Foto-KlubetPërfitimi i dijes është objektivi primar i një studenti dhe në UET ky qëllim arrihet jo vetëm nëpërmjet leksioneve dhe seminareve. Kushdo që ka studiuar apo studion në Universitetin Europian të Tiranës, e di se një nga pikat më të forta të këtij institucioni është jeta studentore që e karakterizon atë, dinamike dhe tërheqëse, me mundësi të shumta ku të gjithë mund ta gjejnë veten më së miri.

Leksionet e hapura, aktivitetet jashtë ambienteve të universitetit, konkurset, organizimet studentore, këta janë vetëm disa nga faktorët që e pasurojnë eksperiencën të studiuarit në UET.
Ndërkohë që viti akademik 2017-2018 është në përfundim, studentët po japin provimet e tyre të fundit. Një nga gjërat që do t’iu mungojë më së shumti këtë verë janë klubet studentore të cilat i kanë frekuentuar përgjatë vitit. Së bashku me përfundimin e vitit akademik edhe këto organizime studentore përmbyllin suksesshëm aktivitetin e tyre për këtë vit.
Të shumta në numër dhe të ndërtuara mbi një larmishmëri fushash në të cilat studentët mund ta gjejnë veten, klubet studentore janë një nga mënyrat e preferuara për të shpenzuar kohën e lirë gjatë vitit shkollor. Organizimi i klubeve është bërë në mënyrë të atillë që të plotësojnë të gjithë spektrin e dëshirave dhe nevojave të studentëve që nga klubi i librit, i Filozofisë dhe i Debatit, të cilat nxitin te çdo student aftësitë e mendimit kritik e analitik dhe aftësitë komunikuese e deri te klubet me veprimtari artistike apo sportive. Për të plotësuar kohën e lirë, por edhe pasionet e studentëve janë krijuar edhe “klubet e argëtimit”.
Dekania e Studentëve, Odeta Cacaj, rrëfen se si klubet studentore të UET janë tashmë një nga shtyllat më të rëndësishme, në organizimin e jetës studentore.
“Klubet studentore në UET janë një strukturë shumë e rëndësishme që përbën jetën studentore. Këto organizime iu mundësojnë studentëve të quhen studentë në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm në aspektin akademik. Ato u mundësojnë atyre një hapësirë ndryshe ku mund të përfitojnë një orientim në karrierë si edhe fitimin apo përforcimin e aftësive ndërpersonale dhe një jetë sociale më aktive. Në filozofinë e UET studentët inkurajohen të japin idetë e tyre dhe të jenë kreativë ndaj klubet janë hapësira e ndërtuar posaçërisht që ata të jenë kreativë dhe të vënë në praktikë idetë e tyre”.
Klubet studentore nuk janë vetëm një mënyrë argëtimi apo shpenzimi për kohën e lirë por gjithashtu një alternativë interesante për të investuar në dije.
“Tërësia e klubeve studentore në UET, të tillë si Klubi i Sociologjisë, i Artit, i Mendimit Kritik, i Debatit etj., nëpërmjet aktiviteteve që zhvillojnë, bashkëpunimeve me institucione të tjera arsimore apo organizata të njohura, u mundësojnë studentëve përmirësim në shumë aspekte, të përfitojnë aftësi lidershipi, aftësi komunikuese zhvillim të mendimit kritik etj.”, – shprehet Dekania e Studentëve.

Në Universitetin Europian të Tiranës, studentët janë të angazhuar në krijimin e një mjedisi ideal për veten ndaj edhe organizimi dhe roli koordinues në klube shpesh u përket atyre.
Hygerta Aruci, koordinatorja e klubeve studentore rrëfen se si këto struktura janë një vatër socializimi mes të rinjve, një mënyrë për të investuar në pasione dhe një mundësi shumë e mirë për studentët për të zgjeruar njohuritë në fushat e tyre të interesit.
“Prania e studentëve në klube jep mundësinë për të krijuar një jetë studentore me aktivitete argëtuese por në të njëjtën kohë u jep mundësinë studentëve të shprehin pasionet e tyre. Në UET ofrohen një shumëllojshmëri klubesh te të cilat secili mund ta identifikojë veten. Jo pak herë, studentë të një dege të caktuar aktivizohen në një ose më shumë klube që mund të mos kenë lidhje të drejtpërdrejtë me profesionin e tyre të ardhshëm dhe kjo gjë iu jep mundësinë të shprehin talentet që ndoshta nuk iu është dhënë mundësia t’i shfaqin më parë. Kjo është mundësia më e mirë që japin klubet studentore, shumëllojshmërinë në zgjedhje”- tregon Hygerta.


“Pjesëmarrja e studentëve këtë vit ka qenë relativisht e madhe dhe dëshira e mirë te gjithsecili prej nesh është që aktivitetet dhe organizimet brenda klubeve t’i shtojmë vitin e ardhshëm. Idetë dhe sugjerimet kanë qenë të shumta, një pjesë e të cilave janë zbatuar gjatë këtij viti por vizioni është edhe për vitin e ardhshëm”.

Studentët e UET rrëfejnë se si klubet kanë qenë një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre studentore këtë vit akademik.

Eldi-Tafilaj-300x300Eldi Tafilaj, Klubi i Mendimit Kritik, një hapësirë frymëzuese

Eldi Tafilaj është student në vitin e dytë, në Fakultetin Juridik në UET dhe gjatë këtij viti akademik ai ka qenë pjesëmarrës në shumë klube studentore.
“Dëshira ime për të qenë sa më i angazhuar në aktivitete të ndryshme ka bërë që të marr pjesë në shumë klube. Por do të veçoja me kënaqësi Klubin e Mendimit Kritik, që ka qenë vërtet frymëzues në shumë drejtime”.
Klubi i Mendimit Kritik është krijuar nga vetë studentët e UET për herë të parë këtë vit akademik. Eldi rrëfen se si aktivitetet në këtë klub kanë qenë të shumta dhe se kjo përvojë ka qenë dobiprurëse për të.
“Klubi është krijuar për herë të parë këtë vit nga iniciativa jonë. Për këtë arsye ai është kthyer në një hapësirë shumë të dashur për ne. Në mbledhjet e përjavshme kemi diskutuar një varietet temash. Synimi kryesor ka qenë që të përfitojmë një shikim kritik mbi realitetin e sotëm, në mënyrë që ne të kemi mundësinë të përmirësojmë çfarë nuk shkon në shoqërinë në të cilën bëjmë pjesë. Rrezja e tematikave ka qenë e gjerë me diskutime të cilat kanë qenë përherë frymëzuese dhe që sigurisht më kanë dhënë mundësinë të formoj një mendim të plotë për secilën nga temat e trajtuara. Ky klub më ka mundësuar të rritem në shumë drejtime si dhe të jem më i hapur ndaj mendimeve të të tjerëve, falë shkëmbimeve të vazhdueshme të ideve dhe eksperiencave të kolegëve të mi”, tregon ai.
Duke qenë pjesë e klubeve për të dytin vit tashmë, për Eldin pjesëmarrja në të tilla organizime është shumë e rëndësishme.
“Ne si studentë jemi të impenjuar ta risjellim Klubin e Mendimit Kritik edhe vitin tjetër. Padyshim do ua sugjeroja këtë klub të gjithë studentëve, dhe jo vetëm këtë, por çdo klub studentor në UET, sepse kjo është një eksperiencë e shkëlqyer. Personalisht më kanë mundësuar të fitoj siguri në njohuritë e mia dhe të zgjeroj interesin në fusha të ndryshme”.

marcello-Kapaj-300x300Marcello Kapaj, klubet si alternative më e mirë për të shpenzuar kohën e lirë

Marcello Kapaj është student në vitin e parë, në degën Financë-Bankë.
Viti i tij i parë i studimeve në Universitetin Europian të Tiranës ka qenë i karakterizuar nga pjesëmarrja aktive në jetën sociale të këtij universiteti, si në Qeverinë Studentore ashtu edhe në Klubet Studentore.
“Unë kam marrë pjesë në shumë klube por ndër më të preferuarit e mi kanë qenë Klubi i Debatit dhe Klubi i Mendimit Kritik. Mendoj se këto organizime janë një alternativë e mirë për të kaluar kohën e lirë si dhe një mundësi po aq e mirë për t’u njohur e për të shkëmbyer eksperienca me studentë të tjerë të degëve të ndryshme”, tregon Marcello.
Klubi i Debatit, ka qenë ndër ata klube ku Marcello ka qenë më së shumti aktiv.
“Debati, ka funksionuar në formatin Karl Popper dhe të ndarë në grupe studentët debatonin me qëndrimet pro ose kundër për një temë të caktuar, brenda një afati kohor të caktuar. E gjithë mënyra se si ky klub ka funksionuar, mendoj se na ka ndihmuar të ndërtojmë argumentet tona më mirë në përditshmëri, të performojmë më mirë qëndrimet tona dhe padyshim “të dëgjojmë” më mirë, kështu që mendoj se të gjithë kemi përfituar prej tij”, -shprehet Marcello në lidhje me mënyrën se si ka funksionuar klubi i tij i preferuar. Ndërkohë këtë eksperiencë tregon se do ta përsërisë vitin e ardhshëm për shkak se është i mendimit se klubet janë një nga mënyrat më të mira për të shpenzuar kohën e tij të lirë.

 


Enxhi-Thoma-300x300Enxhi Thoma: “Klubet ofrojnë një mori temash interesante për të diskutuar”

Enxhi Thoma është një tjetër studente e Universitetit Europian të Tiranës e cila ka qenë pjesë e Klubeve Studentore për këtë vit akademik. Ajo studion në degën Juridik i Përgjithshëm dhe sapo ka përfunduar vitin e dytë të studimeve.
“Kam marrë pjesë në klube të ndryshme ndër të cilat mund të përmend Klubin e Juristëve, Klubin e Sociologjisë, atë të Vullnetarëve, të Artit dhe të Librit, për të dytin vit akademik. Kam zgjedhur të jem pjesë e shumë klubeve sepse mendoj se secili prej tyre, më ndihmon, në degën për të cilën unë studioj. Falë tyre kam mundur të zgjeroj njohuritë edhe përtej atyre çfarë trajtohen në mësim”, rrëfen Enxhi në lidhje me eksperiencat e saj në Klubet Studentore.
Pjesë në shumë prej klubeve studentore në UET, Enxhi tregon se një ndër të preferuarit e saj është ai i sociologjisë.
“Në këtë klub mblidhen studentë nga degë të ndryshme dhe së bashku diskutojmë në lidhje me tema të caktuara. Temat që kemi trajtuar më kanë ndihmuar të zgjeroj njohuritë jo vetëm në fushën time të studimit por në një farë mënyre më kanë ndihmuar të kuptoj botën në forma të ndryshme”.
Për të, eksperiencat kanë qenë tejet pozitive dhe kjo gjë e bën të shprehet me siguri se edhe vitin tjetër do të jetë po aq aktive në klubet studentore.
“Sigurisht që do të jem sërish pjesë e klubeve studentore, dhe me shumë siguri në vetvete ua sugjeroj pjesëmarrjen të gjithë studentëve. Për ta do të jetë padyshim një mundësi shumë e mirë për të diskutuar për shumë tema interesante”.

Elda-Baruti-300x300Elda Baruti, një juriste në Klubin e Artit

Studentja e vitit të dytë, Elda Baruti, është gjithashtu pjesëmarrëse aktive në jetën studentore të UET. Ajo ka zgjedhur të jetë pjesë e disa prej Klubeve Studentore në UET pasi i sheh si një mundësi shumë të mirë t’u socializuar dhe për të shkëmbyer ide dhe eksperienca me kolegët e saj.
“Klubet ku kam marr pjesë janë disa në numër, për vetë arsyen e socializimit që klubet në UET ofrojnë për studentët. Disa prej klubeve ku kam qenë mjaft aktive në pjesëmarrje kanë qenë ato të Juristëve, klubi i Librit, klubi i Sociologjisë, klubi i Artit, si dhe klubi Vullnetarëve”, tregon Elda.
Krahas “të investuarit” në profesion, klubet studentore i ofrojnë Eldës mundësinë e “të investuarit” në një dy nga pasionet e saj më të mëdha, librat dhe artit.
“Klubin e leximit dhe të artit i përzgjodha për shkak të pasioneve të mia. Arti, sidomos ai i të shkruarit, bashkë me leximin e letërsisë, janë disa ndër pasionet e mia më të mëdha. Të flasësh për artin, të diskutosh mbi të, të flasësh rreth librit dhe ta promovosh atë është një mundësi e shkëlqyer që m’u dha nga Universiteti Europian i Tiranës. Mundësi e cila e munguar prej kohësh në ambiente të tjera të shoqërisë. Nga ana tjetër, klubi i sociologjisë dhe vullnetarëve janë dy klube të cilat lidhen dhe më shumë se kushdo klub tjetër me shoqërinë, humanizmin, lindjen e kësaj ndjenje njerëzore si dhe me shpjegimin e shumë ndjenjave të tjera të alternuara në shoqëri” -shprehet Elda në lidhje me arsyet se përse ka vendosur të jetë pjesë e një sërë klubesh që UET ofron për studentët e tij.
Benefitet që ka marrë prej këtyre klubeve, Elda shprehet se janë të shumta.
“Klubet studentore janë një mundësi që nuk duhen humbur apo neglizhuar. Janë pikërisht ato që karakterizojnë ndryshimin në UET. Na bëjnë ne më social, na ndihmojnë të kalojmë kohën e lirë në një mënyrë jo vetëm më të frytshme por dhe më ndryshe nga shumica. Miqësitë e reja, diskutimet si dhe ndarja e pasionit me njëri-tjetrin janë ato çfarë klubet studentore kanë si qëllim në vetvete.. Klubet studentore dhe në vitin e ardhshëm akademik, pra në vitin tim të tretë do të jenë mënyra dhe vendi se ku do t’i kaloj pasditet e mia në një mënyrë mjaft produktive dhe mjaft argëtuese dhe relaksuese”.


Alesia-Nazaj-300x300Alesia Nazaj: “Duhet të vlerësojmë çdo mundësi që na jepet”

Alesia Nazaj studion në degën Informatikë ekonomike dhe sapo ka përfunduar vitin e parë të studimeve në UET. Ajo është bërë pjesë e klubeve studentore të UET pasi i sheh si një mundësi shumë të mirë për të zgjeruar njohuritë e saj në fusha të shumta, që nuk lidhen domosdoshmërisht me profesionin e saj të ardhshëm.
“Klubet studentore janë mundësia më e mirë që UET na ofron gjatë gjithë vitit shkollor, sepse krahas mësimeve ne arrijmë që të kemi një jetë studentore aktive dhe sa më produktive. Unë jam regjistruar në shumë klube studentore si: Klubi i Vullnetarëve, i Informatikës, i Artit, i Sociologjisë, i Përkthimit etj. Përveç klubeve që kanë lidhje me degën që studioj, kam zgjedhur edhe klubet me tema sociale sepse më pëlqen të di sa më shumë edhe rreth fushave të tjera. Që me mundësojnë që kohën time të lirë ta kaloj duke përfituar” tregon Alesia e cila vjen edhe me një eksperiencë jetese nga një vend i huaj.
Ajo rrëfen se klubet e kanë ndihmuar ndër të tjera ta njohë më mirë Shqipërinë në shumë aspekte.
“Klubi im i preferuar është Klubi i Artit. Çdo herë trajtohen tema shumë interesante, të cilat shoqërohen me forma të ndryshme argëtimi, dokumentarë, vizita në vende të ndryshme, të ftuar të veçantë etj. Nga ky klub unë kam përfituar shumë njohuri rreth një fushe me të cilën s’jam aktivizuar asnjëherë më parë. Për më tepër prindërit e mi kishin emigruar në Greqi, ku unë u linda dhe jetova rreth 11 vite dhe ajo që më ka tërhequr interesin gjithmonë ka qenë të di më tepër rreth vendit tim dhe Klubi i Artit më ka bërë të përfitoj njohuri pikërisht rreth vlerave kulturore dhe të artit të vendit tonë”.
Si pjesë e jetës studentore për herë të parë këtë vit, Alesia shprehet se klubet studentore e kanë ndihmuar të gjendet mirë në këtë mjedis të ri siç është universiteti.
“Prania e shumë klubeve bën që secili student ta gjejë veten diku. Kështu që vitin tjetër jo vetëm që do të shkoj në to por do t’iu sugjeroja, sidomos studentëve të rinj, mos ta humbasin një mundësi të tillë. Vitet e arsimit të lartë do të jenë shumë herë më të bukura dhe me vlerë për ne atëherë kur do arrijmë të menaxhojmë kohën, jo vetëm për të studiuar por edhe t’i kalojmë ato vite duke shtuar dijen për aspektet që kemi interes dhe pse jo të zgjerojmë botëkuptimin tonë. Të gjithë e vumë re se sa shpejt kaloi ky vit shkollor, prandaj të vlerësojmë çdo mundësi që universiteti ynë na ofron në interesin tonë!”.

Esimagra-Latifi-300x300Esimgra Latifi: “Dashuria për librat më motivon”

Esimagra Latifi, studente në degën Shkenca Politike, ka qenë gjithnjë një studente aktive në jetën sociale të UET, dhe për të klubet studentore kanë qenë zgjedhja e duhur për të shpenzuar kohën e saj në mënyrë produktive.
“Unë kam qenë pjesëmarrëse aktive dhe e përhershme në të gjitha klubet e krijuara nga vetë studentët por edhe pedagogët, mundohesha të koordinoja kohën që të shkoja te të gjitha, për të qenë pjesë e debateve, përzgjedhjeve tematikore dhe diskutimeve në grup. Ka qenë një vit shumë aktiv, pasi përtej leksioneve apo seminareve një pjesë e mirë e praktikës së debatit, dhe marrjes së informacioneve përtej faqeve të librave ndodhen aty në klubet tona studentore”, shprehet Esimagra.
Këtë vit akademik, ajo ka qenë mentore e Klubit të Librit dhe tregon më tepër në lidhje me këtë eksperiencë.
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë me librat. Dëshira ime për të folur për librat ka qenë aq e madhe sa nuk kishte dhe nuk ka të përshkruar. Kur u zgjodha mentore e këtij klubi u ndjeva mirë dhe në heshtje me veten, mendova se kjo do të ishte mundësia e duhur për t’i dhënë vëmendjen e merituar çdo libri. Së bashku me Alda Bardhylin dhe studentët pjesë të klubit, ia dolëm, por ka ende shumë punë për të bërë, ka shumë aktivitete që duhen nxitur dhe këto mbi të gjitha duan kohë. Ne kohë kemi, kështu që do të kemi shumë aktivitete të bukura edhe gjatë verës”.
Esimagra tregon se të gjithë studentët pjesë e klubit të librit kanë punuar fort së bashku për të risjellë librin në vëmendje dhe se eksperienca ka qenë e jashtëzakonshme, falë aktiviteteve të shumta që janë organizuar me fokus librin, dhe që në veçanti nga klubet e tjera do të vazhdojnë të organizohen edhe gjatë verës.
“Klubet më kanë mësuar shumë, më kanë mësuar të debatoj, më kanë mësuar të flas në publik, me kanë dhënë informacionet që kam dashur të marr nga ai klub, shkurt e qartë më kanë formuar për aq kohë sa unë i ndoqa dhe që absolutisht mezi pres vitin e ardhshëm për t’i rindjekur sërish. Por Klubi i Librit më ka dhuruar një ndjesi të veçantë. Kam fituar një miqësi të rrallë me të gjithë studentët që ishin dhe janë dhe do të jenë pjesë e atij klubi. Të gjithë ne fitojmë kënaqësi , lumturi dhe gëzim e mbi këto ndërtohet një motivimin për të ecur përpara drejt qëllimeve tona”-shprehet Esimagra.