Dita e parë në auditor/ Historia e një pedagogu empatik

Historiani dhe akademiku i njohur, Prof. Ferit Duka, Rektori i parë i Universitetit Europian të Tiranës, rrëfen emocionet dhe momentet më të rëndësishme që e kanë shoqëruar si pedagog nga dita e tij e parë deri sot.

Fill pas përfundimit të fakultetit ai u emërua pranë Arkivit Qendror Shtetëror si punonjës shkencor që merrej me dokumentacionin osman që ruhej në këtë arkiv. Ky do të ishte hapi i parë, i cili i dha mundësinë për të vendosur bazat e karrierës së pasur si historian, studiues dhe akademik. Kështu, Prof. Dr. Ferit Duka, një personalitet në fushën e studimit të historisë, qëndroi për gati tri vite në këtë institucion, për të kaluar më pas në Akademinë e Shkencave, në Institutin e Historisë. Përsëri në detyrën e punonjësit shkencor, këtë herë në sektorin e mesjetës dhe periudhës osmane, një eksperiencë të cilën ai e thekson si tepër të vlefshme edhe për shkak se ka pasur rastin të punojë me figura të mëdha të shkencës historike dhe albanologjisë, si profesor Aleks Buda, profesor Stefanaq Pollo, profesor Kristo Frashëri etj., prej të cilëve rrëfen se ka mësuar shumë.

“Puna në institut ka qenë për mua një universitet i dytë”, shprehet Duka.
Nëse dikush e kërkonte, me siguri do ta gjente ose pranë bibliotekës së institutit, ose në zyrë ose në Bibliotekën Kombëtare. Ishte i përkushtuar dhe i palodhur në punën e tij. Këshillat dhe sugjerimet e profesorëve dhe puna e tij pa orar dhe plot përkushtim, e kanë ndikuar profesor Dukën, në mënyrë përcaktuese në formimin e tij, qoftë intelektual, qoftë shkencor, historik apo edhe filozofik.
“Unë jam krenar për vitet e para të karrierës sime. Kam qenë me fat që kam punuar në institucione prestigjioze, kam qenë me fat që kam punuar pranë dijetarëve dhe profesorëve të shquar të vendit tonë, të shquar edhe në nivel europian. Kam qenë shumë i dedikuar dhe kam pasur një pasion të madh për historinë. Këshillat sugjerimet, mësimet që më kanë dhënë profesorët e ndjerë, u bënë faktorë përcaktues për formimin tim intelektual dhe shkencor.”

Në vitet ’80, profesor Ferit Duka, kreu disa vite specializimin në fushën e osmanologjisë dhe turkologjisë, në Universitetin e Ankarasë dhe Stambollit në Turqi.

“Unë natyrisht që me përkushtimin më të madh i jam vënë punës studimore, sepse studimi në Turqi, përveçse të mësuarit në fushën e osmanologjisë dhe turkologjisë, më ka dhënë mundësinë e rrallë që për një pjesë kohe të kërkoj në arkivat e Stambollit dhe të Ankarasë. Të gjej atje dokumente të çmuara për historinë e vendit tonë në periudhën osmane dhe në këtë mënyrë të fitoj një përgatitje të shëndoshë edhe nga pikëpamja e paleografisë dhe diplomatikës osmane”, tregon Duka.

Suksesi në auditor

Sigurisht që ai u kthye nga Turqia me një bagazh të konsiderueshëm dijesh në fushën e Historisë, dhe për më tepër e gjithë eksperienca e pasur në vitet e shkuara, në dy institucione të rëndësishme shtetërore si ai i Arkivit Qendror Shtetëror dhe Akademisë së Shkencave, si dhe shembulli që kishte marrë ndër vite nga profesorët e nderuar, e pajisën atë me aftësitë e duhura për të qenë një lektor i denjë. Me këto baza të forta, Prof. Dr. Ferit Duka u bë pjesë e botës së akademisë, si pedagog i Historisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Universitetin e Tiranës në vitin 1995. Ndonëse shkonte në auditorë me një nivel formimi të lakmueshëm, rrëfen se dita e parë e leksionit ishte një ditë shumë emocionuese.
“Pa dyshim ora e parë në auditor për mua ka qenë e mbushur me emocione. Pavarësisht se unë shkoja me këtë bagazh. Shkoja me disa premisa që ma bënin më të lehtë komunikimin në auditor. Përgatitja profesionale, formimi kulturor i shëndoshë të çojnë në auditor me disa ‘armë’ të forta. Por nuk është kjo e gjitha. Kisha dëgjuar edhe më parë, që edhe kërkues shumë të mirë, të nivelit të lartë apo studiues të njohur, kishin dështuar në auditor, sepse puna pedagogjike është më tepër se kaq.”
Puna pedagogjike shkon përtej përgatitjes profesionale apo formimit kulturor, të cilat pa diskutim janë kushte bazë, por siç tregon Duka, përtej këtyre cilësive, kërkon aftësi të veçanta në komunikim me të tjerët.

“Është një mjeshtëri komunikimi. Nëse ti nuk je i aftë të komunikosh në auditor atë që ti ke në kokë sigurisht që dështon. Nëse ti nuk vendos një raport të caktuar me atë që ke përballë, që është studenti dhe nëse ti nuk kupton botën e studentëve, nuk kupton natyrën e tyre, nuk kupton kërkesat e tyre, padyshim që ti ke përgatitur dështimin tënd në auditor, pavarësisht nga të tjerat …”

Për pedagogun, është e rëndësishme që të ketë formim të shëndoshë kulturor dhe profesional, por njëkohësisht çfarë bën diferencën është mënyra se si ai transmeton dijet e tij tek auditori. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, profesor Duka rrëfen se ishte i ngarkuar me emocione orën e tij të parë, e cila pavarësisht gjithçkaje, shkoi ashtu siç duhej.

“Atëherë kam pasur parasysh vetëm një gjë: që të komunikoja qartë, me zë të mjaftueshëm për të gjitha cepat e auditorit. Duke qenë kështu, që në orën e parë, atëherë seanca ishte treorëshe, krahas emocioneve që pata, fitova dhe një farë besimi në vete. E para, sepse studentët nuk më bënë zhurmë … që ishte një indikator i parë, i cili tregonte që e kisha kaluar provën me sukses; e dyta, sepse shihja një farë interesimi në sytë e tyre. Shihja një ndjekje me kujdes të ligjërimit tim. Ajo që më inkurajoi më shumë ishte fakti se pesë minutat e fundit që unë i lashë për pyetje, këtë e kisha mësuar gjatë kohës në Turqi, fillova të ndiej kënaqësi që studentët jo vetëm e kishin kuptuar leksionin tim, por u ishte zgjuar kureshtja, kishin dëshirë bënin pyetje, komente”, thotë ai.

Si çdo fillim i ri, që përbën emocion për shumëkënd, edhe kjo orë e parë ishte e tillë për profesorin e nderuar, i cili kujton se pavarësisht pasigurisë, ajo u shndërrua në një motivim për vijueshmërinë në mësimdhënie.

“Ora e parë, përkundrejt pritshmërive, në fakt më dha një kënaqësi të madhe. Shërbeu që dy orët e tjera vijuese, jo të lodhem, por të mos i ndiej më. Të fitoj besimin e duhur te studentët, dhe që nga ajo kohë komunikimi im me auditorin nuk ka pasur probleme. Përkundrazi, jam kujdesur që në radhë të parë të jem i rregullt vetë dhe të kërkoj nga vetja shumë. Në përgjithësi kam vendosur një raport të drejtë, miqësor, të afërt me studentin. Përpiqem ta fuqizoj këtë karakteristikë të marrëdhënies sime me auditorin dhe ta kem gjithnjë parasysh.”

Duke vijuar të jetë një pedagog i respektuar nga auditori dhe i vlerësuar edhe sot që flasim, profesor Ferit Duka tregon mbi filozofinë e tij të mësimdhënies.
“Ajo që është e rëndësishme për mua është ideja që studentin që ke përballë ta konsiderosh në një farë mënyre si fëmijën tënd dhe të kesh sjellje ndaj tij që respektojnë çdo gjë nga personaliteti i tij. Që të marrësh seriozisht çdo kërkesë, çdo vërejtje, çdo koment që ka studenti. Dhe në këtë mënyrë unë besoj që besimi i studentit është fituar. Po e pati fituar besimin e studentit, është vështirë që pedagogu të dalë i zhgënjyer nga auditori.”

Rektori i parë i UET
Prof. Dr. Ferit Duka është pjesë e historisë së Universitetit Europian të Tiranës, që prej themelimit. Ai është rektori i parë i UET. Në lidhje me këtë eksperiencë ai tregon: “Që nga 2006-a kur UET u themelua, dhe unë isha rektori i parë i universitetit, i gjithë ekipi është kujdesur që universiteti të ngrihet mbi baza të shëndosha. Kjo, pasi ne e dimë që çdo gjë, po të ketë themelin e shëndoshë ka garanci të jetë e qëndrueshme dhe të ecë përpara … Me kujdesin tonë që projekti të fuqizohet dhe të marrë tiparet e një universiteti të vërtetë nga të gjitha aspektet, të marrë gjërat më të mira nga eksperienca perëndimore, përpjekja për një mjedis sa më të mirë për studentët, vendosja e studentit në epiqendër … Kur vë re që UET, sot pas 13 vitesh, ka marrë këtë pamje që ka marrë, nga një universitet atëherë modest në një universitet sot polivalent, me shumë degë, me shumë fakultete, padyshim është një kënaqësi e veçantë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *