tonini

Të dashur miq,

TË MATEMI ME STANDARDET MË TË AVANCUARA

Metafora e kohës sonë janë “markat e mëdha”, “firmat e mëdha”, apo thënë ndryshe “standardet”. Me standardet më të avancuara do të kuptojmë kryesisht ato kritere të cilat përdoren në një fushë të caktuar, në një sektor të caktuar, aty ku arritjet janë më të rëndësishme. Në rastin e sistemit universitar, edukimit universitar, është e qartë tashmë prej kohësh që standardet referencë vijnë kryesisht nga sistemi anglosakson. Në sistemin tonë universitar, si edhe në UET, tashmë ka ardhur koha që të matemi me standardet ndërkombëtare, të matemi me arritjet më të rëndësishme, duke filluar të përballemi me të vërtetën e sistemit dhe të vërtetën në raport me këto referenca. Pikërisht kur po i afrohet dekadës së parë të jetës së tij, Universiteti Europian i Tiranës tenton gjithnjë e më shumë drejt këtyre standardeve, tenton gjithnjë e më shumë tu afrohet atyre, tenton gjithnjë e më shumë që punën e tij, tek studenti, tek programi, tek pedagogu, tek shërbimet ekstrakurrikulare, ta bëjë në përputhje me këto standarde. Duke u përballur me standardet më të avancuara të botës së zhvilluar, në mos i kemi, ne do t’i arrijmë ato një ditë. Ne në UET kemi ambicie ti arrijmë ato shpejt. Në shërbim të studentit, në shërbim të shoqërisë shqiptare, në shërbim të prindërve që na kanë besuar fëmijët e tyre,në shërbim të partnerëve që kanë ndarë me ne projekte të përbashkëta, apo atyre që kanë ndarë me ne të njëjtat ide a debate për shoqërinë.

Në këtë kuptim UET është kudo!

Sinqerisht,
Prof. Dr. Tonin Gjuraj
Rektori i Universitetit Europian të Tiranës