kishte imagjinuar kurrë të studionte në një universitet privat. Për të dhe komunitetin ku jetonte, ishte  arritje e madhe mbyllja e studimeve në shkollën e mesme. Ndërsa e kishte lënë pas ëndrrën e studimeve të larta, ‘burgosur’ në mijëra mendime të ardhura rishtas në kokën e saj ndër vite, ndodhi mrekullia. Një bursë nga Universiteti Europian i Tiranës, do t’i ndryshonte jetën.

Ishte viti 2006. Brisilda Reme, një vajzë e komunitetit rom në Shqipëri, sapo kishte mbaruar gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, me rezultate të kënaqshme. Pavarësisht kësaj, ajo nuk pati mundësi të studionte në fushën e drejtësisë. Teksa ëndrra për shkollim u shua, falë rekomandimit nga një e afërmja e saj, nisi punë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke asistuar në përgatitjen e sallave të konferencave. Njëkohësisht, ajo u përzgjodh për të luajtur në disa filma të regjisorit Kujtim Çashku, te Akademia Filmit dhe Multimedias “Marubi”.

“Një ditë, më morën mënjanë përfaqësues të OSBE dhe më thanë: “Nuk do bësh më këtë punë, pasi në tetor do të shohësh degët dhe do të zgjedhësh një prej tyre, për të vazhduar shkollën e lartë. Ishin dhënë 4 bursa për komunitetin tonë nga UET, në bashkëpunim me Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, tregon Briselda.

Këtu nis historia. Fillimisht, ajo e priti këtë lajm me skepticizëm, për faktin se bëhej fjalë për një universitet privat. Duke qenë se vinte nga një familje e thjeshtë, nga një komunitet jo aq i mbështetur në shoqërinë shqiptare, të qenit pjesë e një universiteti të tillë, e tmerronte. Mijëra mendime, dyshime, frikëra për përshtatjen, e ndalonin për të hedhur këtë hap të rëndësishëm.

“M’u kundërvunë të gjithë, bashkë me familjen time. Kështu që pranova të vij. Në UET takova 3 të rinj të tjerë nga komuniteti, të cilët i njihja nga shoqëria civile. Flas me Henri Çilin  dhe Ermal Hasimen, të cilët më sugjeruan të studioja për Shkenca Politike. Ata më thanë, se nuk më shihnin shumë në pjesën e jurisprudencës. Tani jam e kënaqur me zgjedhjen që kam bërë”, shprehet Briselda.

Me vijimin e studimeve, dyshimet u shuan. Edhe pse një ambient i ri, ajo gjeti mikpritjen, mbështetjen dhe komoditetin për t’u përgatitur dhe zhvilluar profesionalisht. Pas përfundimit të bachelorit, në vitin 2009, Briselda ndoqi studimet master për “Teori Politike”. Prej vitesh angazhohet në shoqërinë civile, duke qenë një zë i fortë i komuniteti rom dhe egjiptian në Shqipëri.

P1%r 15 vjet me radhë, UET ka ofruar bursa për kategori të ndryshme studentësh, bursa ekselence, bursa talenti, bursa sociale etj. Kjo traditë e vyer e misionare vijon ende me shpresën për të ndihmuar sa më shumë të rinj të realizojnë ëndrrat e tyre e të kontribuojnë për shoqërinë.

 E lindur për aktivizëm

Një vajzë punëtore dhe me fat. Ndërkohë, që shumica e anëtarëve të komunitetit rom e egjiptian, e kanë të vështirë dhe pothuajse të pamundur të marrin shkollimin bazë, Briselda arriti të bëjë një shkollim të plotë. E nga ana tjetër, geni familjar, i dha një tjetër dhuratë, aktivizmin.

Që e vogël jam marrë me shoqërinë civile, kam qenë aktiviste. Kam qenë një ndër vajzat e para në komunitet që merresha me këtë pjesë.  Daja im merrej me shoqëri civile. Ishte koha që po krijoheshin këto organizatat e para për romët dhe egjiptianët”, thotë ajo.

Prej vitesh vazhdon të merret me këtë aktivitet, duke u bërë pjesë e projekteve të ndryshme për komunitetin, që siç shprehet edhe vetë, janë e vetmja mundësi për punësimin apo ndryshimin e jetës së komunitetit rom e egjiptian, për shkak se nisma të tilla janë të pakta, pothuajse inekzistente nga shteti.

“Kam qenë pjesë e një projekti “Fuqizimi i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri”, i shtrirë në Tiranë, Berat, Durrës dhe Shkodër. Për 3- 4 vite kam punuar te Zyra Rajonale e Punësimit, në programet e nxitjes së punësimit për komunitetin rom e egjiptian. Tre deri në gjashtë muajt e parë, m’u desh të mësoja sesi ishte kuadri ligjor, programet e nxitjes së shtetit për këtë kategori dhe me fondet e BE kemi bërë ndërhyrje për përmirësime. Kemi takuar biznese që kishin nevojë për punonjës, negocionim, diskutonim, bënim takime. Unë zhvillova një data base dhe në bazë të profilit që mund të kishin, përzgjidhnim anëtarë të komuniteti për zhvillim profesional apo punësim”, tregon ajo.

Pas mbylljes së projektit, nuk iu ofrua punësim, duke i kërkuar që të zhvillonte një praktikë profesionale, edhe pse aktivizohej dhe ishte e pranishme në atë institucion prej afro 4 vitesh. Pavarësisht kësaj, njerëzit e kërkojnë akoma dhe e telefonojnë për ndihmë, edhe pse nuk gjendet në një pozitë të tillë për të zgjidhur problemet e tyre.

Gjatë dy viteve, 2016- 2018, Briselda është përfshirë në projektin për shpronësimin  e banorëve që i prekte ndërtimi i Unazës së Madhe. Aktualisht, punon në organizatën “Qendra e Gruas Rome”, në përpjekje për të mbështetur dhe fuqizuar gratë rome, të cilat ndërmarrin nisma të ndryshme sociale. Projeksionet e saj të së ardhmes, janë në të njëjtën rrugë: vazhdimin e aktivizimit.

“Do vijoj të punoj fort me gjërat që kam nisur, sigurisht në kuadër projektesh. Dëshira jonë është që të jemi në institucione, por nuk është në dorën tonë”, përfundon Briselda.

 

Tags: