Libraria

Libraria gjendet në hyrjen kryesore të UET, në të djathtë. Një mjedis i bollshëm që të përcjell dashuri dhe përkushtim ndaj librit. E hapur në vitin 2006 që në ditët e para të themelimit të universitetit, synimi i saj ishte të mbështeste e lehtësonte punën e stafit akademik në pajisjen me literaturën e duhur të studentëve. Me rritjen e numrit të botimeve të universitetit, dhe të veprimtarisë akademike të tij, libraria zgjeroi hapësirën në funksion të librit, shtoi titujt e kolanat dhe, çfarë është më e rëndësishmja, u rrit profesionalisht, duke u shndërruar në një qendër informacioni e shërbimi, falë edhe përkushtimit e angazhimit të stafit të saj. Libraria është perceptuar t’i ofrojë shërbim një komuniteti sa më të larmishëm lexuesish, duke ofruar njohuri e këndvështrime ndryshe ose duke i ndihmuar në rritjen e shkallës së integrimit nëpërmjet titujve të shumtë që ofron. Sot libraria ka afro 700 tituj, përfshirë libra, revista e albume, botime të Shtëpisë Botuese Universitare UET Press apo të shtëpive të tjera botuese që operojnë në tregun shqiptar. Botimet janë kryesisht në shqip.

ORARI
Libraria është e hapur nga e hëna në të premte në oraret: 09.00 – 14.00 dhe 15.00-18.00 dhe të shtunën nga ora 10.00 - 14.00. 

TITUJT QË OFROHEN 

Pranë librarisë UET mund të gjeni tituj shumë të mirë, që ne u referohemi si akademikë, që do të thotë se shërbejnë si tekste universitarë apo libra referimi për një disiplinë të caktuar. Titujt e ofruar në këtë fushë janë kryesisht botime të UET Press. Selektimi i tyre është bërë përmes një procesi shumë të kujdesshëm nga pedagogët e stafit të UET si dhe nga Këshilli Botues i UET Press. Për përkthimet në shqip janë angazhuar profesionistët më të mirë të fushës, duke pasur kujdes në një harmonizim sa më të mirë të shkallës së njohjes së gjuhës me përkatësinë profesionale. Autorët shqiptarë janë kryesisht pedagogë të UET, që kanë statusin jo vetëm të profesionistit, por edhe të qytetarit që kërkon të vejë në shërbim të lexuesit ekspertizën e tij, të ndajë me të ide për një shoqëri të hapur, të paraqesë perspektiva të reja apo identitete të munguara e të kërkuara. Librat e Adrian Civicit rreth globalizimit e teorive ekonomike i bëjnë nder bibliotekës së çdo lexuesi që ndjek me vëmendje dhe është i interesuar për zhvillimet më të fundit në këto fusha. Një vend të rëndësishëm në librari zënë titujt e autorëve që me veprën e fjalën e tyre ndikojnë, në rrjedhën e ngjarjeve të përditshme apo opinionet që formësojmë për to. Në formën e memuareve, albumeve, librave historikë apo letrarë, shkruar me një shqipe të bukur, bazuar në fakte e ngjarje të panjohura, falë punës së palodhur të kryer në arkiva të shumta apo burimeve të ndryshëm që kanë pasur mundësi të gjejnë e shfrytëzojnë vijnë librat e autorëve Blendi Fevziu, Sokol Balla, Mentor Nazarko, Henri Çili, Preç Zogaj, Dritëro Agolli, Ilir Ikonomi, Spartak Ngjela, Amik Kasoruho, Ben Blushi, Alastair Campbell apo David Smajl.