- by Gersi Mirashi
- January 13, 2023
Agjenti i infiltruar në dhomat e “chat”- it
by, Dokt. Eurela Mujaj
Abstract
Me zhvillimin e internetit, krimi ka gjetur një tjetër formë shprehjeje, të panjohur më parë. Si çdo teknologji e re e vënë në dispozicion të një numri të madh përdoruesish, interneti paraqet jo vetëm të mira dhe përfitime, por në të njëjtën kohë dhenjë sërë problemesh. Keqpërdorimi i saj nga elementë kriminal njihet me emrin krim kibernetik (cybercrime). Në praktikën e përditshme konstatohen dy lloj sjelljesh përballë fenomenit të krimit kibernetik. Nga njëra anë qëndrojnë përdoruesit e zakonshëm dhe indiferent, të cilët mendojnë se janë imun përballë këtij rreziku dhe nga ana tjetër qëndrojnë specialistët, të cilët analizojnë këtë fenomen me shumë kujdes, në mënyrë, që të
kuptojnë mënyrën e funksionimit të tij. Scott Peck, një psikiatër i njohur amerikan dhe autor i suksesshëm librash shkruan: “E vetmja mënyrë për të pasur siguri në jetë është të njohësh pasigurinë”.
Mes formave të shumta të shfaqjes të krimeve kibernetike, një terren të përshtatshëm për “kultivim” ka gjetur pedofilia. Por, duke qenë se teknologjitë e reja janë në evolucion të vazhdueshëm dhe rreziqet e lidhura me këtë teknologji evoluojnë në të njëjtën mënyrë, natyrshëm lind pyetja: A ecën me të njëjtin ritëm teknikat investigative, që mund të parandalojnë apo ndëshkojnë këtë krim?
Përmes këtij punimi synoj të bëj një analizë kriminologjike, të njërës nga format e shfaqjes së krimit informatik, “Pedofilisë – online” dhe mjeteve investigative të përdorura nga vende të ndryshme të botës për ta parandaluar këtë krim. Bëhet fjalë pikërisht për një mjet relativisht të ri investigimi, i cili është infiltrimi i agjentit të fshehtë në dhomat e chat-it (chat room).
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.