Punimet e studentëve në UET/ Përballja e parë me tregun e punës

Elda Dedja

Studentët e Shkencave Humane në UET, krahas eksplorimit të mundësive për punësim dhe internship në Panairin e Punës, kanë pasur mundësinë të promovohen falë krijimtarisë së tyre në art

“Java e Hapur”, që këtë herë i dedikohej Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, ka pasur si karakteristikë të veçantë, çeljen e ekspozitës “Zanafilla” të studentëve të Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET. Ndërkohë, krahas saj, “Dita e Humaniteteve” në vetvete është karakterizuar nga gjallëria dhe aktivitetet e shumta, të cilat kanë pasur në fokus krijimin e kontakteve të para mes biznesit me studentët, si dhe forcimin e këtij komunikimi.

Në Panairin e Punës kanë marrë pjesë kompanitë më të mëdha në vend në industrinë kreative, duke filluar nga studiot e dizajnit, media të shkruara dhe vizive, agjencitë e komunikimit dhe reklamimit, shtëpitë botuese, shtëpitë e produksionit muzikor, atelie të modës etj., por edhe institucione shtetërore, si dhe organizata jofitimprurëse.

Në “Zanafilla” janë ekspozuar 117 eksponate, të përzgjedhura nga punët e studentëve gjatë viteve akademike 2017 – 2018 dhe 2018 – 2019, gjatë procesit mësimor të një sërë lëndësh teorike dhe praktike, në të cilat studentët, artistët e rinj, kanë pasur mundësi të shprehen në mënyrë kreative.
Disa prej studentëve pjesëmarrës në Panairin e Punës dhe në ekspozitën “Zanafilla” tregojnë mbi këto eksperienca.

Mahmudije Nimanbegu, nga Ulqini për Arte Pamore në UET

Mahmudije Nimanbegu është studente në vitin e tretë në degën Arte Pamore në Universitetin Europian të Tiranës. Panairin e Punës ajo e cilëson si një mundësi shumë të mirë, në mënyrë që studentët të orientohen për kompanitë që operojnë sot në tregun shqiptar.

Mahmudije Nimanbegu

“Panairin e Punës e vlerësoj si iniciativë, për shkak se në këtë mënyrë ne mund të njihemi me tregun e punës, kompanitë kryesore në të.

Njëkohësisht jam e mendimit se falë këtij prezantimi paraprak në lidhje me hapësirat për punësim, si dhe kërkesat që punëdhënësit kanë, ne mund të orientohemi në lidhje me atë se ku duhet të fokusohemi në të ardhmen.

Gjithashtu, ky organizim përbën një avantazh për këdo që dëshiron të punësohet, për shkak se nëse në një situatë tjetër do t’i duhej kohë për të kontaktuar me secilën prej kompanive, në panair i gjen të gjitha së bashku në një vend”, thotë Mahmudija, e cila shton se mundi të realizojë intervistat e para, si dhe të marrë kontaktet e nevojshme për një aplikim të mëvonshëm.

Ajo vjen nga qyteti i Ulqinit, Mali i Zi, dhe përpara tri vitesh vendosi që studimet e larta t’i ndiqte në Tiranë. Tregon se ajo çfarë e tërhoqi në degën Komunikim Dizajn, që UET ofronte përpara procesit të ristrukturimit të tij, ishte mundësia për t’u formuar në aspektin vizual falë një kurrikule gjithëpërfshirëse.

“Edhe në Mal të Zi ka universitete që ofrojnë degën Grafikë-Dizajn, por dëshira ime ishte që të formohesha në aspektin vizual në një mënyrë më gjithëpërfshirëse. Kur u informova më tepër mbi programin e UET për këtë degë dhe lëndët që ndiqeshin gjatë tri viteve, u binda se ishte zgjedhja e duhur për mua që më lejon që në një të nesërme të avancoj studimet e mia edhe në fusha të tjera të krijimtarisë vizuale”, Mahmudija tregon se zgjedhja për UET erdhi për shkak të sugjerimit të disa prej miqve të saj, të cilët kishin ndjekur më parë studimet në këtë universitet.

Mahmudija është gjithashtu një prej studentëve që ka marrë pjesë me punimet e saj në ekspozitën “Zanafilla” dhe në lidhje me këtë shprehet: “Është ndjesi shumë e këndshme të marrësh pjesë në ekspozitë me veprat e tua, së bashku me studentë të tjerë të talentuar. Përveç faktit që ekspozita na promovon ajo në një farë mënyre na forcon vetëbesimin, na ndihmon t’i shohim veprat tona nga një perspektivë tjetër dhe na ndihmon që përse jo, të kemi një sy më kritik ndaj tyre, gjë që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm artistik”.

Ira Omeri: Çdo gjë në jetë është komunikim

E dalluar gjithnjë për karakterin miqësor dhe ekspresiv, komunikimi duket të ishte që herët profesioni më i përshtatshëm për të. Ira Omeri, sot studente në degën Komunikim, në Universitetin Europian të Tiranës, tregon se fillimisht ishte në mëdyshje për të bërë këtë zgjedhje.

Ira Omeri

“Një nga dëshirat e mia më të mëdha që herët, ka qenë veterinaria. I dua shumë kafshët dhe jam shumë e përkushtuar ndaj tyre. Por njëkohësisht më ka pëlqyer gjithnjë Komunikimi si degë, mendoj se çdo gjë në jetë është komunikim dhe marrëdhënie mes njerëzve. Kështu u gjenda në dilemë mes këtyre dy drejtimeve krejt të ndryshme dhe ndoshta ishte këshilla e prindërve që më ndihmoi të vendosja. Veçanërisht mamaja ime ishte e bindjes se, në përputhje me karakterin tim, komunikimi do të ishte zgjedhja e duhur”, tregon Ira mbi zgjedhjen e saj.

Panairin e Punës e vlerëson si një mundësi shumë të mirë, veçanërisht për studentët, të cilët nuk kanë pasur më parë një përballje të tillë me tregun e punës, për profesionin e tyre.

“Për ne që jemi studentë dhe që nuk kemi pasur më parë eksperiencë të mirëfilltë pune në profesionin tonë, kjo është një mundësi shumë e vlefshme. Nuk është e thënë që të synohet për një punësim të menjëhershëm, mendoj që është po aq e rëndësishme të ndjekësh një internship për një periudhë të shkurtër kohe për të fituar një eksperiencë. Kështu që ky panair ofronte një hapësirë të madhe në këtë drejtim.”

Ira e përkufizon profesion e saj si mjaft tërheqës dhe eksperiencën e tri viteve të studimit si mjaft interesante.

“Dega për të cilën unë kam studiuar të lejon që t’i të fitosh njohuri nga një sërë fushash, të cilat në përfundim të formojnë në tërësinë tënde si qytetar. Ne kemi bërë lëndë të ndryshme nga filozofia, antropologjia, te statistika e ekonomia, te lëndët e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun. I gjithë ndërdisiplinariteti që e ka karakterizuar studimin tim këto tri vite, më ka nxitur të mendoj që të ndjek një vit shtesë për psikologjinë, të cilën e mendoj të pandarë nga komunikimi”, thotë Ira.

Artisti me disa çmime ndërkombëtare në pikturë, fitues i bursës së talentit në UET

Aktualisht në vitin e parë të studimeve për degën Arte Pamore, Nertil Zenuni, është njëkohësisht fitues i bursës së Talentit në UET. Kjo bursë i është akorduar me motivacionin për ekselencën që ka treguar në fushën e pikturës përgjatë viteve si fitues i çmimeve të disa konkurseve ndërkombëtare në vend, si Sllovaki, Çeki, Poloni dhe Finlandë.

Nertil Zenuni

Kjo është ekspozita e parë në UET kur Nertili merr pjesë dhe për këtë fakt shprehet mjaft krenar.

“Mendoj që kjo ekspozitë është një promovim shumë i mirë i artit tonë. Veçanërisht për ne që jemi në vit të parë kjo është një mundësi e shkëlqyer për të shfaqur potencialin që në hapat e parë. Është bukur të dish që studion në një universitet që vlerëson punët tona edhe përtej orës mësimore. Kjo është gjithashtu një nxitje për mua ashtu si dhe për studentët e tjerë, që të krijojmë edhe më shumë vepra të reja”, thotë Nertili, i cili përfaqësohet në këtë ekspozitë me disa punime.

Dega e Arteve Pamore, e cila vjen këtë vit në sajë të ristrukturimit dhe zgjerimit të Universitetit në pesë

Fakultete dhe u mundëson studentëve të zgjedhin prej pesë profileve të studimit, Graphic-Design, Multimedia, Pikturë, Trashëgimi Kulturore dhe Regji. Nertili tregon se ka zgjedhur të studiojë për profilin Multimedia, për shkak se kjo fushë përbën interesin e tij kryesor.

“Kur u vura përballë zgjedhjes së një profili, mendova që Multimedia është profili më i përshtatshëm për mua. Krahas pasionit tim për të realizuar video dhe për t’u marrë me fotografinë, mendoj që tregu i punës ka shumë nevojë për profesionistë që mund të krijojnë duke ndërthur mediume të ndryshme komunikimi”, tregon Nertili në lidhje me zgjedhjen e tij.

Ndonëse në vit të parë, Nertili është shumë i motivuar për të punuar në atë që do të jetë profesioni i tij i ardhshëm, ndaj edhe angazhohet herë pas here në projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me vizualen. Ai ishte i pranishëm në këtë Panair Pune për të parë ofertat për punësim ose internship.

“Mendoj se pavarësisht se jam në vitin tim të parë të studimeve, kanë rëndësi punët që kam realizuar deri më tani, të cilat mendoj se janë cilësore. Duke parë mundësinë që ofrohej për të krijuar kontaktet e para me industrinë, mendova ta shfrytëzoj. Në këtë këndvështrimi ky panair më ndihmoi të kuptoja se çfarë kërkonin punëdhënësit nga studentët, si dhe cilat janë pritshmëritë e tyre në raport me ne.”
Nertili është mjaft optimist në lidhje me të ardhmen dhe njëkohësisht ambicioz.

“Do të doja që të nesërmen të bëhesha pjesë e industrisë së filmave Hollivud. Për të arritur synimet e mia po punoj shumë çdo ditë, duke investuar në dije, në projekte dhe duke shfrytëzuar çdo mundësi për të krijuar.”

Roi Vogli: Pasioni i zbuluar për psikologjinë

Student në vitin e dytë për degën Psikologji në Universitetin Europian të Tiranës, ishte gjithashtu pjesëmarrës në Panairin e Punës, për Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, ku ishin të pranishme mbi 40 kompani të profileve të ndryshme, duke filluar që nga mediat, studiot grafike dhe ato reklamuese tek institucionet shtetërore dhe organizatat jofitimprurëse.

Roi Vogli

“Panairi i Punës ishte një mundësi e shkëlqyer për sa i përket degës sime të studimit. Arrita të vendosja kontakte me disa kompani të ndryshme, u interesova në lidhje me ofertat e tyre, mbi të gjitha për sa u përket internshipeve”, tregon Roi.

Ai tregon se për të ky panair ka qenë një mundësi më tepër për të kuptuar se çfarë drejtimi mund të marrë të nesërmen karriera e tij.

“Duke marrë parasysh që jo të gjitha ofertat e kompanive të pranishme do të përputheshin me kërkesat dhe pritshmëritë e mia, sidoqoftë arrita të pikas disa mundësi shumë të mira dhe të krijoja një lidhje fillestare me to, për t’i shfrytëzuar këto kontakte përse jo edhe më vonë. Sidoqoftë ndër arsyet kryesore përse mora pjesë në këtë panair ishte edhe për të kuptuar se si funksionon sot tregu në raport me profesionin tim të ardhshëm, që në këtë mënyrë të krijoja një ide më të qartë se ku duhet të thelloj njohuritë e mia më tej”, shpjegon ai.

Roi është një ndër studentët më aktivë në UET, me angazhimin e tij në klube studentore, por edhe në qeverinë studentore, ku është aktualisht përfaqësues i grupit të tij të studimit.

“Erdha në UET pas kërkimeve të shumta që kam bërë në lidhje me këtë universitet, por edhe programin e studimit që ofronte.

Kjo zgjedhje erdhi me kohën, duke njohur edhe më tepër veten time; çfarë synoj për të ardhmen dhe ku jam më i aftë për të dhënë maksimumin tim”, thotë Roi, i cili tregon se psikologjia për të është një pasion i zbuluar, që nuk ka qenë tek ai që në fillim.

Duke i kushtuar një vëmendje të veçantë përputhshmërisë së pasioneve të tij, me prirjet personale dhe kërkesat e tregut sot, Roi ka kaluar studimet nga Infermieria në Psikologji.

“Për sa i përket asaj që parashikoj për veten në të ardhmen, është pozicionimi te psikologjia ligjore me drejtim ekspertizën ligjore, ku puna fokusohet në gjykata apo institucionet e vuajtjes së dënimit”, tregon Roi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *