shkolla-verore-2UET së bashku me World Vision Albania and Kosovo kanë mbi 3 vjet që organizojnë shkolla sezonale siç janë shkolla verore dhe ajo dimërore. Është një traditë disavjeçare dhe një traditë e cila realisht ka qenë e suksesshme dhe e frytshme. “Të rinjtë dhe punësimi” ishte subjekti kryesor i trajtuar përgjatë 4 ditëve që shkolla verore zgjati, ku të rinjtë pjesëmarrës patën mundësinë të njihen më mirë me botën e sipërmarrjes dhe tregun e punës, nëpërmjet leksioneve dhe lojërave të shumta që janë zhvilluar.

Universiteti Europian i Tiranës, në bashkëpunim me World Vision Albania and Kosovo kanë organizuar Shkollën Verore 2018, në qytetin turistik të Korçës, në datat 3-6 korrik. Maturantë nga e gjithë Shqipëria, ishin pjesë e këtij organizimi që këtë vit solli një risi në tematikën e tij. “Të rinjtë dhe punësimi” ishte subjekti kryesor i trajtuar përgjatë 4 ditëve që shkolla verore zgjati, ku të rinjtë pjesëmarrës patën mundësinë të njihen më mirë me botën e sipërmarrjes dhe tregun e punës, nëpërmjet leksioneve dhe lojërave të shumta që janë zhvilluar.


Ky organizim vjen në saje të një bashkëpunimi të vendosur prej vitesh, mes Universitetit Europian të Tiranës dhe organizatës World Vision Albania and Kosovo. Përgjatë një cikli leksionesh të zhvilluara, nga lektorë në zë të Universitetit Europian të Tiranës, por edhe në saje të të ftuarve specialë, studentët patën mundësi të njihen më tepër me realitetin e tregut të punës sot, sfidat që paraqet ai, përftuan orientim dhe këshillim për karrierë, si dhe u nxitën të jenë pjesë e botës së sipërmarrjes.

“UET së bashku me World Vision Albania and Kosovo kanë mbi 3 vjet që organizojnë një aktivitet të tillë. Është një traditë disavjeçare dhe një traditë e cila realisht ka qenë e suksesshme dhe e frytshme. Ne ndihemi shumë mirë që kemi të rinj, të cilët janë shumë të motivuar, shumë aktivë në jetën sociale, dhe që jo pak herë kanë treguar shpirt iniciative në aktivizimet e tyre. Tregu në ditët e sotme, shfaq jo pak herë vështirësi për të rinjtë, ndaj një shkollë e tillë me një sërë tematikash që lidhen me karrierën e së ardhmes, është një mundësi shumë e mirë për formimin e gjithsecilit maturant që merr pjesë në këtë shkollë”, është shprehur drejtoresha e Përgjithshme e Ciklit Bachelor, dr. Anisa Subashi.
Shkolla është organizuar në një mënyrë të tillë që gërsheton të nxënit, përvetësimin e dijes dhe kurrikulat jashtëshkollore. “Aftësi negocimi në organizatë dhe me punëdhënësit”, “Sipërmarrja, të rinjtë dhe synimet sipërmarrëse” ,“Rëndësia e këshillimit të karrierës te të rinjtë”, “Paradokset që krijon tregu i punësimit” ishin vetëm disa nga leksionet e shumta që lektorët e ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës kanë mbajtur në këtë organizim. Një kontribut të veçantë patën leksionet e mbajtura nga përfaqësues të World Vision Albania and Kosovo, të cilët trajtuan ndër të tjera, një sërë aspektesh që lidhen me realitetin e punësimit dhe sipërmarrjes në Shqipëri. Ndërkohë që i ftuari special i këtij organizimi të shtatë, ishte personazhi i njohur Maks Velo, i cili realizoi një bashkëbisedim me shumë mesazhe, drejtuar të rinjve por jo vetëm.

Oltjan Drabo: “Bashkëpunimi me UET shumë i frytshëm, për vetë mundësitë që krijon për maturantët, drejt studimeve dhe një karriere të sigurt”

Oltjan Drabo, Drejtuesi i Programit të World Vision në Korçë dhe njëherësh Këshilltar Teknik për Lehtësimin e Biznesit për World Vision Albania and Kosovo, e cila është organizata partnere e UET në krijimin e nismave të tilla prej disa vitesh tashmë, tregon në lidhje me këtë bashkëpunim.
“Ky është viti i tretë që World Vision është duke bashkëpunuar me Universitetin Europian të Tiranës, me qëllim krijimin e hapësirave alternative për të rinj nga e gjithë Shqipëria që janë në përfundim të shkollës së mesme, në prag të përcaktimit të zgjedhjeve dhe orientimit të tyre për karrierën, si atë që lidhet me studimet, ashtu edhe me punësimin e tyre të drejtpërdrejtë. Këtë bashkëpunim midis World Vision dhe UET përmes krijimit të kësaj hapësire me shkollën verore, unë do ta vlerësoja shumë pozitiv dhe të suksesshëm, duke marrë së pari në konsideratë vetë përshtypjet e të rinjve, vlerësimin, angazhimin dhe përkushtimin e tyre maksimal përgjatë ditëve të shkollës. Për më tepër, qasja e lektorëve dhe të ftuarve, përmes ndërveprimit aktiv me të rinjtë pjesëmarrës, motivon dhe njëherësh sfidon këta të rinj në gjenerimin e ideve krijuese për projekte të përbashkëta si dhe në zgjedhjet dhe vendimet individuale”- është shprehur ai.
Ndërkohë për sa i përket temës së përcaktuar këtë vit, z. Drabo thotë se vjen si një përgjigje ndaj realitetit të sotëm me të cilin të rinjtë përballen.
“World Vision ka qenë së fundmi duke rivlerësuar situatën politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Të dhënat tregojnë se kemi një mungesë të aftësive të të rinjve për t’u përshtatur në tregun e punës, ndërkohë që nevojat për aftësi dhe kompetenca të reja, janë në rritje e sipër. Rrjedhimisht kjo kërkon më tepër angazhim në informimin, orientimin dhe përgatitjen e të rinjve, në mënyrë që njohuritë dhe kompetencat e tyre të përshtaten dhe t’iu përgjigjen këtyre kërkesave në ndryshim”.
Veçanërisht të rinj që vijnë nga familje me më pak mundësi dhe në rrethana të vështira ekonomike dhe sociale, të cilët janë njëkohësisht edhe fokusi i organizatës World Vision Albania and Kosovo, janë ata që e gjejnë më të vështirë përshtatjen me tregun, dhe pikërisht të tilla nisma i ndihmojnë ata për të projektuar të ardhmen.
“Përvoja jonë, tashmë rreth 19 vite punë në Shqipëri, mes të tjerash, ka konsistuar në informimin dhe rritjen e njohurive dhe aftësive të të gjithë grupimeve me të cilat ne kemi punuar dhe specifikisht të rinjve. Ky lloj ekspozimi i vazhdueshëm ndaj më shumë informacioneve, mundësive, praktikave, përfshirjes shoqërore, përtej procesit standard të edukimit, ka rezultuar më se i suksesshëm dhe me ndikim transformues në jetën e tyre”- tregon z. Drabo.
“Ne i kemi parë frytet e këtij bashkëpunimi, jo vetëm në numrin e lartë të të rinjve që kanë përfituar nga pjesëmarrja në shkollat verore, por edhe në mundësitë unike të krijuara për shumë prej tyre, përmes Bursave të Promovimit Social si rasti i Anxhelina Miles nga Korça apo nga programe të veçanta si Bursa Pashko. Motivuar nga përvoja shumë pozitive e deritanishme dhe vlera që tashmë ka krijuar, besoj jo vetëm në vazhdimësinë e kësaj nisme, por edhe në kthimin e saj në një mekanizëm që qëllimshëm dhe ekskluzivisht këshillon, orienton dhe pajis me aftësi dhe kompetencat e duhura të rinj shqiptarë e veçanërisht ata me më pak mundësi”.

Gjimnazistët e kësaj shkolle verore, tregojnë në lidhje me këtë eksperiencë

Kevin Mihaj: “Leksionet dhe të ftuarit e shndërruan mësimin në argëtim”

Kevin Mihaj sapo ka përfunduar vitin e tretë në gjimnazin Myslym Keta, në Tiranë. Ai shprehet se ajo çfarë e shtyu të aplikonte në këtë Shkollë Verore ishte pikërisht tema e përzgjedhur për këtë vit.
“Lajmërimin për organizimin e shkollës verore e pashë fillimisht në faqen zyrtare të Universitetit Europian të Tiranës. Tema që lidhej me të rinjtë dhe punësimin m’u duk tejet interesante ndaj aplikova menjëherë”, tregon Kevin.
Ai thotë se eksperienca ka qenë shumë interesante në tërësinë e aspekteve të saj.
“Gjëja që do të më mbetet në mendje, është fryma e organizimit si dhe bashkëpunimi që nxiti puna në grup, për realizimin e projektit. Leksionet dhe të ftuarit ishin shumë interesantë duke ilustruar në mënyrë interaktive mjaft elemente, të një fushe kaq të ndjeshme sa ajo e punësimit të rinjve dhe sipërmarrjes”.

Viola Tusha: “Shkolla Verore e UET më qartësoi për zgjedhjet e mia në karrierë”
Viola Tusha është maturante në gjimnazin Said Naideni në qytetin e Peshkopisë. Ajo është një e re mjaft aktive në komunitetin ku jeton dhe pjesë e organizatës World Vision Albania and Kosovo, prej disa vitesh.
“Ftesën për të qenë pjesë e këtij organizimi e mora nga World Vision, ku unë angazhohem prej disa kohësh tashmë. Shkolla verore m’u duk shumë interesante. Ajo çfarë më pëlqeu më tepër ishte mënyra se si kjo shkollë ishte organizuar, leksionet e shumta dhe aktivitetet e organizuara, veçanërisht aktivizimi që kishim për krijimin e një projekti”.
Viola thotë se kjo eksperiencë e ka ndihmuar të jetë edhe më e qartë në lidhje me karrierën që do të zgjedhë për veten.

Eljo Dishmuca: “Qartësova idetë e mia në lidhje me sipërmarrjen”
Eljo Dishmuca sapo ka përfunduar vitin e tretë në gjimnazin “Sinan Tafaj”. Eljo dëshiron që në të ardhmen të ndjekë studimet e larta për Menaxhim biznesi ndaj edhe tematika e trajtuar në shkollën verore e ka tërhequr shumë.
“Unë dëshiroj të ndjek studimet e larta për Menaxhim biznesi ndaj edhe kisha dëshirë të isha pjesë e kësaj shkolle verore, pasi tema që u trajtua më duket mjaft interesante. Synimi im, krahas arsimimit, është që pse jo, të kem sipërmarrjen time në të ardhmen. Ky trajnim më ndihmoi shumë për të qartësuar idetë e mia në lidhje me sfidat dhe lehtësitë e sipërmarrjes dhe lidershipit në Shqipëri”, shprehet ai.

Firdeusa Dura: “Shkolla verore na ofroi shumë dije dhe këshilla për të ardhmen”
Firdeusa Dura sapo ka përfunduar gjimnazin “Bab Dud Karbunara” në Berat.
Ajo shprehet se eksperienca e saj në Shkollën Verore 2018 ka qenë ndër më të bukurat.
“Pedagogët, të ftuarit, dhe mentorët kishin një komunikim shumë të rregullt me ne. I gjithë organizimi na ofroi shumë dije dhe këshilla që ne maturantëve na duhen për të vazhduar ëndrrat më tej”, tregon Firdeusa.
Ajo thotë se dëshira e saj është të jetë një sipërmarrëse e suksesshme në të ardhmen dhe se synon të studiojë në degën Financë-Bankë në UET.