VisegradNë kuadër të projekteve të ndryshme dhe me synim rritjen e ndërkombëtarizimit të UET, vjen për studentët e universitetit përvoja e vendeve të Europës Qendrore gjatë procesit të integrimit.

Eksperienca e integrimit europian për Poloninë vjen në Shqipëri nëpërmjet profesorëve të njohur nga universitetet e këtyre vendeve, të ftuar në Universitetin Europian të Tiranës. Projekti “Politikat e BE-së: Eksperiencat e mësuara nga vendet e Vishegrad”, mbështetur nga Fondi Vishegrad për studimet Universitare do të mundësojë këto leksione.


Nëpërmjet këtij projekti synohet të transferohen njohuritë, praktikat më të mira dhe sfidat e integrimit Europian nga vendet Vishegrad (Hungari dhe Poloni) drejt vendeve aspirante për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE (si Shqipëria) nëpërmjet zhvillimit të kurseve akademike të përbashkëta, mes lektorëve të përfshirë në projekt. Në këtë kuadër vjen në UET prof. Habil Janusz Ruszkowski nga Universiteti Sczcecin, Poloni me një traditë në Shkencat sociale.

Në datat 8 dhe 9 qershor 2018, kërkuesi i njohur në fushën e studimeve europiane ndan me studentët e UET leksionet dyditore tematika e të cilave është europianizimi si proces i dyanshëm nga BE drejt vendeve kandidate dhe anasjelltas.

Prof. Ruszkowski cilësoi të rëndësishëm faktin se europianizimi në vendet kandidate si Shqipëria është mjaft i rëndësishëm sidomos në stadin kur vlerat e popullsisë janë në konvergjencë me ato të BE. Prof. Ruszkowski theksoi rëndësinë e pajisjes së rinisë në vendet kandidate me njohuri të thella mbi BE-në, europianizimin si proces.

Ky projekt mundësohet nga Fondi i Vishegradit për Studimet Universitare (VUSG), i cili është një program me mbështetje financiare për universitetet me qëllim që të zhvillojnë dhe promovojnë module akademike ose programe studimore të cilat merren në mënyrë specifike me fenomene të katër vendeve të Vishegradit: Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia.

Çdo universitet në botë mund të aplikojë për këtë fond për sa kohë që synon të zhvillojë module apo programe studimore që lidhen me eksperiencat dhe mësimet e nxjerra nga vendet e Vishegradit, si p.sh. sa iu takon proceseve të integrimit. Ky është viti i fundit i këtij projekti specifik dhe gjatë tri viteve akademike është mundësuar pritja e ekspertëve të ndryshëm nga universitete cilësore partnere në Europën qendrore si Sczczecin dhe CEU.