Rrjetëzimi strategjik i UET për kërkimin shkencor, nga korporatat tek universitetet partnere ndërkombëtare

Edicioni i 6 i Ditëve të Studimeve Shqiptare 2019 në UET

Ka nisur ditën e djeshme, edicioni i gjashtë i Konferencës Shkencore “Ditët e Studimeve Shqiptare”, e cila do të vijojë të zhvillohet edhe përgjatë ditës së sotme, në UET.

Si mund t’u përgjigjen institucionet krizave të reja sociale që kanë të bëjnë me ndasitë? Si mundet programet e kërkimit tashmë të themeluara, të studiojnë këto ndodhi? Si mund të zhvillojmë qasje ndërdisiplinore duke studiuar këto ngjarje komplekse në lidhje me shkencat sociale, humane, ekonomike, arkitekturore, shëndetësore dhe teknologjike? Të gjitha këto pyetje janë subjekt i reflektimeve intensive, debateve dhe reformave në shumicën e vendeve, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Pikërisht në kuadër të shtrimit dhe trajtimit të këtyre pikëpyetjeve, Universiteti Europian i Tiranës organizon Konferencën Shkencore “Ditët e Studimeve Shqiptare”.

Dita e premte ishte dita e parë e kësaj konference, e cila është veprimtaria kryesore shkencore e Universitetit Europian të Tiranës. Këtë vit ajo zhvillohet përgjatë datave 12-13 prill. Në këtë konferencë janë bërë bashkë studiues të njohur ndërkombëtarë dhe shqiptarë, për të shqyrtuar çështjet më të rëndësishme me të cilat ballafaqohet Shqipëria dhe rajoni i saj. DSSH 2019, që ka si temë “The Knowledge Society: Diagnostics And Prognoses”, fokusohet në çështjet që kanë të bëjnë me shoqërisë e dijes dhe rolin e saj në zhvillimin e të gjithë sektorëve. Studiuesit që marrin pjesë në këtë konferencë janë të profileve të ndryshme, që nga politika, ekonomia, ligji, sociologjia, antropologjia, psikologjia, financa, arsimi, IT, inxhinieria, arkitektura dhe shëndetësia për të diskutuar rolin formal dhe informal që luan dija në formulimin e praktikave dhe ristrukturimin e institucioneve që prekin sektorët vitalë në të gjithë Shqipërinë dhe rajonin.

50 kërkues të huaj pjesëmarrës në DSSH 2019

Në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, shoqëritë po përballen me sfida të vështira dhe mjaft komplekse, të cilat vënë në testim koherencën dhe aftësitë e tyre për t’u përballur me to në mënyrën e duhur. Revolucionet e shpejta teknologjike, transformimet demografike, emigrimi, por edhe zhvendosjet brenda përbrenda vendit, janë disa nga faktorët që u kanë dhënë hov zhvillimeve edhe në ato shoqëri që dikur janë konsideruar stabël apo relativisht homogjene. Lëvizja është ndier në shumë sfera, të tilla si ajo politike, ekonomike apo sociale, si dhe ka ndikuar në sistemin e vlerave në mbarë botën. Ky ritëm i shpejtë ndryshimi i ka kapur thuajse të papërgatitur studiuesit dhe akademikët në mbarë globin, të cilët shpeshherë hasin vështirësi në dhënien e shpjegimeve gjithëpërfshirëse për shkaqet e këtyre zhvillimeve të mëdha. Nisur nga kjo situatë, është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për shkencat sociale, humane, dhe ato teknologjike që të zhvillojnë qasje të reja për të studiuar mjedisin social-politik ku jetojmë, në mënyrë që të kuptojnë më mirë realitetin dhe t’u përgjigjen sfidave komplekse, me të cilat ballafaqohemi me më tepër efikasitet.

Kjo konferencë zhvillohet në përmbyllje të Javës Ndërkombëtare të zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës me pjesëmarrjen e 50 kërkuesve dhe lektorëve të 20 universiteteve partnere prej vendeve të ndryshme europiane.

Zv/rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, gjatë fjalës së saj, theksoi se gjatë kësaj jave janë zhvilluar një sërë aktivitetesh me fokus ndërkombëtarizimin e UET. “Veçantia e edicionit të 6 të DSSH është se debatet dhe diskutimet që do të prezantohen në këtë konferencë shkencore, e cila ka në fokus shoqërinë e dijes dhe aplikimin e saj në fusha të ndryshme të shkencës, që nga ajo humane, sociale, ekonomike, arkitekturore, shëndetësore dhe teknologjike, vijnë këtë vit në kuadër të pesë fakulteteve të Universitetit Europian të Tiranës, që falë ofertës së tij akademike, i përfshin të gjitha këto fusha studimi.”

Ndërkohë pedagogu i Universitetit Duisburg-Essen, Dr. Tim Scholze, bëri një prezantim të projektit “REBUS”, i cili synon zhvillimin, testimin, validimin dhe përfshirjen e moduleve të hapura të të mësuarit holistik, dhe nevojave për nxitjen e kompetencave sipërmarrëse te studentët. Ai theksoi faktin se përgjatë zhvillimit të projektit, është vënë re se studentët shqiptarë janë po aq të përgatitur sa studentët e huaj dhe se e vetmja mënyrë, sipas këndvështrimit të tij, për të shmangur largimin e të rinjve nga vendi, është nxitja e sipërmarrjes.

Rektorja e UET: Kërkimi shkencor dhe zhvillimi i një shoqërie kanë një lidhje të vazhdueshme

Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, është shprehur se kjo konferencë, e cila është kthyer në traditë tashmë, ka një rëndësi të veçantë.
“Universiteti ynë u themelua me misionin për të krijuar një hapësirë akademike, ku studentët mund të zhvillohen si individë dhe profesionistë. Në një botë që po ballafaqohet me globalizim të vazhdueshëm, arsimi mbetet një nga veglat kryesore që mund të na ndihmojnë në përballimin dhe të ndikojë mbi ndryshimet që sjellin këto procese. Pikërisht sot, ku jemi të rrethuar nga një botë krejtësisht teknologjike, përpunimi i të dhënave në “epokën e informacionit”, është një element tipik për të përdor njohuritë strategjike si një faktor i konkurrencës ekonomike ndërmjet shoqërive, si dhe shërbimeve brenda së njëjtës shoqëri. Në këtë pikë, kërkimi shkencor dhe zhvillimi i një shoqërie (R&D), janë të lidhura fort me njëra-tjetrën. Në një këndvështrim ekonomik, shoqëritë e zhvilluara kanë në fokus të investojnë në edukimin dhe në trajnimin e vazhdueshëm të njerëzve për të ndërtuar burime eficiente të kapitalit njerëzor”, ka thënë Nika.

Teknologjia ka bërë që komunikimi të jetë më i shpejtë dhe sasia e informacionit që qarkullon nuk mund të përballohet vetëm nga disa individë ose institucione. Kjo ka sjellë nevojën e shoqërimit me kurrikula arsimore dhe strategji që bëjnë diferencën, duke i vendosur këto të fundit në korniza akademike nëpërmjet institucioneve të arsimit dhe sidomos atyre të arsimit të lartë. Pra, midis të mësuarit në mënyrë individuale dhe globalizimit të shpërndarjes së njohurive, roli i pedagogut bëhet edhe më i rëndësishëm si agjent i ndërmjetëm. Prof. Dr. Nevila Nika ka shtuar se parimet më të rëndësishme në një shoqëri të dijes janë: rrjetëzimi, i cili vlen për shkëmbim të njohurive, rritje e efektivitetit në aplikim, mundësia për vlerësimin e përmirësimit të të gjitha praktikat që përdoren për ruajtjen e eficiensës.

“Si përfundim, është e vështirë të parashihet saktësisht se çfarë zhvillimesh i presin gjeneratat e ardhshme, por ne besojmë që duke kombinuar kompetencat për mendim kritik dhe analitik dhe duke inkurajuar shpirtin sipërmarrës të studentëve tanë, mund t’i ndihmojmë ata në krijimin e konditave të nevojshme për të përballuar të ardhmen e tyre. Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin dhe ambientin që na rrethon dhe theksojmë nevojën për udhëheqje inovative në çdo fushë që ka ndikim mbi nevojat njerëzore, që nga politike deri te teknologjia. Është misioni ynë që studentët tanë të jenë të aftë të bëhen udhëheqësit e së ardhmes në fushat e tyre të përzgjedhura. Shpresoj dhe besoj që DSSH 2019 të arrijë objektivin e saj në sigurimin e një forumi efektiv për akademikët dhe studiuesit në avancimin e njohurive kërkimore dhe teknologjike”, ka përfunduar fjalën e saj rektorja e UET.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *