Në prag zgjedhjesh, Instituti Europian Pashko dhe Gazeta Liberale në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET lançojnë për herë të parë “Campaign Observer”, një studim për fushatën elektorale

Ndërkohë që nesër nis zyrtarisht fushata elektorale dhe kur vetëm 30 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit Europian të Tiranës në bashkëpunim me Institutin Europian Pashko do të lançojnë shumë shpejt studimin “Campaign Observer”, i cili në fokus do të ketë vëzhgimin e kësaj fushate.

Studiuesit, Bjorn Kamberi dhe Shpend Gashi në bashkëpunim me pedagogët e UET, Florian Cullhaj dhe Anjeza Xhaferaj Rreli do të bëjnë një vlerësim cilësor të fushatës elektorale, mbi tekstin përmbajten, semiotikën dhe shumë elemente të tillë që do të përdorin secili prej liderëve të dy partive të mëdha politike në vend.

Konkretisht pedagogu Florian Cullhaj do të bashkëpunojë me studiuesin Shpend Gashi, duke sjellë një analizë për fushatën e Partisë Socialiste dhe kryesisht retorikën e kreut të saj Edi Ramës.

Ndërsa pedagogia Anjeza Xhaferaj Rreli do të bashkëpunojë me studiuesin Bjorn Kamberi në frontin kundërshtar, duke analizuar fushatën që do të bëjë Partia Demokratike, me në krye Lulzim Bashën.

Për rreth 30 ditë të dy studiuesit, Bjorn Kamberi dhe Shpend Gashi do të publikojnë në Gazetën Liberale, pjesë e Institutit Europian Pashko disa shkrime-analiza të cilat do të keni mundësi t’i gjeni jo vetëm në versionin e gazetës në print, por edhe në atë online.

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, Prof. Asoc. Dr. Ervis Iljazaj tregoi me detaje se çfarë përfaqëson ky projekt dhe cili është qëllimi i tij.

“Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Politike lancon projektin “observatori i fushatës elektorale” për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ky projekt do të fokusohet në elementet kryesor të garës politike midis paleve. Synimi është të nxirren pah dhe të bëhen të njohura tematikat më të rëndësishme që zënë agorën më kryesore të debatit politik, duke filluar që nga çështjet ekonomike e deri te ato ideologjike dhe ndasitë që ekzistojnë midis aktorëve. Gjithashtu një rëndësi të veçantë do të marrin programet poltike dhe diferencat midis tyre. Të gjitha këto elemente do të jenë në fokus të publikimeve të përditshme në media në formën e shkrimeve dhe të dhënave cilësore. Projekti do të përfundojë me nje studim të përbashkët për fushatën dhe elementet e saj të forcave të ndryshme politike që marrin pjesë në zgjedhje. Pjestarët e këtij projekti janë eksperte të fushës si dhe pedagoge të Shkencave Poltike pranë departamentit”, u shpreh profesor Iljazaj.

Qëllimi i këtij studimi nuk është vetëm të analizojë elementët e komunikimit që secila parti përdor për të bërë fushatë, por edhe kërkon të analiyojë se ku konsiston secila prej tyre pikërisht, sot, pas 30 vitesh tranzicion.

Kush janë studiuesit e “Campaign Observer”

-Florian Çullhaj është politolog i arsimuar në Shqipëri dhe Itali, me një eksperincë mbi dhjetë vjeçare në mësimdhënie.

Aktualisht, ai është lektor me kohë të plotë në Universitetin Europian të Tiranës si dhe lektor i ftuar në Universitetin e Romës ‘Tor Vergata’.

Fushat e kërkimit të Florianit fokusohen në; kulturën politike, teoritë e demokracisë, liberalizmin politik dhe autenticitetin.

Floriani është autor i librit, Democratization from Within: Political Culture and the Consolidation of Democracy in Post-Communist Albania, (Editore: Nuova Cultura, Collana: Crossroads Nr. 81, Roma, 2017), si dhe i një sërë artikujsh të tjerë të botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare.

-Shpendi Gashi, laureuar pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në periudhën 2012-2015, Bachelor në Shkenca Politike.

Më pas në vitin 2015-2017 ndoqi në në po të njëjtin Fakultet, studimet Master për Studime Rajonale Politike me rezultate shumë të larta.

Për shkak të performancës në lëndët me subjekt kryesor Marrëdhëniet Ndërkombëtare, kontaktohet nga departamenti i Shkencave Politike për t’u propozuar vendi vakant i pedagogut të jashtëm.

Pozicion që e mban prej 4 vitesh e në vazhdimësi, duke asistuar në lëndën e Gjeopolitikës.

-Anjeza Xhaferaj është diplomuar pranë Universitetit Europian të Tiranës në Shkenca Politike në vitin 2009. Aktualisht ajo është lektore në UET në lëndët Partitë Politike dhe Studimet Elektorale, Lëvizjet e Reja Politike, Qeverisje Qendrore dhe Lokale. Ndërkohë ajo mban titullin “Doktor” në Teori Politike, mbrojtur në vitin 2016 pranë UET. Studimet “Master” i ka kryer për “Politika Europiane” në Sussex University në Mbretërinë e Bashkuar. Xhaferaj ka një eksperiencë pune dhjetëvjeçare në sektorin e organizatave humanitare me çështje që kanë lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm, arsimin, infrastrukturën, menaxhimin e riskut, emergjencat dhe burimet njerëzore.

-Bjorn Kamberi, ka laureuar cum laude në vitin 2020. Studimet Master i ka përfunduar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Seton Hall University, Neë Jersey, USA, si edhe ato të nivelit undergraduate midis Tiranës dhe Texas në USA për Shkenca Politike dhe Administratë Publike.

Për një periudhë një vjecare ka punuar si Research Felloë pranë Shkollës së Diplomacisë në Seton Hall, me aktivitetin kërkimor të përqëndruar në temat e Studimeve të Sigurisë Ndërkombëtare, Multilateralizmit dhe Organizatave Ndërkombëtare.

Gjithashtu ka qenë angazhuar si Koordinator pranë Qendrës për Studime të OKB dhe Qeverisjes Ndërkombëtare, kapacitet në të cilin ka përfaquar qëndrën në një sërë aktivitetesh dhe forumesh në selinë e OKB në Neë York. Krahas angazhimeve akademike e profesionale është një studiues i apasionuar i zhvillimeve politike dhe rajonale si edhe dashamir i prozës post moderne.