uet-640x361“Rëndësia e këshillimit të karrierës në vendimmarrje” ishte tema që mblodhi sot në një diskutim të gjerë mbi 100 drejtues të gjimnazeve shtetërore dhe private në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës në kuadër të Forumit të 11-të Gjimnaz-Universitet, e cila përkon me fushatën e UET – 100 Gjimnaze Partnere

Për të gjetur karrierën e duhur, maturanti duhet të kuptojë më së miri profilin e studimeve që duhet të zgjedhë dhe nëse aftësitë përputhen me interesat për atë profil studimi. Një maturant mund të dëshirojë të arrijë arkitekturën duke menduar se ai është i mirë në matematikë, por në realitet arkitektura ka shumë më tepër se kaq, ku shpeshherë studentët nuk arrijnë të gjejnë veten dhe ose e ndërrojnë degën e studimit në fund të vitit të parë, ose më keq akoma ata vazhdojnë pa dëshirën më të vogël duke ulur ndjeshëm interesin për degën që kanë zgjedhur.

Duke e parë në këtë këndvështrim Universiteti Europian i Tiranës organizoi forumin e 11-të Gjimnaz–Universitet për një diskutim të gjerë me drejtuesit e mbi 100 gjimnazeve publike dhe private në Shqipëri se si gjimnazet të arrijnë t’u sigurojnë maturantëve këshillimin e duhur në mënyrë që këta të fundit të zgjedhin degën e duhur që u përshtatet më shumë aftësive dhe interesave që kanë.

Ka qenë insistimi i UET, i cili është edhe universiteti i parë në Shqipëri që e ka zhvilluar këshillimin e karrierës jo vetëm në auditorët e universitetit por duke e përcjellë në çdo gjimnaz qoftë shtetëror apo privat që edhe universitete të tjera të projektojnë nisma të tilla.

Këshillim karriere janë dy fjalë shumë të thjeshta, por pesha dhe forca e tyre është shumë e madhe dhe ndonjëherë jo pa të drejtë, thuhet që të këshillosh mirë për një karrierë është më shumë sesa vetë rëndësia e karrierës. Kështu e nisi fjalën e tij presidenti i UET prof. dr. Adrian Civici, duke sjellë në vëmendje të pranishmëve një shembull nga eksperienca personale, se sa e rëndësishme është që të marrësh një këshillë të mirë për karrierën dhe pastaj të paktën të përpiqesh ta zbatosh atë.

Për Presidentin e UET të këshillosh një maturant për karrierën e tij është një moment tepër i rëndësishëm, pasi të gjithë aktorët që marrin pjesë në këtë vendim, siç jeni ju drejtuesit e shkollave të mesme, universiteti, familja, nuk duhet të bien në pozita formaliste, si: cili është profesioni, cili është universiteti ose cila degë merret më lehtë, ose të bën më shpejt të fitosh para, ose që është më i lehtë në jetë. Këshillimi i karrierës shkon përtej tyre.

“Gjëja që do i këshilloj më shumë maturantët për të zgjedhur, nuk është thjesht një emër fakulteti, emër universiteti ose një degë, përveç rasteve kur kanë talente shumë të spikatura në një fushë. Por është këshillimi që sot, në epokën moderne ku jetojmë, çdo degë dhe çdo profesion mundet të garantojë një karrierë shumë të suksesshme nëse ti e bën si duhet. Pra, shumë e rëndësishme është që ata të kuptojnë që thelbësor është përvetësimi maksimal dhe cilësor i dijeve dhe njohurive dhe pastaj karriera, e cila ndërtohet hap pas hapi nëse je “i armatosur” me këtë lloj gjëje”, shtoi Presidenti i UET.

E ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës, drejtoresha e Arsimit Universitar pranë Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Zamira Gjini, u shpreh: “nuk mund ta refuzoja kurrsesi ftesën për vetë rëndësinë që ka tematika e këtij forumi”. Gjatë fjalës së saj znj. Gjini u shpreh se ministria e ka në plan afatshkurtër që të forcojë më shumë qendrat e këshillimit të karrierës në shkollat e mesme.

“Gjej rastin këtu, t’ju sjell edhe një herë në vëmendje drejtuesve të gjimnazeve punën që duhet të bëjnë në këtë moment, me maturantët por edhe me nxënësit e klasave të 11-ta, për t’i ndihmuar ata që si të orientohen drejt karrierës dhe drejt asaj që ata duan të bëjnë në jetën e tyre. MASR është duke u angazhuar që të rritet më fort roli i këshilluesve të karrierës, pasi është shumë i rëndësishëm që ky proces i këshillimit të karrierës, për maturantët dhe për nxënësit e klasës së 11-të të jetë më i pranishëm te ta. Sot ne jemi në momentin kur nga data 19 Shkurt deri në javën e parë të Marsit, janë quajtur ditët e promovimit të IAL-ve, në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale. Pra, universitetet janë ftuar të shkojnë në qarqe, në rajone dhe të prezantojnë të gjitha programet e tyre dhe kriteret që ato kanë për pranimet e maturantëve në programet e institucioneve të arsimit të lartë”, u shpreh drejtoresha e Arsimit Parauniversitar.

Rektori i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj solli në vëmendjen e drejtuesve të gjimnazeve se Universiteti Europian i Tiranës ka gjithmonë në qendër të vëmendjes maturantin, pasi maturanti i sotëm është studenti i nesërm dhe stafi akademik i UET është i bindur, se ka ende një hendek midis arsimit të mesëm dhe arsimit të lartë.

“Në këto forume ne tentojmë të iniciojmë diskutim dhe debate të hapura, me tematika që kanë interes publik pra siç janë cilësia e edukimit, e arsimimit e reformimit të sistemit arsimor dhe besoj kolegët e mi në UET, burimet njerëzore që ne kemi, pra i gjithë institucioni ynë, ka qenë në vijën e parë të këtij debati, qoftë edhe me kosto, dhe ne sërish jemi të vendosur të vijojmë një debat të tillë për reformimin e arsimit, natyrisht, kryesisht në të arsimit të lartë, por pse jo dhe për arsimin parauniversitar dhe ne jo më kot kemi instaluar një forum të tillë”.

Për Rektorin Gjuraj, Universiteti Europian i Tiranës është i vetmi universitet ne vend që është përpjekur që të sjellë në vëmendje çështje, tematika të ndryshme që lidhen me maturantët dhe me sistemin parauniversitar në tërësi. Të gjitha forumet që UET ka organizuar i ka kthyer në policy paper duke ia kaluar më pas Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë apo në institucionet e tjera në mënyrë që të ndikohet në vendimmarrje, për interesin publik.

“Ne si universitet jemi të lumtur që në tërësi ka patur vendimmarrje të rëndësishme dhe ka patur ndryshime thelbësore në legjislacion, absolutisht si rezultat i diskutimeve që kanë ardhur nga forume të tilla. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe në këtë rast, që të mund të përmirësojmë sa më shumë sistemin parauniversitar,” shtoi Rektori i UET.

Pikëpamja e trajtimit të koncepteve fillon me orientimin, vazhdon me këshillimin dhe niveli më i lartë duhet të jetë edukimi. Tri koncepte themelore këto për Shefin e Departamentit të Edukimit prof. asoc. dr. Tomi Treska, orientim, këshillim, edukim, e cila duhet të fillojë nga edukimi dhe duhet të përfundojë me orientimin. Maturantët vetëm po orientohen gjimnazet tona. Koncepti i karrierës duhet të ndërtohet mbi bazën e konceptit të edukimit dhe në kuptimin tim duhet të fillojë që nga klasa e parë, sepse ka të bëjë me aftësinë e identifikimit të nevojave, ka të bëjë me prioritizimin e nevojave, ka të bëjë me procesin e vendimmarrjes, ka të bëjë me njohjen e vetvetes, me atë që u quajt këtu vetëvlerësim dhe e gjitha kjo duhet të jetë një proces linear që nga klasa e parë dhe deri në maturë. Që të mos jemi përpara një vendimmarrje të vështirë në prag të çdo maturanti për të përcaktuar drejtimin e tij në jetë.

Gjithashtu, profesori i Shkencave të Edukimit vuri theksin edhe në sistemin e vlerësimit në gjimnaze, ku në sistemin parauniversitar nota është fetishizuar, i është rritur rëndësia dhe është kthyer në indikatorin vendimtar të vlerësimit të performancës së nxënësit. Ndërkohë që në kuadrin dhe këndvështrimin e këshillimit të karrierës, duhet të njohim nxënësin si fëmijë, me personalitetin, karakterin, dinjitetin dhe integritetin e tij.

Dekania e studentëve, Anisa Subashi, e cila është edhe Doktor Shkencash në Shkenca Sociale, gjatë prezantimit të saj në forum u propozoi drejtuesve të gjimnazeve që është shumë e rëndësishme që maturantëve t’u vihet në dispozicion një test psikometrik. “Ky lloj testi ka në thelb pikat e forta dhe dobësitë e maturantëve dhe nxjerr në pah prirjet dhe interesat e tyre. Ideja e këtij testi është për të kuptuar më mirë, përputhjen e këtyre prirjeve me interesat e tyre të cilat jo gjithmonë përputhen me njëra-tjetrën”. Duke falënderuar pjesëmarrësit në këtë forum i cili është edhe forumi i 11-të që UET organizon me 100 gjimnazet kryesore të vendit, Subashi theksoi se kjo tematikë nuk u vendos në mënyrë arbitrare, por duke parë edhe rëndësinë që ka te maturantët ne menduam se kush më mirë se drejtuesit dhe përfaqësuesit e gjimnazeve mund të këshillojnë maturantët se cilin profil studimi duhet të zgjedhin.

“Ne gjithmonë kemi prekur tema të cilat kanë qenë tema aktuale, strategjitë, ligjet e arsimit parauniversitar, gjithmonë kanë qenë tema me të cilat kemi patur ndeshje herë pas here, por kjo temë ka qenë vazhdimisht e kërkuar, si nga psikologët e shkollave, si nga mësuesit, të cilët merren me këshillimin e karrierës, ashtu edhe nga drejtuesit”.

arbi-agalliu-300x300Agalliu: Maturantët duhet të këshillohen jo vetëm për degën studimeve por edhe për universitetin që duhet të zgjedhin

Administratori e UET prof. asoc. dr. Arbi Agalliu gjatë fjalës së tij në forum u shpreh se për maturantët është shumë i rëndësishëm që maturantët jo vetëm të këshillohen në mënyrën e duhur për profilin e studimeve që duhet të zgjedhin, por gjithashtu ata duhet të këshillohen edhe për universitetin që zgjedhin. Agalliu vuri theksin në 5 elementet kryesore që një maturant duhet të dijë kur të zgjedhë universitetin në të cilin do të ndjekë studimet e veta, duke marrë si referim Universitetin Europian të Tiranës. Ai u shpreh se Akreditimi, Ndërkombëtarizimi, Tregu i Punës, Bursat dhe Jeta Studentore janë elementet që e veçojnë këtë institucion nga të tjerët.

“1. Akreditimi! UET është vlerësuar me “FULLY MET” nga Agjencia Britanike e Cilësisë (QAA), ku nga vlerësim Bordi i Akreditimit të IAL-ve e certifikoi UET me 5 vjet Akreditim, ndryshe nga universitetet shtetërore ku pikërisht ai i Tiranës vetëm me një vit akreditim.

2. Ndërkombëtarizimi! Diplomat e UET jo vetëm që njihen kudo, por vetëm në dy vitet e fundit mbi 150 studentë të UET kanë ndjekur një edhe më shumë semestër në universitetet më prestigjioze të Europës.

3. Tregu i Punës! UET më anë të bordeve të tregut të punës që ka për çdo departament por edhe me anë të Projektit 250+ arrin t’u sigurojë mbi 90 % të studentëve mundësi punësimi në kompanitë më të mëdha në vend.

4. Bursat! UET ka dhënë mbi 2500 bursa të plota dhe të pjesshme për studentë të shkëlqyer, për shtresa sociale në nevojë, për lidership të ri politik dhe për të rinjtë e talentuar, si dhe bursat PASHKO çdo vit për 10 studentë ekselentë dhe me rrethana familjare të vështira nga mjedise sociale të pafavorizuara. Në të njëjtën kohë për secilin prej tyre, UET merr përsipër t’i paguajë shpenzimet e jetesës për 36 muajt e studimit me 25 mijë lekë të rinj në muaj.

5. Jeta studentore! Aktivitetet studentore në UET shkojnë përtej auditorit, të cilat organizohet në 25 klube të ndryshme, ku studentët ndjekin pasionet e tyre nga libri te futbolli, nga filozofia te teatri, nga ambientalizmi tek udhëtimet”.