“UET Alumni”, historiku dhe e ardhmja e universitetit

Krijimi i një rrjeti Alumni është thelbësor për universitetet, të cilat përfitojnë prej të tilla shoqatash në tri drejtime: kohë, thesar dhe talent

Diskutimi mbi çështjet Alumni është diçka relativisht e re në peizazhin e arsimit të lartë, veçanërisht jashtë sferës së elitës së Oxbridge dhe Ivy League. Këto dy institucione të privilegjuara kanë parë një numër të lartë të studentëve ndërkombëtarë që regjistrohen për shumë vite, dhe me anë të një kombinimi të iniciativave të udhëhequra nga universiteti dhe nga Alumni kanë mundësuar vazhdimisht një prani të të diplomuarve në një numër të madh vendesh në mbarë botën.

Aktivitetet zhvillohen nën kujdesin e klubit Alumni, i referuar edhe si rrjet apo shoqatë Alumni, që zgjedh një president dhe një bord drejtues, si dhe ka një listë me anëtarë, me të cilët organizon në mënyrë periodike evente brenda e jashtë vendit.

Shumë universitete, për shkak të numrit të lartë të studentëve ndërkombëtarë, kanë një shoqatë Alumni të përbërë nga ish-studentë prej të gjithë botës. Numri i Alumni ndërkombëtar varion nga institucioni: në vitin 2016, Universiteti i Harvardit llogariti 57 939 alumni në të gjithë botën, më shumë se gjysma e të cilëve ishin produkte të Harvard Business School. Në të njëjtin vit, Universiteti Cornell vlerësoi se kishte rreth 17 000 alumni me adresa primare jashtë Amerikës së Veriut dhe King’s College London aktualisht vë në dukje se ka “mbi 48 000 alumni jashtë shtetit” në total.

Përfitimi i Alumni Ndërkombëtar është sigurisht lidhja e vazhdueshme që ekziston me universitet ku ata kanë studiuar fillimisht, lidhjet sociale apo personale me kolegët Alumni dhe shpesh mundësia për t’u angazhuar me disa aspekte të veprimtarive universitare duke rekrutuar ose intervistuar studentët e ardhshëm, ose duke udhëzuar studentët e tanishëm apo të sapodiplomuarit. Lidhja e klubeve Alumni lehtëson ndjenjën e “aksesit të brendshëm” në zhvillimet aktuale dhe të ardhshme institucionale, nganjëherë drejtpërdrejt përmes vizitave në terren nga administratorët e nivelit të lartë ose fakulteti. Ky angazhim nënkupton se Alumni janë më të ekspozuar ndaj mundësive specifike në dispozicion të tyre, por njëkohësisht kanë mundësinë të kontribuojnë për universitetin e tyre, qoftë me rikthimin në auditor për të zhvilluar leksione të hapura, qoftë me kontributin e tyre në mbështetjen e bursave studentore, rinovimin e infrastrukturës së universiteteve ose themelimin e një instituti për inovacionin.

Është i rëndësishëm angazhimi në të tilla shoqata, pasi ish-studentët përfitojnë në një shumësi aspektesh. Fillimisht sepse duke ruajtur lidhjet me studentët e tjerë të diplomuar, si dhe me pedagogët me të cilët kanë zhvilluar mësimin përgjatë viteve, i shtojnë vetes mundësitë për t’u ngjitur edhe më lart në shkallët e karrierës, falë rrjetizimit. Nga ana tjetër, shoqatat Alumni e dinë se studentët, edhe pas diplomimit, kanë nevojë për mbështetje, prandaj organizojnë shpeshherë evente të ndryshme, mbledhje sociale etj., në mënyrë që ky rrjetizim të jetë funksional. Universitetet përfitojnë nga tri shtyllat shpesh të dalluara të angazhimit të Alumni: koha, thesari dhe talenti i tyre. Kjo do të thotë se institucionet përfitojnë më shumë nga kontributet financiare të ish-studentëve, por edhe nga koha e investuar nga Alumni në procesin e rekrutimit të studentëve (duke i kursyer zyrës së pranimeve kohë dhe para, që në të kundërt do të ishin shpenzuar në udhëtime për punonjësit), si dhe nga talenti i akumuluar i Alumni, që mund të shfrytëzohet në rrjetet e karrierës për studentët dhe të diplomuarit e tjerë të ngjashëm. Gjithashtu një rrjet funksional Alumni, me pjesëmarrës të cilët përfaqësojnë denjësisht universitetin, janë një nga faktorët më pozitivë që universitetet mund të shfrytëzojnë në favorin e tyre.

+10.000 UET Alumni 
Në shoqërinë e sotme të rrjeteve është shumë e rëndësishme që t’i përkasësh një komuniteti, i cili është i shtrirë kudo në të gjitha sferat e shoqërisë, në të gjitha nivelet e sektorit publik dhe privat. Në këtë mënyrë, duke studiuar në UET, studentët kanë pasur mundësinë të mësojnë me më shumë se 1000 pedagogë të brendshëm, të jashtëm, të ftuar me më shumë se 10,000 studentë që janë diplomuar në UET dhe me më shumë se 20,000 të tillë që janë regjistruar të paktën një herë në një program studimi në UET. Ky rrjet kaq i gjerë është i vlefshëm për studimet e tua dhe karrierën profesionale pas studimeve. Janë më shumë se 25 mijë studentët që kanë hyrë në Universitetin Europian të Tiranës dhe mbi 10,000 të diplomuar prej vitit 2006, vit që përkon edhe me themelimin e këtij universiteti. Shumë janë diplomuar, disa kanë kryer studime Master, të tjerë janë në proces doktorate, por të gjithë janë pjesë e rrjetit të ish-studentëve “UET Alumni”, duke e përfaqësuar diplomën dhe universitetin tashmë në tregun e punës dhe karrierat profesionale. Pjesëtarët e këtij rrjeti janë shumë të pranishëm në jetën e universitetit, edhe pas diplomimit.

Rikthimi në auditor është një praktikë që njihet tashmë, ku ish-studentët e UET vijnë sërish në universitet si profesionistë të arrirë në karrierë, për të ndarë me studentët aktualë përvojën e tyre në tregun e punës dhe në tërësinë e aspekteve që e karakterizojnë atë. Leksionet e hapura vijnë shpesh si një mënyrë inovatore për të krijuar një bashkëbisedim efektiv mes studentëve që pritet të përballen me vështirësitë e punës dhe atyre të cilët u kanë bërë ballë këtyre sfidave me sukses. “UET Alumni Talk” është iniciativa që kthen në auditorë ish-studentët e UET, në një forum gjatë të cilit qëllimi kryesor është integrimi i studentëve aktualë të UET në tregun e punës, duke i njohur ata me praktikat që ndiqen për të garantuar një rrugë të sigurt drejt suksesit profesional.

Forumet “UET Alumni Talk”, janë forma më e mirë jo vetëm për t’u ritakuar me ish-studentët tanë, por dhe për të prezantuar rastet e tyre te studentët aktualë si forma më e mirë e këshillimit të karrierës.
“Ish-studentët vijnë dhe zhvillojnë një orë leksioni të hapur për studentët, të cilët studiojnë në disiplina në të cilat “UET Alumni” janë të suksesshëm profesionalisht. Shoqatat Alumni, janë një nga shtyllat qendrore të çdo institucioni të arsimit të lartë në botë. “Ata janë ambasadorët e universitetit, janë ata të cilët çojnë lart emrin e tij dhe janë ata të cilët ngrenë dhe krijojnë ide të reja në tregun e punës, falë edukimit dhe profesionalizmit të tyre. Ky është dhe qëllimi i kësaj nisme”, tregon Adela Danaj, presidente e rrjetit “Alumni UET”.

Investimi në talent dhe potencial nuk rikthehet në universitet vetëm në formën e forumeve gjatë të cilëve diskutohet edhe mbi këshillimin e karrierës, por edhe në formën e iniciativave filantropike apo mbështetjen e bursave për studentët.

“Ne synojmë të sjellim disa histori suksesi të ish-studentëve tanë, të cilët momentalisht janë duke dhënë kontributin e tyre në shoqëri dhe në pozicionet ku ata punojnë. Ata do të tregojnë jo vetëm eksperiencat e tyre, por dhe se si ata u gjendën në tregun e punës pas përfundimit të studimeve në UET”, shpjegon Danaj.

Rrjeti i ish-studentëve të Universitetit Europian, siç zbulon më tej Adela Danaj, duket se synon t’i kalojë kufijtë.

“Universiteti Europian i Tiranës prej disa kohësh është bërë pjesë e programeve të ndryshme, duke krijuar bashkëpunim me universitetet lider në Europë. Ajo që UET Alumni synon të ndërtojë, është nxitja e bashkëpunimit midis njësive Alumni të këtyre universiteteve dhe UET Alumni. Ky bashkëpunim ndihmon jo vetëm në zgjerimin e rrjetit, por gjithashtu, do të thotë më shumë mundësi për të gjithë të diplomuarit në UET.”

Nëpërmjet shkëmbimeve, studentët apo Alumni-t, do të kenë mundësi, jo vetëm të studiojnë në këto universitete, siç është edhe duke ndodhur në kuadër të partneriteteve që UET ka krijuar, por do të njihen me mundësi të reja punësimi apo praktika pune.

Ky vit shënon 10-vjetorin e themelimit të shoqatës Alumni, ku në javën e parë të majit si çdo vit UET zhvillon “UET Alumni Festival”, ku në fokus do të jenë pikërisht të diplomuarit e parë, të cilët janë edhe themeluesit e shoqatës Alumni në UET.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *