Promovimi në UET: Elena Xhina sjell librin “Dritëhijet e një procesi”

Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës libri “Dritëhijet e një procesi” me autore Dr. Elena Xhina. Me një përvojë të gjatë në fushën juridike si avokate, së fundmi edhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Dr. Xhina sjell për lexuesin një këndvështrim mjaft origjinal.
Në botimin e saj ajo sjell një studim i cili ka në fokus trajtimin juridiko-penal të të drejtave të të pandehurit në procesin penal shqiptar. Në një sistem që kërkon të përsoset e me një të shkuar e cila nuk ofron thellime në këtë fushë, studimi “Dritëhijet e një procesi” është një kontribut më shumë në fushën e studimeve shqiptare.
Njohëse e mirë e sistemit, Xhina hulumton kuadrin ligjor mbi të drejtat e të pandehurit, që pas formimit të shtetit të parë shqiptar e deri në risitë ligjore pas vitit 1945, për t’u ndalur në të gjitha etapat e zhvillimit të këtij procesi, i cili sot kërkon të jetë sa më bashkëkohor.
Vetë autorja është shprehur se ideja për të zhvilluar këtë studim ka lindur gjatë eksperiencës së saj të gjatë të punës si avokate, ku ajo është përballur me shumë të pandehur në paraburgim dhe është ndërgjegjësuar mbi problematikat që këta individë hasnin dhe që procedurat krijonin. Ky hulumtim shkencor krahas evidentimit të këtyre problematikave që për fat të keq janë të shumta në numër, ka si synim edhe të sjellë rekomandime dhe zgjidhje për këto çështje.
Puna intensive kërkimore disa vjeçare është finalizuar në këtë punim doktorature.
Për “Dritëhijet e një procesi” është shprehur edhe udhëheqësi i doktoraturës së Znj. Elena Xhina, Prof. Dr. Shefqet Muçi: “Duke evidetuar problematikat dhe rëndësinë e zhvillimeve në fushën e të drejtës penale, Xhina bën një analizë të kujdesshme, duke e quajtur trajtimin e të drejtave të të pandehurit si një pjesë të qenësishme, pa të cilën, ngritja e sistemit të drejtësisë në vend nuk mund të jetë në shkallën e duhur. Punimi përshkohet nga një gjuhë e qartë ku mendimi rrjedh natyrshëm drejt konkluzioneve e rekomandimeve. Parë nën dritën e mbrojtësit të të pandehurit, ky punim na sjell një këndvështrim të ri për procesin penal. Tashmë sfidat e një brezi të ri studiuesish dhe profesionistësh në fushën juridike, nuk janë vetëm në njohjen e legjistlacionit por edhe në përafrimin e tij sipas të gjitha standardeve të vendeve europiane. Në këtë aspekt ky studim na njeh me një profesioniste që kërkon ta shohë punën e saj të lidhur me drejtësinë me një kërkim të vazhdueshëm njohjesh të reja që e ndihmojnë procesin.”
I pranishëm në këtë promovim ishte edhe Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, deputeti Taulant Balla. Ai u shpreh mjaft pozitiv mbi ndikimin e të tilla botimeve që sipas tij japin kontributin e tyre në përmirësimin e legjistlacionit shqiptar.
“Jemi në një fazë ku po ndahemi nga drejtësia në errësirë dhe po kalojmë në dritën e drejtësisë së re që po lind nga reforma në drejtësi dhe sigurisht punime të tilla shkencore për një dimension shumë të rëndësishëm të së drejtës sikurse është ajo penale, janë të mirëpritura teksa edhe ne në Kuvendin e Shqipërsië gjithmonë duhet të bëjmë përmirësimin e legjistlacionit për ta sjellë atë në linjë me të drejtën Evropiane dhe sigurisht për të respektuar vendimet e Gjykatës Evropiane të të drejtave të Njeriut, e cila në çdo rast ka në kujdesin primar të drejtat e njeriut dhe në rastin në fjalë të drejtat e personave të marrë si të pandehur.”
Elena Xhina mban titullin “Doktor” në Shkencat Juridike, titull i marrë në Unviersitetin Europian të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *