uet 2Impakti i faktorëve psikosocialë mbi sjelljet shëndetësore të të rinjve dhe rasti i UET

Nga Erika Melonashi, Elsida Sinaj dhe Fleura Shkëmbi

Rinia e hershme përfaqëson një periudhë të rëndësishme zhvillimore, gjatë së cilës individi bën zgjedhje të qëndrueshme në lidhje me stilin e jetës. Rritja e pavarësisë dhe përballja me stresorë si zgjedhja e një karriere apo partneri, paraqesin faktorë risk për adaptimin e sjelljeve të pashëndetshme si konsumi i alkoolit, dietat e pabalancuara etj. Për këtë arsye një sërë studimesh në Psikologjinë e Shëndetit fokusohen te rinia e hershme, duke përdorur kampione studimore studentësh.

Aspekti teorik

Sjelljet shëndetësore përkufizohen si sjellje të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti (pozitivisht apo negativisht) mbi shëndetin e individit, p.sh. dietat ushqimore, përdorimi i substancave, aktiviteti fizik, raportet e mbrojtura seksuale etj. Teoritë dhe modelet në lidhje me sjelljet shëndetësore kanë qenë kryesisht me orientim kognitiv-bihejvioral (Rosenstock, 1974; Ajzen & Fishbein, 1980; Ajzen, 1991). Me gjithë kontributin e madh të këtyre modeleve, studimet bashkëkohore të fushës kanë gjithmonë e më shumë tendencën për t’u larguar nga një model i mirëfilltë (Melonashi, 2013; Norman & Conner, 2006; Song & Ling, 2011; Wechsler et al., 2003). Pra ka një përpjekje drejt inkorporimit të elementeve/faktorëve nga modele të ndryshme dhe propozimit të faktorëve të rinj të cilët nuk kanë qenë pjesë e një modeli të caktuar. Kjo tendencë ka rezultuar e suksesshme edhe e aplikuar në kontekstin shqiptar (Kalyva & Melonashi, 2013; Melonashi & Sinaj, 2013). Në këtë kontekst dyshja e madhe e faktorëve Individualë nga njëra anë (p.sh., vetë-efikasiteti, orientimi drejt riskut) dhe Socialë nga ana tjetër (p.sh., normat subjektive) është një grupim i qëndrueshëm, pavarësisht se brenda këtyre dy kategorive të mëdha ka variacion në llojin specifik të faktorit (Aklin, Luejez, Zvolensky, Kahler, & Gwadz, 2005; Sterling et al., 2007).

Procedura dhe gjetjet

Instrumenti matës është pyetësori mbi sjelljet shëndetësore (Health Behavior Questionnaire) nga Jessor, Donovan, dhe Costa (1992). Metoda Translation-Backtranslation është përdorur për të siguruar një përkthim sa më të saktë dhe pyetësori është pilotuar tek 10 studentë për të vlerësuar kuptueshmërinë e pyetjeve. Nuk është shënuar asnjë problem me kuptueshmërinë e pyetësorit apo konsistencën e brendshme.

Rezultatet treguan se modeli i propozuar, me variablat demografikë, individualë dhe socialë ishte i dobishëm në parashikimin e sjelljeve shëndetësore. Nga të gjithë variablat e pavarur, gjinia është e rëndësishme në shpjegimin e të shtatë sjelljeve shëndetësore. Më konkretisht gjinia mashkullore është një faktor i rëndësishëm risk për konsumin e duhanit, alkoolit dhe marijuanës, thyerjen e rregullave të qarkullimit apo dietën e pashëndetshme. Nga ana tjetër gjinia femërore përbën një faktor risk në kontekstin e sjelljes seksuale (mospërdorimi i masave mbrojtëse) dhe mungesës të aktivitetit fizik. Rezultatet janë në linjë me studime të shumta të cilat kanë identifikuar gjininë mashkullore si një faktor risk për një sërë sjelljesh të rrezikshme për shëndetin (Azevedo et al., 2007; Martinez-Donate et al., 2004; Sohn & Chun, 2004; Steptoe et al., 2002) por ngrenë pyetje të rëndësishme në lidhje me sjelljet shëndetësore të gjinisë femërore në kontekstin shqiptar. Variabli i dytë më i rëndësishëm në shpjegimin e 5 nga 7 sjelljet shëndetësore, ishte orientimi drejt riskut. Dominanca e këtij faktori individual kundrejt faktorëve me natyrë sociale sugjeron ekzistencën e normave të dobëta në lidhje me sjellje si konsumi i alkoolit dhe marijuanës, apo aktiviteti fizik. Për më tepër kjo gjetje vë në diskutim efikasitetin e ndërhyrjeve shëndetësore të cilat fokusohen mbi variabla si vetë-efikasiteti apo lokusi i kontrollit, duke injoruar variablat individualë si orientimi drejt riskut. Variabli i tretë më i rëndësishëm ishin normat subjektive. Rëndësia e normave subjektive është evidente në shpjegimin e sjelljes ushqimore, seksuale, aktivitetit fizik dhe sjelljes në timon. Pra, duket se perceptimi mbi atë çka është shoqërisht e pranueshme apo e dëshirueshme ndikon vetëm mbi këto katër sjellje shëndetësore, duke lënë jashtë sjelljet që kanë të bëjnë me konsumin e substancave. Në përfundim mund të thuhet se modeli ishte i suksesshëm në parashikimin e sjelljeve shëndetësore të studentëve në UET, me gjithë variacionet për sjellje specifike. Rëndësia e faktorëve demografikë dhe atyre individualë në shpjegimin e sjelljeve shëndetësore sugjeron studime të mëtejshme sidomos në kontekstin e shpjegimit të roleve gjinore apo tipareve të personalitetit (p.sh. tiparet mashkullore dhe orientimi drejt riskut; koncepti i femrës dhe raporti seksual) etj.