UETKërkimi shkencor në UET zë një vend qendror dhe është bazë e mësimdhënies dhe veprimtarisë së stafit universitar. Kërkimi shkencor bazohet në tri shtylla: Studimet e Doktoratës, Revistat shkencore, si dhe Biblioteka dhe/ose njësia e lëndëve metodologjike në UET, nga niveli Bachelor deri në atë Doktoral.

 

Programet e Doktoratës kanë një rëndësi kyçe, pasi nxjerrin hulumtuesit e parë dhe punonjësit e parë shkencorë të përgatitur në UET. Po ashtu, Programet e Doktoratës ofrojnë udhëheqje shkencore për kandidatët doktoralë dhe strukturojnë punën kërkimore të stafit pedagogjik sipas drejtimeve specifike kërkimore.

Veprimtaria kërkimore shkencore në UET mbështetet gjithashtu në revistat periodike shkencore, botimet prestigjioze me objekt studimi në shkencat sociale, ato të ekonomisë, psikologjisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike, historisë etj. Kjo veprimtari mbështetet nga shtëpia botuese UET Press. Këto punime periodike shkencore janë organe të fakulteteve dhe qendrave të kërkimit shkencor të UET-it, që pasurojnë debatin akademik dhe ofrojnë prurje cilësore, jo vetëm të autorëve shqiptarë, ndërsa Zyra për Zhvillimin e Projekteve dhe Kërkimit në Universitetin Europian të Tiranës ofron një gamë të gjerë ekspertize në shkencat sociale, ekonomi, ligj, edukim, komunikim dhe teknologji informacioni, me synim përfshirjen në studime dhe kërkime inovative, të orientuara drejt politikave dhe zhvillimit të aktiviteteve në fushat e sipërpërmendura. Universiteti Europian i Tiranës ka lançuar Programi i madh kërkimor 2015-2020, i cili inkuadron 7 projekte kërkimore me drejtimin e profesorëve më të mirë në UET, të cilët bëjnë një riorganizim të përgjithshëm të kërkimit shkencor sipas disa niveleve sipas programit “Shqipëria Inovative 2015-2020”. Çdo vit përfshihet një buxhet prej 500 mijë eurosh që i dedikohet në formën e granteve kërkimore që jepen kundrejt matjes së indikatorëve të performancës.