Aleksandër Dhima, mjeku që u bë antropolog

Elda Dedja

Antropologu i parë shqiptar, Prof. Dr. Aleksandër Dhima, rrëfen se cila ka qenë dita e tij e parë në auditor, si lektor.

Ishte shtator i vitit 1972, kur në Tiranë u organizua për herë të parë Kuvendi i Studimeve Ilire. Pjesë e kësaj konference do të ishte edhe një student i ri, i sapodiplomuar në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme. Në këtë Kuvend u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi për studimet e shkencave albanologjike dhe u kërkua që me arritjet që kishin gjuhësia, arkeologjia, historia, etnografia, edhe Shqipëria të kishte të paktën një antropolog. Privilegjin për të qenë antropologu i parë shqiptar e pati pikërisht ai student që sapo ishte diplomuar për Mjekësi.

Veprimtaria akademike
Aleksandër Dhima, antropologu më i njohur shqiptar, që së fundmi ka marrë edhe titullin “Profesor emeritus” në Universitetin Europian të Tiranës, rrëfen se si u bë pjesë e botës akademike.
“Kur mbarova vitin e fundit në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin ’72, u zhvillua Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, që ishte një kulm në trajtimin e problemeve të etnogjenezës shqiptare. Nuk kishte të bënte me mjekësinë, por me një problem madhor të shkencave albanologjike. Pikërisht në këtë Kuvend u kërkua që Shqipëria të kishte të paktën një antropolog. Unë kam pasur privilegjin të jem antropologu i parë në Shqipëri. Fillimisht meqenëse kisha një formim nga mjekësia, u mora me ndjekjen e gjetjeve skelektike, skeleteve njerëzore që dilnin nga gërmimet arkeologjike, sepse kjo ishte edhe më afër profilit tim”, tregon Prof. Dr. Dhima.

Me kalimin e kohës fushat e tij të ekspertizës u zgjeruan. Duke studiuar për histori, etnografinë, arkeologjinë dhe duke zgjeruar kërkimet në një sërë drejtimesh, u bë i mundur kalimi edhe në disiplina të tjera të antropologjisë.

Dita e parë në akademi daton në vitin 1985. Siç rrëfen profesor Dhima, u bë shkak një ftesë për mësimdhënie, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, për të zhvilluar një cikël leksionesh në paleontologjinë humane.

“Dita ime e parë në mësimdhënie daton shumë herët, që në vitet ’85. Ndërkohë unë kisha një përgatitje teorike mbas specializimit të parë në Kinë, për paleoantropologjinë humane, për studimin e skeleteve të epokave të vjetra. Duke punuar bashkë me arkeologët i isha kushtuar akademisë në kuptimin shkencor të fjalës, kur më erdhi një ftesë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, në katedrën e gjenetikës, për të dhënë një cikël leksionesh me paleontologjinë humane.”

Natyrisht duke mos pasur shumë njohuri nga didaktika, nga teknikat e mësimdhënies, fillimi ka qenë disi i vështirë, por profesor Aleksandër Dhima tregon se Muzeu i Shkencave të Natyrës, si dhe mjete të tjera didaktike të sjella nga Kina, e ndihmuan për ta zhvilluar më tej këtë kurs.

Ftesa e dytë për mësimdhënie i ka ardhur nga Fakulteti i Shkencave Sociale për një kurs të antropologjisë sociale, ndërkohë që kish bërë disa specializime të tjera afatshkurtra.

Eksperienca në Gjermani, për studimet e tij postdoktorale, tregon se e ka ndihmuar shumë në formimin e tij edhe si lektor, me metoda të reja dhe interaktive.

“Më ndihmoi shumë metoda e punës gjatë qëndrimit tim në Gjermani për mbrojtjen e temës pasdoktorale, ku isha i angazhuar në Institutin e Antropologjisë pranë Universitetit të Mainz, Gjermani. Atje vetvetiu ndiqja kurset krahas punës sime individuale shkencore, më interesonin dhe kurset e pedagogëve, që ishin njëkohësisht profesorë të Institutit dhe jepnin lëndë të ndryshme në sferën e antropologjisë. Pata rastin të njihem me një pjesë të diplomave më të mira që punonin studentët e Fakultetit të Shkencave Humane, të Departamentit të Antropologjisë, kështu që kjo më dha një mundësi të re. Jo thjesht në mësimdhënie, por edhe në mënyrën e prezantimit të materialeve, me përvoja nga veprimtaria ime shkencore e përditshme.”

Tashmë profesor Dhima gjendet i pozicionuar si pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, ku edhe është nderuar me titullin “Profesor emeritus”.

“Momenti i tretë në pikëpamjet akademisë, lidhet me angazhimin tim si pedagog dhe më vonë si përgjegjës lëndësh të antropologjisë në UET, ku edhe sfera e veprimtarisë sime mësimdhënëse u zgjerua relativisht më tepër duke përfshirë jo vetëm antropologjinë social-kulturore, por edhe antropologjinë e ligjit, antropologjinë e sistemeve social-kulturore, etnografinë etj. Në fazën e tretë kemi një diversifikim të akademisë për sa i përket veprimtarisë sime pedagogjike, përveç punës sime shkencore dhe kjo më ka dhënë një kënaqësi shumë të madhe, sidomos edhe në sajë të bashkëpunimit me kolegët e tjerë të universitetit.”

Me hapjen e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në UET, profesor Dhima i rikthehet në një farë mënyre profesionit të tij të vjetër, pasi tashmë ai është pedagog edhe për lëndën Anatomi normale, për të cilën tregon se është një përgjegjësi që e vlerëson shumë.

“Është një lëndë që e jap me dëshirë, për shkak se unë gjithë kohës jam marrë dhe kam punuar shumë me skeletet e epokave të vjetra dhe sepse në një farë mënyrë iu riktheva zanatit tim. Kjo është një sfidë e re për mua, në pikëpamjen shkencore dhe pedagogjike, për të rinovuar mësimdhënien në një sferë që unë e njoh shumë mirë”, rrëfen ai.

Ndonëse kanë kaluar shumë vite që nga dita e parë në auditor si lektor, Dhima vazhdon të jetë një pedagog me cilësi të jashtëzakonshme, i vlerësuar jo vetëm nga bota akademike shqiptare, por edhe ajo ndërkombëtare. Është thuajse e pamundur që të takosh një student të Prof. Dr. Aleksandër Dhimës, që të mos e vlerësojë atë për përgatitjen e shkëlqyer dhe atmosferën që krijon në auditor.
“Kam pasur një lloj veçantie në mësimdhënie, edhe atëherë, edhe sot e kësaj dite unë në përgjithësi jam i hapur ndaj studentëve dhe pranoj çdo lloj vërejtje dhe çdo lloj bashkëbisedimi. Ehe kur bëj seminare sot e kësaj dite mundohem t’i angazhoj sa më tepër të jetë e mundur studentët në debate, në diskutime dhe kjo gjë ka ndodhur me sa mbaj mend edhe në fazat e para të mësimdhënies”, rrëfen Dhima.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *