BinjaketPërfitimi i Bursës Pashko për të vazhduar studimet në UET, për Nikon dhe Marko është një vlerësim i madh që u është bërë. Kjo bursë është shembull se si disa persona të cilët jeta i ka përballur me vështirësi dhe sakrifica kaq herët mund të frymëzohen për të bërë realitet ëndrrat e tyre dhe të ecin përpara.

Falë këtij vlerësimi dhe promovimi unë ndihem shumë herë më i nxitur për të dhënë më të mirën nga vetja dhe të shpresoj te një karrierë e sukseshme, shprehet Niko. Ndërkohë Marko shprehet se për ta kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që e motivon të shpresojë se një ditë do të bëhet personi që ëndërron të jetë.

Teksa rrëfejnë historinë e jetës, dhimbja është e dukshme në sytë e tyre, sakrificat, përkushtimi dhe vullneti po ashtu. Jeta i ka përballur me sfida të vështira në një moshë mjaft të re por gjithashtu i ka mësuar si t’iu bëjnë ballë atyre, me kokën lart dhe me shpresa se ditë më të bukura janë pranë.

Niko dhe Marko Zhezha, janë dy nga përfituesit e bursës “Pashko” për vitin akademik 2017-2018. Historia e tyre, është ndoshta një nga më të veçantat. Marko dhe Niko janë binjakë dhe ngjajnë me njëri-tjetrin si dy pika uji. Por nuk është kjo, ajo që i bën të jenë ndryshe nga të tjerët. Është kuraja, forca për të ëndërruar edhe në momente të vështira dhe këmbëngulja për t’i realizuar këto ëndrra, ajo që i diferencon.

Vëllezërit kanë lindur në qytetin e Vlorës, në vitin 1999. Ato kohë, sikurse edhe më vonë, gjendja ekonomike e prindërve të binjakëve ishte tejet e rëndë. Babi i tyre kishte patur probleme të shumta shëndetësore si dhe kishte kaluar një operacion të rëndë në zemër, ndaj nuk ishte i aftë për punë. Ndërkohë edhe mamaja e tyre, gjithashtu me probleme shëndetësore të shfaqura pas lindjes së fëmijëve, ishte e papunë. Në të tilla kushte, ku vështirësitë ekonomike ishin jashtëzakonisht të mëdha, prindërit detyrohen të dërgojnë Markon dhe Nikon në Distrofiken e qytetit të Vlorës.

Në moshën 1 vjeç e gjysmë një fondacion zvicerano-shqiptar merr përsipër të kujdeset për ta deri në moshën 13-vjeçare. Nën këtë kujdes, vëllezërit kaluan fëmijërinë e tyre dhe morën një arsim dhe edukim cilësor. Vitet kaluan dhe ata u kthyen sërish në Vlorë, për ta gjetur veten në një jetë “të re” me vështirësi dhe sfida të shumta me të cilat u duhej të përballeshin. Babi i tyre, vazhdonte të vuante nga zemra, nga sëmundje të mushkërive dhe veshkave si dhe probleme të tjera kronike.

Prej shumë vitesh ai kishte statusin e invalidit të plotë. Ndërsa mamaja, prej kohësh e papunë dhe me ndihmë ekonomike, gjithashtu duhet të ishte pothuajse gjithmonë pranë bashkëshortit të saj për shkak të gjendjes së tij delikate shëndetësore. Marko dhe Niko, në të tilla kushte ku mbijetesa ishte misioni kryesor, u shkolluan në gjimnaz me shumë vështirësi dhe sakrifica, me të ardhura shumë të ulëta dhe prindër të moshuar e të sëmurë.

Të dy të shkëlqyer në mësime, të përkushtuar dhe me vullnet. Atje ku gjithçka dukej e “errët” Marko dhe Niko, nuk reshtën kurrë së kërkuari dritën. Teksa ditët e fundit të gjimnazit shkonin, dilemat në lidhje me të ardhmen shtoheshin edhe më tepër. A do të mundnin vallë të vazhdonin rrugën e tyre drejt dijes? Kjo pyetje i shqetësonte gjithnjë dhe pasiguria për atë çfarë e nesërmja mund të sillte, ishte kurdoherë prezente në bisedat e tyre. Megjithatë këmbëngulja dhe vullneti që i karakterizonte binjakët, nuk i la të binin në dëshpërim.

“Fillimisht fillova të kërkoj kudo, kryesisht nëpër rrjete sociale dhe faqe të ndryshme interneti. Kërkoja informacione për universitetet dhe bursat që ofronin. Dhe natyrisht, e gjeta veten tek UET dhe bursa Pashko. Menjëherë përgatitëm vërtetimet e shkollës dhe dokumentet e nevojshme. U paraqitëm në ambientet e universitetit, ku na mirëpritën dhe na ofruan mbështetje që në momentin e parë. Iu nënshtruam disa procedurave, përfshirë formularët dhe intervistat. Ka qenë një rrugëtim i bukur dhe jo i lehtë, por në fund përgjigjja ishte pozitive dhe kjo ka më shumë rëndësi”,- tregon Marko.

Pasi mësuan se për ta kishte një mundësi të artë, që do t’u ndryshonte jetën, nuk nguruan. Erdhën në Tiranë dhe aplikuan për bursën “Pashko”. Një bursë e cila iu mundëson shkollimin falas në Universitetin Europian të Tiranës me një tarifë plotësuese 25 mijë lekë për 36 muaj në mënyrë që të përballojnë shpenzimet e jetesës në Tiranë.

“Të përfitosh një bursë të tillë, është e vështirë të thuhet e të shpjegohet me fjalë, sepse do të thotë shumë. Është absolutisht një fitore, një sukses, një hap më shumë në jetën time. Është një mundësi e jashtëzakonshme për të realizuar ëndrrën për dije dhe profesion. Kjo bursë do të thotë studime falas në një institucion serioz dhe eksperiencë unike në një ambient plot gjallëri dhe dinamizëm. E ardhmja e karrierës mbetet e panjohur, por jam i bindur se do të jetë e bukur dhe e pasur. Mbi të gjitha bursa Pashko do të thotë, në njëfarë mënyre, ‘makinë’ për të ecur i sigurt dhe me besim në rrugën e gjatë të dijes”.

Ndonëse si dy pika uji, Marko dhe Niko kanë dy pasione krejt të ndryshme. Marko studion për Komunikim-Dizajn dhe Niko për Menaxhim Biznesi. Të dy kanë përfunduar vitin e parë të studimeve në UET me rezultate shumë të larta në mësime. Ndonëse një vit i suksesshëm nga ana akademike, për binjakët ky nuk ishte një vit i lehtë aspak. Fillimi i shkollës, moment të cilin ata e kishin ëndërruar prej kohësh dhe e kishin pritur me kënaqësinë më të madhe, solli me vete një fatkeqësi për ta. Babai i tyre ndërroi jetë për shkak të një ataku kardiak vetëm 2 javë pas fillimit të shkollës.

“Dy javë pasi filluam universitetin, teksa shkonim në shtëpi për fundjavë ndodh një nga ngjarjet më të dhimbshme për ne, babi ynë humbi jetën për shkak të një ataku kardiak. Kjo ishte një tjetër sfidë me të cilën na u desh të përballemi, por pavarësisht kësaj ai do të jetë gjithmonë pranë nesh në çdo moment të vështirë, dhe ne do ta çojmë deri në fund dëshirën e tij për t’u arsimuar dhe për të qenë me të vërtetë dikush në jetë. Prej atëherë mami jeton vetëm në Vlorë ndërsa ne vazhdojmë shkollën e lartë në Tiranë. Me shumë sakrifica si nga ana e saj edhe nga ne, ne kemi vendosur të mos dorëzohemi dhe të vazhdojmë përpara”, tregon Marko.

“Kur isha maturant, kishte shumë njerëz që më orientonin, më këshillonin e më mbështesnin. Por ndoshta ishin më të shumtë zërat që më thonin se nuk mund t’ia dal me jetesën dhe studimet në Tiranë. Megjithatë, koha provoi të kundërtën. Prandaj mund t’ju them këtë maturantëve të sotëm; mos u trembni nga fjalët, dilemat dhe frikërat që iu pushtojnë tani. Mundësitë ekzistojnë gjithmonë, të paktën këtu në UET.

Bursat janë për ju, por duhet të studioni dhe të punoni fort që t’i meritoni. Nëse doni të nxirrni më të mirën prej vetes, ejani dhe provoni shansin në UET. Nuk do të zhgënjeheni kurrsesi”, shprehet Marko.
Edhe Niko, njëlloj si vëllai i tij, e vlerëson mundësinë e studimit në UET si shansin më të mirë, për të ndryshuar jetën e tij. Të dy janë më se të motivuar, tashmë kanë një status dhe identitet të ri, me mundësi të pafundme. E ardhmja premton gjëra shumë të bukura për ta…