Fjala e Presidentit

civici

Prof. Dr. Adrian CIVICI

UET, PARTNER I ZHVILLIMIT DHE I TREGUT TË PUNËS

Pak nga pak, UET po shkon drejt fundit të dekadës së parë të jetës së tij. Që nga themelimi në vitin 2006, Universiteti Europian i Tiranës nuk ka reshtur përpjekjet për reformimin, strukturimin dhe kompletimin brenda vetes, apo procese dhe iniciativa të cilat sigurojnë diplomimin me cilësi sa më të lartë të studentëve tanë. Nga ana tjetër UET është mjaft aktiv në hapësirën shoqërore, në botën e ideve, nismave, botimeve, projekteve dhe lidhjeve me tregun e punës. Kjo është mjaftueshëm për të plotësuar profilin e një universiteti tërësisht në shërbim të misionit të tij publik – përgatitjes së studentit, specialistit, qytetarit, i një universiteti si qendër e forcave të gjalla të shoqërisë.

Tani është koha për të kaluar në një fazë tjetër, është koha për të përgatitur dekadën e dytë të Universitetit Europian të Tiranës, si një universitet në shërbim të zhvillimit dhe të tregut të punës. Kjo metaforë dhe kjo paradigmë i bashkangjitet objektivit tonë “UET Ekselenca 2020”, duke formuar një plan të qëndrueshëm të mbështetur në tre pika: Ekselenca, Tregu i Punës dhe Kontributi në Funksion të Zhvillimit. Të tre këto koncepte mund dhe duhet të bashkëjetojnë dhe të ndihmojnë njëri tjetrin.

Në funksion të ekselencës, Universiteti Europian i Tiranës ka ndërtuar një seri programesh dhe projektesh, mes të cilave mbështetja e programit Top 5 (5% e studentëve më të mirë) dhe mbështetja e Top 25 (25% e studentëve më të mirë) të cilët do të ndërtojnë me ndihmën e UET karrierën e tyre të mëtejshme, akademike ose në tregun e punës.

UET partner i tregut të punës përfshin një seri iniciativash që kanë filluar që me ndërtimin e bordeve të tregut të punës dhe përfshirjen e individëve të shquar nga bota e punës në proceset tona mësimdhënëse dhe këshilluese, por tashmë në partneritet edhe me 101 bizneset më të rëndësishme në Shqipëri, në funksion të asistimit të tyre për burimet njerëzore në cilësinë që ata kërkojnë dhe anasjelltas, asistimin e studentëve tanë në rrugën e tyre drejt tregut të punës.

UET në funksion të zhvillimit të vendit është gjithçka që ne bëjmë me projektet tona kërkimore dhe shkencore, por edhe debatin e ideve, analizat, projeksionet, shkurt të gjithë atë punë kërkimore shkencore që kontribuon për shoqërinë shqiptare dhe ndihmon zhvillimin.
Pikërisht në këtë trekëndësh mbështetet e ardhmja dhe projekti ynë për universitetin e dekadës së dytë.