- by Gersi Mirashi
- January 13, 2023
Imuniteti, aspekte krahasimore – libër me vlera të shumta
by, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
Abstract
Pak më shumë se një vit më parë doli në qarkullim libri Imuniteti, aspekte krahasimore. Autorë të tij janë Arsim Bajrami, Migena Leskoviku, Zemri
Elezi dhe Florent Muçaj. Çdo botim që i shtohet bibliotekës juridike shqiptare është i mirëpritur, sepse kontribuon në plotësimin e vakumeve të ndjeshme në shkencat juridike, vakume
që për fat të mirë kanë filluar të mbushen çdo ditë e më shumë. Profesorë me përvojë, por edhe jo pak të rinj të apasionuar, secili në fushën e vet të studimeve,
nëpërmjet botimit të punimeve të tyre, si monografi, tekste mësimore apo artikuj kanë sjellë dalëngadalë vlera të çmuara në shkencën juridike shqiptare.
Libri “Imuniteti, aspekte krahasimore”, i autorëve të nderuar Bajrami, Leskoviku, Elezi dhe Muçaj vjen në një fushë me interes të veçantë, në këto kohë problematike
për ndërtimin e shtetit në përgjithësi dhe shtetit të së drejtës në veçanti, në hapësirat shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në Republikën
e Maqedonisë. Dihet se gjithçka e mirë në progresin ekonomik e shoqëror të një vendi nis nga “kontrata sociale” e ndërtimit të një shteti të fortë dhe të civilizuar,
ngritur mbi themele të shëndosha kushtetuese. Shtetasit, banorët e çdo shteti, ua kanë besuar këtë mision të madh e të rëndësishëm, sikurse edhe misionin tjetër
gjithashtu shumë të rëndësishëm të përgatitjes së legjislacionit, akteve të së drejtës në përgjithësi, të zgjedhurve të tyre në parlamentet kombëtare ose mbi kombëtarë
si dhe zyrtarëve të tjerë të rëndësishëm. Të vetëdijshëm për delikatesën e këtij misioni zgjedhësit janë kujdesur gjithmonë që t’iu krijojnë atyre kushtet maksimale
për ushtrimin e një veprimtarie sa më normale dhe frytdhënëse, për të punuar të qetë e të patrazuar, pa ankthin ose kërcënimin e ndonjë pasoje për veprimtarinë që
ushtrojnë, çka përfshihet dhe trajtohet nga statusi i imunitetit të tyre.
This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International License.