Kristi-Progri-2017Kristi Progri: “Internet Advocay” dhe “Digital Diplomacy”, dy nga fushat me më shumë perspektivë për sa i përket politikës. Duhet të ketë më shumë varietet degësh studimi në anën e informatikës. E shoh si një fushë që sa më shumë kohë kalon aq më shumë do rriten kërkesat”.

Ata që e kanë kaluar si përvojë studimin në UET bëjnë vlerësimet dhe japin rekomandimet e tyre për përvojën e kaluar. Një ndër to është edhe Kristi Progri, e cila vlerëson përvojën e kaluar në UET, dhe në të njëjtën kohë kërkon zgjerimin e degëve, sidomos të atyre që mund të aksesohen nëpërmjet formave elektronike. Në një intervistë për gazetën MAPO, Progri shprehet “Mendoj që duhet të ketë më shumë varietet degësh studimi në anën e informatikës. E shoh si një fushë që sa më shumë kohë kalon aq më shumë do rriten kërkesat, teknologjia është kudo e mendoj që duhet të ketë një rëndësi të veçantë. Të jetë një institucion arsimor, që nxjerr programues e kodues shumë të mirë”.


Kur nisët studimet, si e morët vendimin të zgjidhnit një universitet privat dhe veçanërisht UET-in?

Për sa i përket temës, kisha patur miq më parë që kishin studiuar e kisha dëgjuar shumë fjalë pozitive për kualitetin e mësimdhënies e mendova që do ishte një investim më i mirë dhe më i vlefshëm për mua. Gjithashtu, dega e Marrëdhënieve Ndërkombëtare nuk ishte plotësisht në universitetin shtetëror për nivelin Bachelor, kështu që ishin 2 arsye shumë të forta që më bën të bëja zgjedhjet e mia.

Çfarë gjetët diçka – të keqe ose të mirë – që nuk prisnit në UET?

Gjeta gjëra shumë pozitive faktikisht. Duke filluar që nga kualiteti i mësimdhënies, respektimi i orareve të mësimit dhe pedagogët korrektë me studentët. Gjërat që s’më pëlqenin nuk mbaj mend shumë por diçka që kujtoj, ishin oraret e pasditeve dhe shumë orë në mes pritje nga një lëndë në lëndën tjetër, mendoja se mund të shmangeshin në universitete private.

Kur ndoqët programin mësimor të ciklit tuaj të studimeve, si ishte në raport me pritshmëritë tuaja në atë moment?

Mendoj se gjëja më e mirë ishte që nuk kisha pritshmëri ekzakte në lidhje me programin. E dija që do ishin shumë lëndë në lidhje me politikat e jashtme dhe diplomacinë. Programi më pëlqente dhe lëndët që zhvillonim. Mendoj që duhet të update-ohet pak edhe me lëndë që përfshijnë tashmë politikën në botën digjitale, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, edhe ndikimin që ka patur teknologjia në formësimin e saj. Mendoj se do jetë diçka që do shtohet ose do studiohet në një të ardhme pasi e shoh si diçka të paevitueshme në ditët e sotme.

Pasi kryet studimet dhe nisët tentativat e para në botën e punës, çfarë instrumentesh ju dhanë studimet për të avancuar më tej?

Edhe gjatë studimeve kam qenë në marrëdhënie pune, jo full time, por gjithsesi e kisha një lidhje. Puna ime faktikisht ka të bëjë me një rrugëtim që unë e kam nisur pa mbaruar gjimnazin ende. Kur shkova në universitet i kisha bërë të gjitha llogaritë e mia dhe sesi do e ndërthurja teknologjinë me Diplomacinë. Unë jam hacktiviste për teknologjitë “Free dhe Open Source Software” që prej 2012, ishte dhe viti ku ju bashkova dhe Open Labs Hackerspace, i cili është komuniteti ku promovohen teknologjitë me kod burim të lirë dhe të hapur, të dhënat e hapura, standardet e hapura teknologjike, privatësinë online dhe fuqizimin e domenit publik dhe licencave alternative të veprave kreative si Creative Commons. Jam e sigurt që shumë mund të mendojnë që nuk ka ndonjë lidhje direkt, mes dy degëve, informatikës dhe diplomacisë. Po ju jap vetëm një shembull, mes shumë të tjerave që janë; “Internet Advocay” dhe “Digital Diplomacy”, janë mendoj dy nga fushat me më shumë perspektivë për sa i përket politikës, të studiosh se si ndikon teknologjia në politikëbërjen mes dy shteteve dhe sesi tashmë ka marrë një tjetër formë dhe perceptim me ardhjen e një faktori të ri.

Çfarë do të donit sot të ndryshonit në raport me studimet që keni bërë në UET?

Nuk kam diçka realisht që do doja ta ndryshoja. Nëse do mund të kthehesha mbrapa do kisha bërë të njëjtën zgjidhje, është një degë që e kam shijuar në maksimum.

Çfarë sugjerimi do i jepnit si Alumni që keni provuar edhe studimet edhe karrierën, një studenti në UET?

Sa më shpejt të kuptojmë se çfarë duam të bëjmë dhe ku është fusha kur japim me të vërtetë më të mirën tonë, aq më e lehtë është të fokusohesh në atë gjë e të punosh fort që ta arrish. Gjithnjë kujtoj një shprehje: “Life begins at the end of your comfort zone”. Duhet të provojmë e të kemi kurajën të prekim gjerat që mendojmë se janë të paarritshme, mund të duken pa sens në fillim, por për aq kohë sa e duam atë gjë, ia vlen të provojmë çdo përpjekje.

Çfarë do i sugjeronit UET të përshtatë në lidhje me tregun e punës, diferenca: programi mësimor-kërkesat e botës së punës?

Mendoj që duhet të ketë më shumë varietet degësh studimi në anën e informatikës. E shoh si një fushë që sa më shumë kohë kalon aq më shumë do rriten kërkesat, teknologjia është kudo e mendoj që duhet të ketë një rëndësi të veçantë. Të jetë një institucion arsimor, që nxjerr programues e kodues shumë të mirë.

Çfarë do i thoshit sot një maturanti apo dikujt që do të ndjekë studimet në UET?

Do e rekomandoja. Një investim qe mendoj se ia vlen.

Mes tri alternativave të studimeve, studimeve në universitet shtetëror, privat apo jashtë vendit, cila është zgjedhja më e mirë për ju?

Nuk mundem dot të them një përgjigje ekzakte, varet shume nga rrethanat dhe nga faktori kohë.

Studimet jashtë vendit të japin një eksperiencë për jetën shumë ndryshe nga ç’mund të ballafaqohesh në vendin tënd, të bën më të përgjegjshëm e siç e përmenda më lart duhet të tejkalosh sfida të cilat të dalin përpara kur ikën nga “zona e rehatisë” nga familja e shoqëria e duhet ta fillosh nga fillimi.

Universitetin jashtë vendit do e zgjidhja për më tepër dhe për nga leksionet që do merrja jashtë dyerve të shkollës.

Cilën do të veçonit gjatë kësaj periudhe që nga diplomimi deri më sot, arritjen më të rëndësishme profesionale apo të karrierës?

Kam patur fatin e mundësinë qe në një moshë relativisht të vogël të punojë me organizata e kompani shume prestigjioze, si p.sh. Mozilla apo Free Software Foundation Europe, të cilat janë të njohura si lider në fushat përkatëse ku operojnë. Mozilla siç mund edhe ta dini është i njohur për një nga shfletueset më të fuqishme në botë siç është Firefox. Ndërsa FSFE është organizata më e madhe europiane ku ka fokus lobimi më shumë ndaj grupeve të interesave për të implementuar dhe përqafuar teknologjitë me burime të hapura. Gjithashtu jam dhe Mozilla Tech Speaker, është një program brenda në Mozilla ku trajnohen njerëz për të shkuar si folëse në konferenca të ndryshme në botë e të flas për tema teknike dhe jo vetëm me fokus në Mozilla, Firefox dhe Webin e hapur.
Gjithashtu gjatë gjithë këtyre viteve në hackerspace bashkë me komunitetin kemi pasuruar Wikipedian shqip, kemi edituar Open Street Map, kemi mbajtur shume workshope për sisteme të ndryshme operimi si Fedora, Debian etj. Një tjetër arritje shumë e madhe për mua është që jam pjesë e ekipit organizativ të një prej konferencave më të mëdha që mbahen në Ballkan; Open Source Conference Albania, ku këtë vit do jetë dhe edicioni i 5-të që zhvillohet në Tiranë. Mbi 60 persona vijnë nga vende të ndryshme të botës për të folur në Tiranë mbi rëndësinë e sigurisë, privatësisë dhe navigimit në një Web të lirë e të hapur për të gjithë.