Pse UET?

Ne ofrojmë, të paktën, 10 arsye të forta pse duhet të zgjidhni UET, nga ekselenca akademike e kërkimi shkencor, deri te jeta e gjallë studentore dhe infrastruktura moderne. Universiteti Europian i Tiranës është një nga universitetet më të mira për të studiuar dhe krijuar bazat e një të ardhme të sigurt. Pedagogë e profesorë, ideologë e filozofë, politikanë e biznesmenë nga më të suksesshmit në vend e në botë janë gjithmonë të pranishëm në auditorët e UET për të frymëzuar modele e hapur vizione për secilin prej jush.

I pari

Është renditur UET në renditjen e vetme të kryer në Shqipëri nga një kompani serioze ndërkombëtare siç ishte renditja e kryer nga kompania gjermane CHE University Ranking në korrik të vitit 2011.

90%+

Të studentëve të UET janë të punësuar. Në tregun e punës studentët e të diplomuarit në UET janë nga më të kërkuarit, sepse politikat e UET ndjekin zhvillimin e promovimin e secilit. Në ndihmë të orientimit në karrierë janë edhe tetë borde pune, me anëtarë personalitete e drejtues nga institucione publike e private, kompani e biznese nga më të mëdhatë në vend, që mblidhen rregullisht e kontribuojnë me këshilla të vlefshme, propozime e sugjerime.

15 mijë m2

Është shtrirja e kampusit të UET ku përfshihen 12,000 m2 sipërfaqe godina shërbimi. Kampusi përfshin auditorë modernë, laboratorë, bibliotekën, ambientet e shërbimeve të ndryshme si fotokopja, salla e internetit, bar-restoranti, parkingu dhe lulishtja.

10,000+

Studentë kanë zgjedhur të studiojnë në UET. Nga viti në vit, ne jemi shndërruar në një pikë referimi në arsimin e lartë, falë seriozitetit e përkushtimit të stafit tonë akademik, shndërrimit të auditorëve tanë në laboratorë të kërkimit e diskutimit, pjesëmarrjes aktive në jetën e vendit, ofrimit të ideve e vizioneve për zhvillim e mirëqenie sociale, arritjeve e përvojave të suksesshme të ish-studentëve tanë.  

Rrjeti i UET

Janë më shumë se 2,400 ish-studentë të diplomuar, të punësuar sot në kompani private, institucione publike, organizata jo-fitimprurëse osë që kanë marrë iniciativën e vetëpunësimit. Nëpërmjet “UET ALUMNI” ne mbajmë dhe zhvillojmë lidhjet me të diplomuarit tanë, duke i konsideruar si një nga pasuritë më të çmuara që kemi. “UET ALUMNI” dhe stafi i UET takohen periodikisht, të gatshëm të ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin.

5%

E studentëve të diplomuar në ciklin e parë të studimeve në UET, kanë aplikuar në universitetet më të mira jashtë vendit dhe kanë arritur të fitojnë një vend pranë tyre. Me Sistemin Europian të Transferimit të Krediteve mundësohet transferimi i studimeve në universitetin e një shteti tjetër, në Europë ose më tej, si dhe njohja e diplomës. “Diploma UET” është një garanci për më shumë

UET në Tiranë

Për shkak të pozicionit gjeografik dhe strukturës së ndërtimit, UET është një mundësi për të gjithë. Të dashuruarit pas zhurmës dhe argëtimeve që ofron Tirana, mjafton të përdorin transportin publik (stacionet e dy linjave kryesore gjenden shumë pranë), taksinë (gjenden me shumicë sapo del nga ndërtesa) ose të ecin pak minuta në këmbë për të arritur në një nga zonat më popullore për të rinjtë: blloku dhe lokalet e panumërta që gjenden në të, një mundësi shumë e mirë për të kaluar fundjavat pa studime ose për t’u shplodhur. Për një “ushqim” më të pasur shpirtëror, Tirana ofron muze e galeri të shumta, sikundër edhe destinacione të larmishme turistike. Site të shumta ju ndihmojnë për të bërë zgjedhjen e duhur për ju.

100+

Pedagogë të brendshëm janë pjesë e stafit akademik, nga të cilët më shumë se 50 kanë të paktën titullin Dr., rreth 20 PhD dhe 10 Prof. Dr. Pedagogët e UET janë emra të spikatur dhe me status të njohur në fushat e tyre. Shumë prej tyre vijnë nga mësimdhënia në universitete të njohura perëndimore.

Mbështetje financiare

UET-i ndjek një politikë të tarifave, e cila orientohet dhe inkurajon studentët e shkëlqyer. Çdo vit jepen mbi 300 bursa Ekselence, Promovimi Social, Talenti & Lidershipi. Nëpërmjet marrëveshjeve me sistemin bankar, UET e bën të thjeshtë procedurën e përfitimit të kredisë studentore me interes 0%.

Jetë e gjallë studentore

Në UET zhvillohen çdo javë me dhjetra aktivitete të ndryshme ekstrakurrikulare, që nga leksionet e hapura me lektorë të njohur deri te aktivitetet e ndryshme sportive. Në varësi të interesave e fushës tuaj të studimit, ju mund të regjistroheni në njërin prej klubeve të shumta studentore që funksionojnë në UET, të bëheni pjesë e udhëtimeve brenda e jashtë vendit dhe festave të ndryshme ose të bëheni iniciator për organizimin e tyre. Mjafton të jeni i kujdesshëm dhe të lexoni njoftimet e shumta në hollet e UET, si dhe të keni dëshirë e pasion.