RREGULLORE E SHKOLLËS DOKTORALE

Rregullore e Shkollës Doktorale

Aktivitetet formuese dhe detyrimet akademike të programit

Kreditet teorike

Gjatë vitit të parë të studimeve të doktoraturës studenti duhet të ndjekë lëndët e parashikuara në programin përkatës, sipas planit mësimor të miratuar, për të grumbulluar 50 kredite. Frekuentimi në lëndët teorike është i detyruar në masën 80%.

Provimi për gjendjen teorike të disiplinës

Në fund të vitit të parë studenti i nënshtrohet një provimi që përbën themelin e formimit të tij teorik dhe ka peshën e 10 krediteve. Nënshtrimi ndaj këtij provimi është detyrim për cilëndo kategori studentësh të regjistruar në programet e doktoratës. Vetëm pas përfundimit me sukses të këtij provimi studenti i regjistruar në Shkollën Doktorale fiton të drejtën për të nisur punën kërkimore nën drejtimin e udhëheqësit shkencor, duke ndryshuar statusin nga “në këshillim” në “në udhëheqje”.

Detyrimet e tjera akademike (konferencat, artikujt shkencor dhe gjuha e huaj)

Gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, para paraqitjes për mbrojtje, doktoranti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme:

  • Të ketë realizuar, si autor i parë, së paku, tre referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat dy referime ose paraqitje duhet të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), në një vend të zhvilluar (vendet e OECD/BE), të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings” të indeksuara me kod ISBN-je.
  • Të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku dy prej artikujve duhet të jenë botuar ose pranuar për botim në revista shkencore të njohura të vendeve të zhvilluara (vendet e OECD/BE).
  • Të ketë të çertifikuar mbrojtjen e gjuhës angleze përmes një dëshmie ndërkombëtare të gjuhës si IELTS, TOEFL etj, në nivelin B2.

Afati i përfundimit të studimeve

Afati i mbrojtjes së tezës së doktoratës, nuk duhet të kalojë 3 vjet nga regjistrimi në program. Për arsye të përligjura kandidati mund t’i kërkojë Këshillit të Profesorëve shtyrje të afatit të përfundimit të studimeve të doktoraturës për një vit duke paraqitur dhe dokumentuar edhe arsyet e kësaj shtyrjeje.

Fazat deri në mbrojtjen doktorale

Doktoranti kalon në katër faza deri në mbrojtjen përfundimtare.

Faza e parë – Fisha e Doktorantit: Plotësimi i fishës së doktorantit, e cila shërben për të krijuar një ide të përmbledhur rreth asaj që kërkon të zhvillojë doktoranti.

Faza e dytë – Propozimi Doktoral: Projekt propozimi doktoral është dokumenti që paraqet në mënyrë të përmbledhur temën, objektivat, qëllimin, hipotezën dhe metodologjinë e projektit doktoral. Eshtë drafti i parë i projekt-idesë rreth të cilit studenti synon të bëjë kërkimin shkencor pranë Shkollës Doktorale.

Faza e tretë – Struktura e Punimit: Me projekt-strukturë të punimit nënkuptohet ndarja bazë dhe nëndarjet e nivelit të parë që formojnë skeletin e një punimi shkencor. Studenti në bashkëpunim me pedagogun udhëheqës dhe vlerësuesin metodologjik punon për ndërtimin e strukturës.

Faza e katërt – Mbrojtja e Bardhë: Pasi ka shlyer detyrimet në lidhje me ditët / kolokiumet doktorale, botimet dhe konferencat, si dhe ka përfunduar draftin e punimit të tij doktoral, studenti ka të drejtë të bëjë Mbrojtjen e Bardhë e cila bëhet përpara departamentit korrespondues me profilin e programit të doktoratës. Rekomandimet e dhëna nga departamentit kanë si qëllim përmirësimin e punimit përpara se ai të dalë në mbrojtje përpara jurisë.