‘Dita e Sipërmarrjes në UET’, Balliu: Si lindi marka e kafeneve ‘Mon Cheri’

Dita e sipërmarrjes në UET synon që të frymëzojë të rinjtë të besojnë tek idetë e tyre dhe për t’i nxitë ata që të ndërmarrin hapa për t’i konkretizuar ato. Në këtë kuadër, të ftuarit në këtë organizim janë gjithnjë një shembull i mirë për studentët, duke ndarë me ta historitë e tyre të suksesit, fillimin, vështirësitë, sfidat por edhe përkushtimin dhe punën e palodhur. Julian Balliu, i ftuar në këtë edicion të pestë të “Ditës së Sipërmarrjes” në UET është një ndër të rinjtë e talentuar të vendit që rrugëtimin e tij e ka nisur me një biznes bar-kafe dhe që gradualisht është shndërruar në një rrjet. Me ekzistencën në treg prej thuajse 11 vitesh rrjeti “Mon Cheri” është tashmë pjesë Balliu Group, i cili përbëhet edhe nga disa biznese të tjera që po zgjerohen dita-ditës edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Administratori i rrjetit të kafeneve “Mon Cheri” Coffee Shop, tregon se si ky biznes lindi spontanisht dhe si ia ka dalë mbanë të kthehet në një markë shqiptare të mirëfilltë. Kjo markë sapo ka filluar të korrë sukseset e para edhe në tregun europian.

Për të qenë i sinqertë nuk e kishim menduar se ky biznes do zhvillohej në këtë kontekst. Ne kishim një ambient të familjes, i cili ishte dhënë me qira dhe po keqmenaxhohej në atë periudhë nga personi që e kishte marrë në përdorim dhe menduam që të zhvillonim diçka vetë. Në familje kishim patur aktivitete biznesi më parë, por në atë moment nuk po merreshim me diçka të tillë. Kështu vendosëm që të bënim një bar-kafe në pronën tonë. Në fillimet tona ç’është e vërteta nuk e kishim menduar ndonjëherë që ne do ta zhvillonim ‘Mon Cheri’ në këtë lloj ritmi dhe në këtë stad që ka arritur tani, tregon Juliani.

Bashkëthemeluesi i Mon Cheri dhe administratori i saj, Julian Balliu, rrëfen se ideja për ta shndërruar këtë sipërmarrje në rrjet nuk ka lindur që në fillim të kësaj iniciative. Në fillimet tona nuk e kishim konceptuar që ‘Mon Cheri’ do të arrinte në këtë lloj niveli, gjithsesi ne për nga natyra tentojmë t’i zhvillojmë gjërat shumë dhe pozitivisht. Jemi energjikë dhe gjatë gjithë kohës mendojmë se si t’i zgjidhim gjërat në këtë sens. Procesi i krijimit të një Coffee Shop Company lindur teksa hapej pika e tretë, momenti kur ne vazhduam të krijonim pika me të njejtin emër. Me hapjen e pikës së tretë filluam të mendonim konkretisht se si do të ishte rrugëtimi në një plan afatgjatë i Mon Cheri-së dhe aty lindi procesi i një rrjeti i cili përpos emrit që duhet të vazhdonte në çdo pikë, duhet patjetër të shfaqte profilin e një biznesi i cili duhet të transmetonte diçka ndryshe në treg. Duhet të ofronte produkte dhe shërbime më të mira se ato çka ne shikonim se po bëheshin jo aq mirë në këtë sektor, shprehet administratori i Mon Cheri.

Nuk kanë qenë të pakta sfidat dhe vështirësitë që kanë shoqëruar edhe krijimin e rrjetit Mon Cheri, veçanërisht për të arritur në stadin ku ky biznes është tashmë në një markë. Nuk ka qenë e lehtë të zhvilloje këtë biznes. Për këtë janë marrë shumë veprime gjatë gjithë viteve, nga fillimi dhe në vazhdimësi në kuptimin e strukturimit dhe përmirësimit të çdo elementi për sa i përket këtij biznesi. Hapat kryesorë, siç edhe kanë rrjedhur në kuptimin historik të ngjarjeve, kanë qenë fakti që ne vendosëm të krijonim një rrjet. E dyta, që të kishte një karakteristikë të dallueshme nga të tjerët. Të ofronim produkte dhe shërbime të cilat ishin ndryshe, të theksohej koncepti i vetëshërbimit, koncepti i produkteve të cilat targetonin njerëz të rinj, dinamikë, në lëvizje. Një element tjetër ka qenë stafi. Vështirësitë e para kanë qenë kryesisht me rritjen e një strukture të burimeve njerëzore sa më të mirë. Të punësonim kryesisht staf me femra, t’i bënim atyre pagesa më të mira, t’i bënim kontratat e punës, t’i ofronim ato benefite që mungonin në treg në atë kohë dhe t’i kthenim në faktor force.

Me profesion arkitekt, Julian Balliu së bashku me vëllain e tij, ia kanë dalë mbanë që idetë e tyre sipërmarrëse, falë strategjive të suksesshme dhe dëshirës për të sjellë për tregun shqiptar produkte ndryshe, t’i japin trajtën e një grupi i cili në përbërjen e tij ka disa biznese të tilla si NOVA, Papa’s Bakery, SmartLine, Artisan etj. Grupi Balliu tashmë ka hapur biznese në Shqipëri, Kosovë, Hungari dhe pritet që filialet të zgjerohen edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi. Një shembull i mirëfilltë suksesi që dëshmon se ndonjëherë mjafton të hedhësh hapin e parë për të realizuar idenë tënde dhe gjithçka tjetër zhvillohet natyrshëm më vonë nëse dëshira për të punuar është atje.

I pyetur se cila do të ishte këshilla e tij për të gjithë ata të rinj që mendojnë të bëhen pjesë e botës së biznesit, Juliani përgjigjet: Nisur nga eksperienca tashmë do thoja që është shumë e nevojshme për më shumë guxim. Gjërat ndonjëherë janë më të thjeshta se ç’duken. Është shumë e rëndësishme të zgjedhësh sektorë në të cilët mund të kesh aftësi dhe njohje të mirë, ku ti mund të shfrytëzosh eksperiencën tënde personale. Jam i bindjes se pak më shumë guxim do ndihmonte këdo dhe se gjërat shpesh janë më të thjeshta nga ç’duken dhe për ata që e shohin gotën gjysmë plot, gjithmonë ka vend për të përmirësuar gjërat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *