Klubet studentore në UET: Risitë në organizim dhe mundësitë e shtuara të zgjedhjes

Universiteti Europian i Tiranës vjen këtë vit të ri akademik jo thjesht me një risi në strukturimin dhe zgjerimin e ofertës së tij akademike, por edhe në një riorganizim të jetës studentore. Më tepër dinamizëm, kreativitet dhe argëtim për studentët e të pesta fakulteteve të UET.

Pjesëmarrja në universitet sjell shumë aspekte të reja dhe tranzicion në jetën e një të riu, duke përfshirë një nivel të ri të pavarësisë dhe përgjegjësisë. Pavarësisht se ku ata vendosin të ndjekin studimet e tyre të larta, vihen përballë ‘vështirësisë’ së krijimit dhe zhvillimit të miqësive të reja dhe angazhimit në një atmosferë miqësore ndërkohë që punojnë për arritjen e qëllimeve të tyre drejt karrierës. Shumë studentë e gjejnë këtë detyrë më të lehtë duke u bërë pjesë e klubeve dhe organizimeve studentore që përshtaten me interesat, nevojat dhe qëllimet e tyre individuale. Një klub studentor mund të plotësojë disa aspekte të interesit për një student, të tilla si rrjetëzimi për të gjetur për të mësuar më shumë rreth një lënde akademike dhe mundësinë për t’u shoqëruar dhe për t’u takuar me njerëz të rinj.
Universiteti Europian i Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë jetës studentore prej vitesh, në mënyrë që të angazhojë studentët e tij në përfitimin e dijeve dhe aftësimin e mëtejshëm jo vetëm nëpërmjet leksioneve. Janë organizimet të cilat tashmë janë kthyer në traditë, të tilla si forume me të ftuar nga fusha të ndryshme, leksione nga pedagogë të cilët vijnë nga universitete prestigjioze ndërkombëtare por edhe veprimtari të një natyre më relaksuese, si: konkurse, festa, organizime jashtë kampusit etj. Të gjitha këto kanë si synim aktivizimin social dhe nxitjen e lidershipit te të rinjtë, nëpërmjet edukimit. Në këtë kuadër një ndër aspektet më kreative dhe tërheqëse është struktura e klubeve studentore të UET, e cila ofron mundësi të shumta që çdo student të gjejë hapësirën e duhur për të zhvilluar përtej auditorit interesat si dhe pasionet e tij. Me kalimin e viteve këto klube, nën shembujt e universiteteve më prestigjioze anglosaksone, kanë rritur performancën duke tërhequr një numër të madh studentësh në radhët e tyre. Struktura e tyre është e mirëpërcaktuar, duke ndërthurur rolin koordinues të vetë studentëve me atë mbikëqyrës dhe udhëheqës të pedagogëve. Kështu gradualisht ato janë shndërruar në një medium funksional në të cilin çdo i ri mund të shprehë veten dhe promovojë aftësitë e tij ndërpersonale. Shumë klube, të tilla si: Klubi i Debatit, Klubi i Sociologjisë, ai i Vullnetarëve frekuentohen nga shumë studentë, të cilët i vlerësojnë si një mënyrë produktive për të shpenzuar kohën e tyre të lirë. Kjo javë është edhe java në të cilën të gjithë studentët e UET do të kenë mundësinë të regjistrohen në klubet studentore që ata dëshirojnë.
Ky vit akademik është shumë i rëndësishëm në historinë e Universitetit Europian të Tiranës, i cili vjen me një ofertë akademike të ristrukturuar dhe të zgjeruar me 5 fakultete të cilat shtojnë larminë e zgjedhjeve në UET me degët që ofrojnë. Tashmë në korridoret e universitetit “gumëzhijnë” ide dhe këndvështrime të reja, nga fusha akademike të paeksploruara më parë. Kjo “armatë” e re kreativiteti dhe dijesh, i bashkëngjitet asaj të mëparshmes për t’iu shtuar vlera edhe klubeve studentore. Kështu zgjedhjes së studentëve, i shtohen edhe klubet e profileve të degëve të reja duke ofruar plot 15 mundësi zgjedhje.
Dekania e Studentëve, Odeta Cacaj shprehet se klubet studentore janë shumë të rëndësishme për jetën studentore në UET për shkak se synojnë t’i pajisin studentët me aftësitë e domosdoshme që u nevojiten atyre në të ardhmen dhe ta çojnë edukimin e tyre përtej auditorëve të leksionit.
“Një pjesë shumë e rëndësishme e jetës studentore në UET janë edhe klubet të cilat u mundësojnë studentëve të quhen studentë, në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm në aspektin akademik. Këto organizime ofrojnë një hapësirë ndryshe ku të rinjtë mund të përfitojnë një orientim në karrierë si edhe fitimin apo përforcimin e aftësive ndërpersonale dhe një jetë sociale më aktive. Në filozofinë e UET studentët inkurajohen të japin idetë e tyre dhe të jenë kreativë ndaj klubet janë hapësira e ndërtuar posaçërisht që ata të jenë kreativë dhe të vënë në praktikë idetë e tyre”.
Klubet studentore nuk janë vetëm një mënyrë argëtimi apo shpenzimi për kohën e lirë por, gjithashtu, një alternativë interesante për të investuar në dije.
“Tërësia e klubeve studentore në UET, të tillë si Klubi i Sociologjisë, i Artit, i Mendimit Kritik, i Debatit etj., nëpërmjet aktiviteteve që zhvillojnë, bashkëpunimeve me institucione të tjera arsimore apo organizata të njohura, u mundësojnë studentëve përmirësim në shumë aspekte, të përfitojnë aftësi lidershipi, aftësi komunikuese, zhvillim të mendimit kritik etj.”, shprehet Dekania e Studentëve.
Nisur nga kjo javë regjistrimet janë të hapura.
“Duke filluar nga kjo e hënë dhe në vijim, thirrjet për regjistrim janë të hapura dhe studentët mund të bëhen pjesë e klubeve që dëshirojnë falë një procedure mjaft të thjeshtë regjistrimi”.
Është e rëndësishme që një universitet të promovojë dhe mbështesë mendimin kritik, shprehet ajo, ndaj edhe mbështetja e UET do të jetë gjithmonë prezente kur bëhet fjalë për iniciativën e lirë të studentëve.
Sigurisht që mbështetur mbi këto parime studentët janë të angazhuar në krijimin e një mjedisi ideal për veten ndaj edhe organizimi dhe roli koordinues në klube shpesh u përket atyre. Arjol Sako, student i vitit të dytë në degën Financë-Bankë, është Koordinator i Klubeve Studentore në UET. Ai tregon më tepër në lidhje me ndryshimet që vetë studentët kanë menduar të sjellin këtë vit.
“Universiteti Europian i Tiranës sapo ka ristrukturuar ofertën e tij akademike dhe është zgjeruar në pesë fakultete në total. Nisur nga kjo, është menduar edhe një riorganizim i jetës studentore, i cili ka prekur edhe klubet në veçanti. Këtë vit të ri akademik do të funksionojnë në total 15 klube studentore të cilat janë të ndara në bazë të pesë fakulteteve. Janë pikërisht këto organizime të cilat do t’i shtojnë ngjyra dhe energji jetës studentore. Klubet të cilat funksionojnë janë: Klubi i Arteve Pamore, Klubi i librit, Klubi Economicus, Klubi i Menaxhimit dhe i Sipërmarrjes, Klubi i Filozofisë, Klubi Explorer dhe i Sporteve, Klubi i Juristëve të Rinj, Klubi i Vullnetarëve, Klubi Churchill, Klubi i Sociologjisë, Klubi i Psikologjisë, Klubi i IT dhe i Inovacionit, Klubi ‘Go Political’, Klubi Medicus, Klubi i Arkitekturës dhe i Inxhinierive”, tregon Arjoli.
Detyra e tij si Koordinator i Përgjithshëm është të kujdeset që secili klub të jetë aktiv dhe të krijojë ura lidhëse mes pedagogut-mentor dhe studentit-anëtar. Mënyra se si klubet funksionojnë është mjaft e thjeshtë, klubi drejtohet nga një pedagog apo specialist i fushës, si dhe nga koordinatori i klubit i cili është një student.
“Shpeshherë ndodh që informacionet më interesante nuk merren gjatë orëve të leksionit por merren në momentin kur vetë individi përballet me një situatë të caktuar apo kur është në një bashkëbisedim më pak ‘formal’ sesa ai i pedagog-student. Pikërisht, kjo gjë realizohet më së miri në klubet studentore ku praktika është thelbi i funksionimit të secilit klub”, tregon ai, duke vënë theksin në mundësitë që të tilla struktura ofrojnë për të vënë në praktikë dijet teorike.
Kjo është një nga vlerat e shtuara dhe më të rëndësishme; “Klubet studentore janë mundësia më e mirë për ata që universitetin nuk e shohin vetëm si një institucion që u jep një diplomë për të zënë një vend pune, por e shohin më shumë se aq. Një klub është një organizim në të cilin ti mund t’i perfeksionosh arritjet e tua akademike. Është vendi ku studenti mëson në mënyrë interaktive dhe argëtuese. Është vendi ku studenti shihet në një plan shumëdimensional. Klube të tillë si; ‘Economicus’ ku studenti nuk ngelet vetëm me njohurinë e Vlerës në kohë të parasë, por e prek atë kur shkon për të vizituar Bankën e Shqipërisë dhe ku atje mëson pikërisht teknikën bankare. Klubi i Sipërmarrjes dhe i Menaxhimit ku studenti nuk mjaftohet vetëm me njohuritë mbi profesionin e menaxherit, por shkon pikërisht në një kompani ku vrojton drejtimin dhe taktikat menaxheriale. Klubi i juristëve të rinj, ku të gjithë studentët kanë nevojë për disa figura të spikatura nga të cilët ata mësojnë por njëkohësisht frymëzohen për ta dashur akoma më shumë profesionin e jetës së tyre. Kështu me radhë, çdo klub ofron hapësira të shumta për të përmirësuar veten në shumë aspekte”, tregon Arjol Sako.
Risitë këtë vit pritet ta bëjnë jetën studentore shumë më tërheqëse ndaj edhe Koordinatori i Përgjithshëm i Klubeve shprehet mjaft pozitiv: “Janë pikërisht klubet si ‘Medicus’, Klubi i Arkitekturës dhe i Inxhinierive, Klubi ‘Go Political’, Klubi i Arteve Pamore, të cilat janë risi në këtë vit akademik. Shpresoj dhe jam i bindur që energjia, impenjimi dhe dëshira e mirë do të bëjë që këto klube në veçanti dhe të gjitha klubet në përgjithësi do të jenë super aktive dhe tërheqëse. Jeta studentore do të ketë gjallëri dhe do të jetë tepër dinamike”.
Arjoli tregon se si përgjatë viteve studentët kanë zgjedhur të jenë pjesë e shumë klubeve tematika e të cilëve ndoshta nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me profesionin e tyre të ardhshëm.
“Përvoja ka treguar se ka shumë nga ta të cilët zgjedhin të regjistrohen në klube të ndryshme të cilat jo domosdoshmërisht kanë të bëjnë me profesionin e tyre të ardhshëm. Studenti në UET është i lirë që përveç interesave që kanë të bëjnë me profesionin të zhvillojë edhe pasionet e tij, pikërisht duke ndjekur këto klube. Unë personalisht jam i mendimit që profesioni të plotëson në jetë por ndjekja e pasionit të mbush shpirtin. Këtë gjë ka synim dhe objektiv çdo klub studentor”.
Një tjetër e re që shoqëron riorganizimin e klubeve studentore është edhe mundësia për t’u regjistruar online: “Do të doja të theksoja se duke filluar nga dita e hënë dhe në vazhdim do të fillojnë regjistrimet në klubet studentore. Aplikimet do të kryhen pranë Zyrës së Kujdesit ndaj Studentit, që gjendet në Hollin e Godinës B. Gjithashtu, risi do të jetë edhe aplikimi online i cili do t’i dërgohet çdo studenti me anë të adresës së email-it. Ftoj të gjithë studentët të jenë pjesë e klubeve studentore për të kaluar një vit akademik të paharrueshëm”.
Networking, punë në skuadër, aftësi lidershipi, aftësi negociuese apo ushqim për kreativitetin, të gjitha këto mund të përfitohen nëse studentët bëhen pjesë e një klubi studentor. Këto aftësi por edhe të tjera si të menduarit dhe të zgjidhurit të një problemi, bashkëpunimi apo komunikimi ndërpersonal janë vetëm disa nga avantazhet e të qenit anëtar.
Për vite me radhë shumë i kanë parë benefitet e një angazhimi të tillë. Edhe këtë vit kërkesat për të qenë pjesë e klubeve janë të shumta. Studentët e UET flasin më tepër në lidhje me këtë eksperiencë.

 

 

Klea Maskaj: Klubi i Arkitekturës premton të sjellë risi në Universitetin Europian të Tiranës

Klea Maskaj është studente në Universitetin Europian të Tiranës, në vitin e dytë në degën IT me profil Informatikë Ekonomike. Fakulteti në të cilin ajo bën pjesë, Fakulteti i Arkitekturës, i Inxhinierisë dhe i Informatikës, sjell këtë vit akademik disa organizime të reja për studentët, pjesë e të cilave ka vendosur të jetë edhe Klea.
“Këtë vit të ri akademik kam zgjedhur të bëhem pjesë e Klubit të Arkitekturës dhe Klubit të Artit. Klubin e Arkitekturës e kam zgjedhur pasi u ofrua si një mundësi e shkëlqyer për ne studentët e Informatikës, si pasojë e hapjes së degëve të reja në Fakultetin e Arkitekturës, Inxhinierisë dhe Informatikës. Ky klub më afron më tepër me pasionet e mia duke më dhënë hapësirën e duhur për të shprehur idetë dhe për të zgjeruar njohuritë me anë të bashkëbisedimit dhe punës me studentët e tjerë të apasionuar po aq sa unë. Ndërsa Klubi i Artit ka qenë një zgjedhje e cila ka ardhur nga pëlqimi im për artin në tërësi. Duke qenë se nuk ndoqa një degë të tillë, po ndjek një klub që të zhvilloj brenda meje pasionin që ka qenë atje prej kohesh dhe përse jo zgjeroj njohuritë e mia në këtë fushë”, tregon Klea mbi zgjedhjet e saj.
Për të nuk është hera e parë që bëhet pjesë e të tilla organizimeve. Ajo tregon se vitin e kaluar ishte pjesë Klubit të Sociologjisë.
“Vitin e kaluar kam qenë pjesë e Klubit të Sociologjisë dhe ka qenë një eksperiencë e bukur dhe e dobishme për mua si individ social. U bashkova me këtë klub për të mësuar më shumë rreth qenies njerëzore, por dola përtej tij duke mësuar më shumë rreth vetes sime”.
Ajo i vlerëson këto struktura si një aset mjaft të vyer që UET ka dhe që duhen shfrytëzuar nga studentët.
“Mendoj se klubet studentore duhet të jenë të pranishme te çdo student. Bashkëveprimi që krijohet në një ambient të tillë midis studentëve është një bashkëveprim që na ndihmon të skalisim sa më shumë idetë, pasionin dhe aq më tepër durimin. Në një klub studentor ti je i lirë të japësh mendimin tënd sepse je i rrethuar nga të tjerë që të kuptojnë dhe të ndihmojnë ta konkretizosh atë. Je i hapur që në çdo moment të mësosh diçka të re, diçka ndoshta të paeksploruar më parë nga ty”, shprehet Klea.
Ajo është Koordinatore në Klubin e Arkitekturës, për të cilin premton se do të jetë një shtesë e këndshme dhe kreative në strukturën aktuale të klubeve.
“Klubi i Arkitekturës, në të cilin unë jam koordinatore është një hyrje e re në listën e klubeve studentore që erdhi si pasojë e hapjes së degëve të reja në UET. Klubi mirëpret të gjithë studentët e arkitekturës, të informatikës dhe të inxhinierisë, si dhe të gjithë ata të cilët udhëhiqen nga pasioni për këto fusha. Bashkë me mentorin e klubit ne synojmë të arrijmë një bashkëpunim të suksesshëm ndërmjet studentëve duke organizuar vizita studentore, konferenca dhe vrojtime shkencore, duke iu ofruar atyre mundësinë të shprehin idetë e tyre dhe duke mundësuar realizimin e tyre me anë të punës në grup”, tregon Klea, pozitive për të ardhmen e Klubit të Arkitekturës.

Aldjona Mahmutaj: Një klub për promovimin e sipërmarrjes te të rinjtë

Aldjona Mahmutaj është studente në vitin e dytë në degën Financë me profil Informatikë Ekonomike në Universitetin Europian të Tiranës. Pasionet e saj kanë të bëjnë kryesisht me botën e sipërmarrjes dhe kjo e nxit që të bëhet pjesë e organizimeve dhe strukturave që përmirësojnë aftësitë që kanë lidhje me të, të tilla si lidershipi apo menaxhimi. Vjet ajo ka qenë pjesë e Klubit ‘Economicus’ që e vlerëson si mjaft të rëndësishëm në formimin e saj akademik. Nisur nga fushat e saj të interesit, vëmendjen e saj këtë vit e ka tërhequr Klubi i Menaxhimit dhe Sipërmarrjes, në të cilin është edhe Koordinatore.
“Këtë vit jam pjesë e Klubit të Menaxhimit dhe Sipërmarrjes. E kam zgjedhur këtë klub sepse mendoj që përshtatet shumë me drejtimin që kam zgjedhur dhe kompleton më së miri dijet e mia rreth fushës së ekonomisë. Vitin e kaluar kam qenë pjesë e Klubit ‘Economicus’ dhe ka qenë një eksperiencë mjaft interesante dhe me vlerë për mua pasi ka ndikuar në formimin tim si studente”, tregon Aldjona.
Ajo rrëfen se në këndvështrimin e saj këto organizime të ndihmojnë të zhvillosh aftësitë ndërpersonale dhe të zgjerosh dijet në fushat e tua të interesit.
“Të qenit pjesë e klubeve më ka ndihmuar të zhvilloj jetën time sociale dhe studentore. Gjithashtu, ka qenë një nxitje për të hulumtuar dhe zgjeruar njohuritë mbi temat e trajtuara. Çdo studenti do t’ia sugjeroja të merrte pjesë në të paktën një prej klubeve që UET ofron pasi i ndihmon ata të rritin nivelin e tyre të diskutimit mbi tematika të ndryshme”.
Ndërkohë që detyra e saj këtë vit është po aq sa tërheqëse edhe me përgjegjësi. Aldjona tregon më tepër në lidhje me mënyrën se si ky klub do të funksionojë në vijimësi.
“Klubi që unë drejtoj është klubi i Menaxhimit dhe Sipërmarrjes. Fokusi i klubit është trajtimi dhe diskutimi i çështjeve aktuale ekonomike të ndërthurura me pjesën teorike që përfitohet gjatë leksioneve. Gjithashtu, klubi është i përqendruar në motivimin e studentëve mbi sipërmarrjen. Këtë vit, bazuar në qëllimet e mësipërme programi i klubit do të jetë i pasur me aktivitete dhe tematika të cilat do të nxisin kuriozitetin dhe pjesëmarrjen e çdo anëtari të tilla si konkurse, workshop-e dhe debate të ndryshme me tematika pikante”.

Përparim Celami: Klubi i IT do të zhvillohet dita-ditës, ashtu siç teknologjia avancon dita-ditës

Përparim Celami është student në Universitetin Europian të Tiranës, në degën IT me profil Hartim Softwaresh. Dega e tij është mjaft e kërkuar në tregun e punës por njëkohësisht është një degë e cila zhvillohet çdo ditë më tepër. Ndaj kërkon që të jesh gjatë gjithë kohës i azhurnuar me informacionet më të reja rreth fushës dhe zhvillimeve të ndryshme. Pikërisht kurioziteti, dëshira për të qenë gjithnjë i informuar mbi pasionin e tij e bëjnë atë të ketë dëshirën për të qenë pjesë e një klubi krejtësisht të ri në UET.
“IT është një degë e cila ka kërkesë shumë të madhe nën tregun e punës. Është një degë relativisht e re e cila zhvillohet dita-ditës. Për këtë arsye kam dëshirën të jem gjithnjë i informuar dhe të zhvilloj ide të reja mbi këtë fushë. Klubi IT, në të cilin kam edhe pozicionin e koordinatorit është një organizim që vjen risi këtë vit akademik paralelisht me hapjen e Fakultetit të Arkitekturës, të Inxhinierisë dhe të Informatikës. Është një hapësirë mjaft interesante në të cilën të gjithë të apasionuarit pas IT do të mund të ndajnë idetë e tyre novatore”, shprehet Përparimi.
Ai tregon se Klubi në të cilin do të jetë koordinator, do t’iu mundësojë studentëve të zhvillohen më tepër si në aspektin akademik ashtu edhe atë praktik.
“Kemi menduar ta organizojmë klubin e IT në mënyrë të atillë që të ndërthurim më së miri anën teorike dhe praktike të fushës. Jam i bindjes se çdo student i cili do të bëhet pjesë e tij, do të zgjerojë njohuritë në Informatikë dhe do të gjejë të gjithë hapësirën e nevojshme për të ndarë me studentët e tjerë idetë e tij novatore dhe përse jo, t’i zhvillojë ato më tej. Ftoj të gjithë studentët e UET të cilët kanë pasion informatikën të bëhen pjesë e këtij klubi pasi është vendi ku idetë e tyre do të jenë në rrugën e duhur të realizimit. Teknologjia është një fushë e cila përparon çdo ditë, ashtu siç do të jetë edhe klubi i IT”, shprehet koordinatori i klubit të IT.

Kiara Laze: Klubet studentore në UET, një mundësi për të ndjekur ëndrrën time në sirtar

Kiara Laze është studente në Universitetin Europian të Tiranës dhe këtë vit ka zgjedhur të bëhet pjesë e dy klubeve mjaft të rëndësishme që ky institucion i arsimit të lartë ofron për studentët e tij duke shfrytëzuar më së miri hapësirat e reja të këtij viti.
“Këtë vit akademik duke patur parasysh risitë në klubet studentore kam zgjedhur të jem pjesë e klubi të Juristëve të Rinj dhe Klubit Medicus. Në pamje të parë është një zgjedhje e çuditshme pasi janë dy klube të cilat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në klubet studentore qëllimi nuk është vetëm aftësimi profesional por edhe ndjekja e pasionit. Unë studioj për Juridik të Përgjithshëm dhe këtë vit nuk jam vetëm anëtare e klubit, por edhe koordinatore e tij dhe e bashkëdrejtoj atë me pedagogen Brikena Mile. Kjo për mua është një përgjegjësi dhe kënaqësi në të njëjtën kohë. Ndërkohë që klubin “Medicus” e ndjek për shkak të pasionit. Që e vogël kam dashur të bëhem mjeke dhe gjithë shkollimin tim parauniversitar iu dedikova lëndëve të tilla si biologjia apo kimia. Kështu që atë ëndrrën e fshehur në sirtar tashmë kam mundësinë ta ndjek nëpërmjet këtij klubi”, shprehet Kiara.
Eksperiencat e saj të mëparshme në klubet studentore e kanë bindur se kjo është një praktikë shumë e mirë për të mësuar në një mënyrë sa më tërheqëse ndaj edhe nuk ngurron t’ua sugjerojë këtë edhe studentëve të tjerë.
“Klubet studentore mendoj se janë mënyra më e mirë që një i ri të mbushë ditën me aktivitet akademik dhe jo vetëm. Të mësosh gjëra të reja pa e kuptuar si proces, sepse informacioni të vjen natyrshëm. Formimi profesional është i rëndësishëm por ndjekja e pasionit akoma edhe më shumë. Mendoj se klubet studentore janë mënyra më ë mirë për të kaluar një vit akademik të paharrueshëm. E ku ka më mirë sesa të njohësh persona të rinj, të krijosh miqësi të reja, të shkëmbesh ide, vizione me njerëz të cilët mund të jenë kolegët e tu të ardhshëm”, shprehet Kiara e motivuar për një vit të ri akademik produktiv.
Ndërkohë që shpreh po aq motivim për të krijuar një mjedis kreativ dhe zhvillues për të gjithë studentët në klubin e Juristëve të rinj në të cilin është koordinatore këtë vit.
“Është menduar që këtë vit temat që do të trajtohen në Klubin e Juristëve të Rinj, të jenë të marra nga përditshmëria dhe të ketë të ftuar të fushës vazhdimisht. Qëllimi është ta bëjmë klubin sa më praktik, funksional dhe tërheqës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *