hrs4r1

HRS4R

Universiteti Europian i Tiranës (UET),  në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe profesionalizimit të kërkimit shkencor që financon dhe boton, ka ndërmarrë një tjetër nisëm për të avancuar standardin akademik të universitetit duke e bërë atë qendrën kryesore të prodhimit të dijes në Shqipëri. UET ka firmosur Kartën Evropiane për Kërkuesit Shkencor (The European Charter for Researchers) dhe ka nisur punën për të marrë certifikimin HR Excellence in Research nga Komisioni Evropian si institucion që aplikon praktikat më të mira të Kartës nëpërmjet zbatimit të strategjisë për administrimin e burimeve njerëzore shkencore. 

Në këtë kuadër UET ka ngritur grupin e punës, kryesuar nga Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor, Metodologjinë dhe Cilësinë, që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për marrjen e certifikimit HRS4R. Fillimisht, grupi i punës, me mbështetjen e Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, u trajnua nga specialistë ndërkombëtarë të politikave shkencore. Pas trajnimit, grupi i punës po analizon strategjitë e universitetit për kërkimin shkencor dhe punësimin transparent për t’i sjellë ato në standard me kërkesat e Kartës. Në përfundim të analizës grupi do të ndërmarrë një vlerësim të brendshëm të institucionit dhe në bazë të gjetjeve do të hartojë strategjinë (planin e masave) përkatëse. UET synon që në vitin akademik 2017-2018 të marrë certifikimin HRS4R.

Për Çfarë Shërben Karta dhe Certifikimi?

Karta Evropiane për Kërkuesit Shkencor përmbledh parimet dhe kërkesat e përgjithshme që përcaktojnë qartë rolet, përgjegjësitë dhe të drejtat e hulumtuesve dhe të punëdhënësve ose financuesve të kërkimit shkëncor. Qëllimi i Kartës është të rregullojë marrëdhënien midis kërkuesve, universiteteve dhe financuesve në mënyrë që të favorizohet ndërmarrja e projekteve kërkuese që gjenerojnë, transferojnë, dhe shpërndajnë njohuritë dhe zhvillimin teknologjik. Karta është e ndarë në dy pjesë kryesore që adresojnë (1) procesin e kërkimit shkencor dhe (2) rekrutimin e punësimin e kërkuesve nga institucionet që financojnë kërkimin. Qëllimi është që kërkuesit të punojnë në një ambient që mundëson dhe inkurajon transparencë ne punësim, standard të shkëlqyer shkencor, promovim të drejtë dhe trajtim të barabartë të kërkuesve.

Karta shërben për të ofruar një etalon të gjithë-pranuar vlerësues ku universitetet, pavarësisht madhësisë, vjetërsisë, apo pronësisë të krahasohen e të vlerësohen. Në këtë mënyrë universitetet dhe financuesit vlerësojnë nëse partneri potencial përmbush kushtet bazë të kërkimit shkencor. Certifikimi është gjithashtu një instrument i brendshëm për përmirësimin e vazhdueshëm të praktikave të mirë-administrimit të burimeve njerëzore të kërkimit shkencor. Ky është një proces i cili nuk ka një përfundim pasi vazhdon për aq kohë sa institucioni merret me kërkim shkencor dhe përpiqet që të arrijë një nivel gjithmonë e më të lartë. E fundit, por shumë e rëndësishme është se Karta gjithashtu ofron një platformë virtuale për punësimin e kërkuesve shkencor për të rritur lëvizshmërinë e kërkuesve dhe mundësinë e tyre për të gjetur punësim të përshtatshëm. Kështu Karta ka potencialin që të hapë dhe të bëjë tranparent procesin e punësimit dhe promovimit akademik duke ofruar edhe me shumë mundësi per kërkuesit shqiptar sidomos ato që janë të arsimuar në institucione Evropiane dhe Amerikane.

Më poshtë mund të lexoni Kartën Evropiane për Kërkuesit Shkencorë dhe Kodin e Sjelljes Për Rekrutimin e Kërkuesve Shkencorë

hrs4r