Ferit Duka

Prof. Dr. Ferit Duka

25.01.1995: “Doktor i Shkencave”
Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë 11.01.1997: “Mjeshtër Kërkimesh” (Profesor i Asociuar);  Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë 28.01.2004: “Profesor Doktor” Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë.
Prof. Dr. Ferit Duka e ka përqendruar punën e tij studimore në lëmin e historisë së shqiptarëve. Kërkimet e Prof. Dukës kanë qenë të orientuara pikësëpari në çështje të tilla të rëndësishme si qyteti shqiptar dhe tiparet e zhvillimit të tij pas vendosjes së sundimit osman në tokat shqiptare, ndryshimet në strukturën fetare të shoqërisë shqiptare gjatë shekujve osmanë, komunitetet joshqiptare (veçanërisht hebrenjtë) që kanë banuar në pjesë të veçanta të kësaj hapësire, etj. Frut i këtyre hulumtimeve shumëvjeçare në tematikën e sipërshënuar janë një varg studimesh si monografi apo vepra me bashkautorësi, artikuj studimorë, kumtesa, etj., të botuara brenda ose jashtë Shqipërisë. Rezultatet e studimeve të tij ai i ka komunikuar në tubime të rëndësishme shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Paralelisht me punën studimore, Prof. Duka ka zhvilluar periodikisht ekspedita kërkimore në arkivat dhe bibliotekat e Turqisë dhe vendeve perëndimore, gjë që i ka dhënë mundësinë që të ketë në disponim një bazë burimore adekuate dhe të pazëvendësueshme për studimet e tij. Puna e tij kërkimore ka qenë dhe mbetet e lidhur ngushtë me mësimdhënien në Universitetin Europian të Tiranës. Jo vetëm që mban kurse të rregullta në auditor, por ai udhëheq rregullisht diploma të nivelit universitar, disertacione të niveleve të Masterit dhe të Doktoratës, nga Shqipëria dhe nga Kosova.
Pjesë e rëndësishme e angazhimeve intelektuale dhe akademike të Prof. Ferit Dukës ka qenë edhe pjesëmarrja në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, sikurse janë ato që lidhen me tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar në Shqipëri dhe në rajon, nismat ndërkombëtare për përmirësimin e teksteve shkollore të historisë, projektet për ruajtjen dhe shpalosjen e trashëgimisë kulturore në arealin shqiptar dhe ballkanik, etj.