Kolonia V e Artit: Bursa të plota studimi në UET për 10 maturantët artistë

Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Departamentin e Arteve të Aplikuara në UET organizuan për tre ditë, edicionin e pestë të Kolonisë së Artit. 25 maturantë nga e gjithë Shqipëria, të pasionuar në arte pamore, punuan nën mentorshipin e tre mjeshtrave të njohur, Bujar Kapexhiu, Shaqir Veseli dhe Zaim Elezi. UET që finalizoi me sukses përpjekjet për të krijuar Departamentin e Arteve të Aplikuara, ofroi bursa të plota studimi për 10 maturantët më të mirë të kësaj Kolonie Arti.

Është zhvilluar edicioni i pestë i Kolonisë së Artit. Për tre ditë, 25 maturantë nga e gjithë Shqipëria të cilët kanë pasion artet pamore dhe në veçanti pikturën, kanë qenë në mentorshipin e tre mjeshtrave të njohur, Bujar Kapexhiu, Shaqir Veseli dhe Zaim Elezi. Larg zhurmave dhe rrëmujës së qytetit, të frymëzuar nga bukuritë e natyrës, të rinjtë kanë mbushur telajot plot me ngjyra dhe pasion. Teknikat për të realizuar projektet i kanë përzgjedhur vetë, nisur nga parapëlqimet dhe prirjet e tyre ndërkohë që kanë patur mundësinë të zgjerojnë njohuritë e tyre duke marrë leksione mbi artin pamor nga artistët e shquar si dhe kanë realizuar projekte të ndryshme, jo vetëm në natyre por edhe në atelie. Kjo punë intensive ka rezultuar në piktura dhe punime të shumta, të cilat me ngjyrat dhe shprehinë e tyre pasqyrojnë karakterin unik që secili pjesëmarrës shfaqi në këtë edicion të pestë të Kolonisë së Artit. Në përmbyllje, juria profesioniste përzgjodhi 10 maturantë fitues të cilët kanë përfituar bursën “Kadare”, një bursë e plotë studimi në degën Arte Pamore në Universitetin Europian të Tiranës.


Kolonia e Artit është një iniciativë, e ndërmarrë nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Departamentin e Arteve të Aplikuara në UET që synon të krijojë një komunitet të artistëve dhe të sjellë vëmendjen tek arti. Ky organizim është tashmë një traditë, pasi për 4 vjet Kolonia e Artit është zhvilluar me 10 mjeshtra, duke e kthyer atë në një festival dhe ankand të pikturave të tyre për Shqipërinë e mesme. Piktorët të cilët kanë qenë pjesë e Kolonisë së Artit, vijnë nga një traditë e mjeshtri pikturimi por edhe kanë spikatur për modernitetin në skenën e arteve pamore. Edhe këtë vit ndonëse me një risi në formën e organizimit, promovimi i artit mbetet një nga qëllimet kryesore. Universiteti Europian i Tiranës, ka finalizuar me sukses përpjekjet e tij dy vjeçare për të krijuar Departamentin e Arteve të Aplikuara. Ky vit akademik është viti i parë i jetës për këtë departament, i cili ofron shtatë programe, tri në ciklin Bachelor, tri Master dhe një Diplomë Profesionale. Pikërisht kjo arritje, dha shkas për ta parë Koloninë e Artit në një perspektivë të re.

Përgjegjësja e Departamentit të Arteve të Aplikuara, dr. Mirela Oktrova, tregon më tepër në lidhje me këtë organizim.

“Është viti i pestë që Kolonia e Artit organizohet. Në katër vitet e para, ka patur si një prej qëllimeve të veta, krijimin e një bërthame artistësh të arteve pamore, të cilët së bashku me studentët më pas, të tërhiqnin vëmendjen e të gjithë të interesuarve të artit në drejtim të Universitetit Europian të Tiranës me synimin final të hapjes së degëve të artit. Ky vit akademik, e gjen UET me një departament të ri, atë të Arteve të Aplikuara që është pjesë e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale dhe ofron shtatë programe. Tri programe në ciklin Bachelor, tre në Master dhe një Diplomë Profesionale. Për këtë arsye, mënyra e organizimit këtë vit është ndryshe. Sivjet kemi në fokus tre mjeshtra të cilët janë Bujar Kapexhiu, Shaqir Veseli dhe Zaim Elezi, si dhe ata të cilët do të jenë studentët e ardhshëm në degët e artit”, ka treguar dr. Oktrova, e cila shprehet se interesimi i studentëve për të qenë pjesë e këtij organizimi ka qenë mjaft i lartë.

Thirrja për aplikim ka tërhequr vëmendjen e shumë maturantëve nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga shkollat artistike por edhe gjimnazet e përgjithshme.

“Vëmendja në të cilën ka hasur kjo iniciativë ishte e madhe. Kanë aplikuar afro 50 të rinj nga shkollat artistike dhe jo artistike të vendit dhe janë përzgjedhur prej tyre 25. Të rinjtë kanë punuar intensivisht me mjeshtrat për një periudhë treditore, në natyrë dhe në atelie, duke ofruar punime vërtet impresionuese të realizuara në përputhje me parapëlqimet, talentin apo teknikën që kanë zgjedhur ata vetë”, ka thënë Përgjegjësja e Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET.

Ndërkohë që në përmbyllje të Kolonisë së Artit 2018, janë shpërndarë bursat e para “Kadare”, për 10 maturantët fitues.

25 të rinjtë kanë shfaqur një përkushtim të veçantë dhe dëshirë për të mësuar më shumë mbi pasionin e tyre. Të përkushtuar dhe pasionantë kanë qenë edhe tre mjeshtrat e artit, Kapexhiu, Veseli dhe Elezi, të cilët nuk kanë ngurruar në asnjë moment të ndajnë dijet e tyre me të rinjtë, duke i udhëzuar ata përgjatë procesit të punës dhe duke biseduar me ta në lidhje me çdo detaj.

Piktori i njohur Zaim Elezi e vlerësoi mënyrën e re të organizimit të Kolonisë së Artit, dhe e cilësoi këtë edicion si një përpjekje të suksesshme për të mbështetur dhe promovuar artin.

“Ky është një organizim shumë i zgjuar, në disa plane. Mendoj se impakti më i madh është tek ajo çfarë përcillet, tek interesimi i nxënësve, dhe sasia dhe cilësia e tyre në këtë aktivitet ka qenë për të mos u harruar. Sigurisht që shtohet si meritë e Universitetit Europian të Tiranës, i cili është nismëtar, organizator mbështetës deri në fund. Është mjaft e bukur ndjesia që përftohet kur sheh bashkë këta nxënës. Gara e brendshme që i karakterizoi ishte një garë jashtëzakonisht e bukur, pasi nuk ishte e vrazhdë si një konkurs. Ishte një garë e butë dhe e dëshiruar sa vërtet nxënësit pjesëmarrës rezultuan realisht të kënaqur dhe kjo u reflektua kur u shpallën fituesit. Nuk pati asnjë lloj kontestimi dhe mënyra si u ‘përtyp’ nga pjesëmarrësit ishte perfekte. Pikërisht për këtë arsye, se arsyen se edhe numri i të përzgjedhurve për bursa, në raport me numrin e pjesëmarrësve nuk ishte i vogël, ishte goxha i madh. Numri i pjesëmarrësve por edhe i bursave të ofruara, tregon për dëshirën që universiteti për të mbështetur talentet, për t’i përkrahur dhe ndihmuar ata”, ka thënë Elezi.

Piktori, regjisori dhe animatori i njohur, Shaqir Veseli u shpreh se mënyra e sivjetshme e organizimit të Kolonisë së Artit, ishte një risi që kontribuon më së miri në qëllimin kryesor, atë të promovimit dhe mbështetjes së artit dhe artistëve.

“Për mendimin tim pikërisht risia në organizimin ishte pjesa më e rëndësishme e Kolonisë së Artit këtë vit, edhe i përket zhvillimit edhe për sa i përket qëllimit. Ishte kjo pikërisht kjo mënyrë organizimi që e përcaktoi elementet e karakterit të kësaj kolonie. Thirrja e kontingjentit të maturantëve në Koloninë e Artit, mënyra se u konceptua e gjitha në mënyrë që ata të ambientohen me një punë kolektive, ishte pjesa më e mirë dhe frytdhënëse. Elementet e tjera mendoj janë të ngjashëm me organizimet e shkuara por ky ndryshim, prania e nxënësve, bëri që dhe rezultati të ishte mjaft i konsiderueshëm”.

Për profesorin e nderuar Bujar Kapexhiu, i cili ka qenë pjesë e organizimit të edicioneve të kaluara të Kolonisë së Artit, ky vit është menduar të vijë ndryshe, pikërisht për shkak të hapjes së degëve të Artit në UET.

“Ne e kemi filluar Koloninë e Artit në Universitetin Europian të Tiranës para pesë vitesh. Këtë vit është parë në një formë tjetër. Meqë në UET janë hapur degët e artit, menduam që Koloninë ta organizojmë jo më me profesionistë të cilët kanë mbaruar Akademinë e Arteve dhe janë piktorë të shquar, por me ata të cilët do të jenë studentët e ardhshëm të degës së Artit Pamor. U bë një ftesë e përgjithshme për maturantët ku erdhën mbi 50 kërkesa, u seleksionuan dhe arritën në 25 nxënës të cilët u grumbulluan në një qendër ku për tre ditë rresht punuan në natyrë dhe atelie me teknika të ndryshme. Nga këto 25 u bë një riseleksionim, që ishte shumë e vështirë, por megjithatë komisioni vendosi për 10 më të mirët të cilët fituan një bursë studimi. E gjithë puna u karakterizua nga një pasion i madh, maturantët u ndoqën nga piktorët profesionistë dhe në çdo seancë bëmë biseda personale për mbarëvajtjen e punës. Si të arrijmë deri te detajet më të vogla. Ky treditësh në koloni ishte një bazë për të marrë njohuri fillestare për të ardhmen. Jam i sigurt që studentëve i është shtuar dëshira për të vazhduar artet pamore dhe jam i sigurt që do jenë një kontingjent i vlefshëm në vitin tjetër për degën Arte Pamore në UET”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *