Ermir Nika

Dr. Ermir Nika

Veprimtarinë e tij profesionale e ka shtrirë në disa fusha të rëndësishme si sa i përket krijimtarisë artistike, ashtu edhe në drejtim të studimit dhe kërkimit shkencor. Në vitin 2016 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave Filologjike me temën: “Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe”, ndërsa në vitin 2005 ka kryer studimet pasuniversitare për titullin Master në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Histori – Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi. Studimet e larta, në degën e gjuhës dhe të letërsisë do t’i përfundonte në vitin 2000 pranë Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Prej vitit 2001 deri në vitin 2019 ka punuar në Ministrinë e Kulturës si specialist, Përgjegjës Sektori dhe Drejtor Drejtorie në drejtoritë e kulturës së shkruar dhe të arteve. Ermir Nika është autor i një sërë veprash me karakter letrar e studimor ku do të përmendim: “Polifonia” studim, “Fillimet e Modernitetit në prozën romanore shqipe” studim, “Robi i lartësive”, roman, “Kuarteti bohem”, poezi, “Net Mëkatarësh”, tregime, novelën për fëmijë “Gjyshi në Kornizë, botimi i vëllimit poetik “Re të Ftohta”, publikimi i veprës studimore “Vepra e Çajupit dhe takimet e saj me rrymat letrare”, “Shënime të një Europiani pranë Budës dhe Hiroshimës ”, “Lumi i Ëndrrave të Mia” poezi. Vepra letrare dhe ajo studimore e tij është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja ku do të përmendim: anglisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, italisht, rusisht, japonisht, rumanisht, arabisht, serbisht, maqedonisht etj. Që nga maji i vitit 2019 e në vijim Dr. Ermir Nika është Përgjegjës i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Arteve Liberale në Universitetin Evropian të Tiranës.