- by Gersi Mirashi
- January 13, 2023
Konflikti i interesit dhe veprat penale në fushën e prokurimeve publike
by, Phd (cand.) Fjorida Ballauri (Kallço)
Abstract
Konflikti i interesit në prokurimet publike është një nga temat më të diskutuara jo vetëm në jetën publike të vendit tonë. Nga ky fenomen janë të rrezikuara në çdo kohë fondet publike, pasuria shtetërore, shërbimi për publikun etj., ndërsa shtetit i lind detyrimi të ngrejë instrumentet e duhur ligjorë për të parandaluar rastet e përfitimeve të paligjshme dhe abuzimit të nëpunësve publikë. Në parim, në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve zyrtare, nëpunësi publik nuk
duhet të ndikohet nga interesat e ngushta personale, nuk mund të krijojë përfitime apo avantazhe për vete, për familjarët, të afërmit apo personat e tjerë fizike dhe juridikë, me të cilët ndan interesa ekonomike ose politike, por të veprojë në çdo rast me ndershmëri dhe paanësi. Ndërkohë që pyetja që shtrohet për diskutim lidhet me faktin nëse konflikti i interesave është një element që i paraprin në çdo rast veprimeve kriminale të kryera nga funksionarët publikë në një procedurë prokurimi, siç mund të jetë rasti i veprës penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande apo korrupsioni pasiv i funksionarëve publikë.
Ky punim synon të bëjë një analizë të legjislacionit shqiptar në drejtim të instrumenteve ligjorë, në parandalimin e konfliktit të interesave në fushën e prokurimeve, duke trajtuar edhe ndalimet kryesore të interesave private të zyrtarëve publikë sipas ligjit të parandalimit të konfliktit të interesave. Nga ana tjetër, synon të trajtojë lidhjen e pashmangshme që ekziston midis një situate të pazgjidhur apo fshehur konflikti interesi me ekzistencën potenciale të konsumimit të një vepre penale korruptive apo shkelje të barazisë në tendera nga ana e funksionarëve publikë.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.