Bursa dhe Financim

Apliko për Bursa

Universiteti Europian i Tiranës vendos çdo vit një numër të caktuar bursash në dispozicion për studentët. Aktualisht në UET mbi 500 studentë janë përfitues të bursave të plota ose të pjesshme.

Bursat e Ekselencës
Ne nxisim dhe ndihmojmë me bursa studentët e shkëlqyer. Në përputhje me rezultatet e vitit paraardhës, çdo vit jepen bursa për studentët e shkëlqyer. Bursat e Ekselencës përveçse vlerësojnë arritjet e studentëve, nxisin edhe konkurrencën në dobi të rritjes së nivelit të përgatitjes së studentëve.

Bursa Talenti
Jemi në krah të studentëve që tregojnë se kanë prirje dhe arrijnë të spikatin në fusha të ndryshme si: arti, politika, sporti dhe shkenca. Për të stimuluar punën dhe përkushtimin e tyre, UET akordon Bursat e Talentit që u vijnë në ndihmë të rinjve të talentuar.

Bursa Sociale
Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që grupe të caktuara hasin në realizimin e studimeve universitare. Kontributin tonë karshi shoqërisë mundohemi ta japim duke akorduar Bursa Sociale për shtresat në nevojë, ndonjëherë edhe në bashkëpunim me aktorë të tjerë shoqërorë dhe institucionalë.

Bursa lidershipi
Ne besojmë se ndryshimet e shoqërisë do të vijnë nga të rinjtë aktivë që angazhohen dhe dinë të angazhojnë të tjerë. Të rinjtë që kanë treguar se kanë aftësi lideri dhe që duan të përfshihen akoma më shumë në zhvillimin e shoqërisë UET-i i mbështet duke u ofruar Bursën e Lidershipit.

Bursa “Pashko”
Bursa “Pashko” është një bursë e veçantë që bazohet mbi dy kritere: ekselencën dhe problemet sociale. Duke besuar se talentet dhe përkushtimi për arsimimin duhen mbështetur, që të ecin përpara, kjo bursë u vjen në ndihmë pikërisht të rinjve ekselentë në mësime, por që s’kanë mundësi financiare për të përballuar shkollimin në universitet ose kanë një histori familjare të vështirë.

Ndërkohë që Universiteti Europian i Tiranës bëhet universiteti i parë privat, i cili do të hapë të gjithë gamën e degëve të shkencave humane dhe sociale, edhe pse shpesh ato janë të vështira në treg për t’u financuar nga përdoruesit. Për këtë qëllim, një kontingjent bursash i është dedikuar promovimit të këtyre degëve me anë të bursave apo gjysmëbursave në degë të tilla, si: filozofia, antropologjia, sociologjia, letërsia, gjuha, artet, historia, studimet religjioze etj., pra të gjitha degët sokratike.

Apliko për Bursë!

Këtë vit Universiteti Europian i Tiranës do të ofrojë 500 bursa në total për studentët, duke marrë për bazë përkushtimin e tyre karshi studimit.

Kriteret e Aplikimit

  • Për Bursë Ekselence – Lista e notave
  • Për Bursë Talenti & Lidershipi – CV artististike, dëshmi angazhimi shoqërore dhe politik, bashkëngjitur certifikatat apo dokumentacione të tjera përkatëse
  • Për Bursë Promovimi Social – Çertifikatë familjare, dokumentin që vërteton statusin e vecantë social (pension, papunësi, invaliditet, të ardhura të pamjaftueshme, etj.)
  • Për Bursë “Pashko” – Lista e notave, dokumente të cilat vërtetojnë pamundësinë ekonomike për të ndjekur studimet e larta

Kriteret e ri-aplikimit
I. Plotësimi i detyrimeve të orëve të punës të studentit bursistë (bursë e plotë – 150 orë; gjysëm burse – 75 orë shërbimi; ¾ e bursës – 100 orë shërbimi). Kjo provuar nga process verbali i mbajtur për çdo student bursistë gjatë vitit akademik.
II. Ruajtja e mesatares (bursa sociale & talenti – mesatarja mbi 7; bursa e ekselencës – ruajtja e mesatares më të cilën aprovohet bursa; bursa lidership-i – mesatarja mbi 8). Kjo provuar nga fisha e notave që studentët do të marrin në përfundim të vitit akademik

Financimi i studimeve në UET

Dekada e dytë e gjen Universitetin Europian të Tiranës me dy fakultete të shtuara si edhe tre fakultetet ekzistuese të riorganizuara në strukturë dhe përmbajtje. Me degë të reja dhe mundësi të shumta zgjedhjeje, si dhe diploma profesionale të cilat janë risi për këtë vit akademik, UET vjen me mundësi të shumta për studim, jo vetëm për shumëllojshmërinë e profileve të studimit por edhe në çështjet e tarifave, pasi këto të fundit fillojnë që nga 625 Euro.

Tarifat e reduktuara ofrohen për një shumësi degësh, nga të pesta fakultetet, me qëllim promovimin e tyre. Universiteti Europian i Tiranës duke ofruar mundësinë e financimit të studimeve për të gjithë individët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta pranë këtij universiteti e bën këtë universitet të aksesueshëm për të gjitha shtresat sociale. Financimi në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë dhe do të përfshijë vetëm shlyerjen e tarifës së studimit në degën përkatëse duke e përcaktuar vetë studenti tarifën mujore që do të paguajë, si dhe kohën për atë që dëshiron të përfitojë këtë financim. Normat e interesit do të mbulohen 100% nga Universiteti Europian i Tiranës për secilin individ.

UET është përpjekur, gjatë gjithë 10 viteve të tij në tregun arsimor, të akomodojë çdo kërkesë nëpërmjet metodave të ndryshme menaxheriale. Por kjo gjë, jo gjithmonë ka qenë e mundur për këdo. Falë mundësive që UET ofron me financimin e studimeve, ky institucion mund të akomodojë 100% të kërkesave. Tashmë, kushdo e ka mundësinë të studiojë në UET, në kushte shumë të përshtatshme. Financimi i studimeve është mundësia më e mirë që të gjithë të mund të përfitojnë një arsimim cilësor.