Foto-Free-Software-Foundation-EuropeIntegrimi i Teknologjisë së Informacionit dhe mënyrave të reja të mësimdhënies që ajo ofron, duhet të jetë i pashmangshëm për tërë sistemin e arsimit, e në veçanti për fushat inxhinierike.

Nga Kyvete Shatri dhe Tamara Luarasi


Në dekadat e fundit janë bërë shumë reforma për të përmirësuar artin dhe teknikat e mësimdhënies dhe të nxënit. Edukimi në fushat inxhinierike dhe cilësia e këtij edukimi në raport me trendët e zhvillimit dhe kërkesat është dhe duhet të jetë prioritet i çdo vendi.

Në ketë kontekst integrimi i Teknologjisë së Informacionit dhe mënyrave të reja të mësimdhënies që ajo ofron, duhet të jetë i pashmangshëm për tërë sistemin e arsimit, e në veçanti për fushat inxhinierike. Prandaj edhe, qëllimi i përgjithshëm i këtij kërkimi ishte eksplorimi i ndikimit të Teknologjisë së Informacionit në funksion të ngritjes së mësimdhënies. Për të kuptuar dhe interpretuar këtë ndikim, fokusi u orientua në një rast studimi: ndikimi i përdorimit të simulatorit Packet Tracer në funksion të rritjes së të nxënit të studentëve në kuadër të lëndës Rrjetet Kompjuterike në FIEK. Objektivi kryesor i këtij hulumtimi ishte për të treguar efektivitetin e paketës simuluese në përmirësimin e mësimdhënies dhe të nxënit të studentëve. Andaj duke u munduar të japim përgjigje në pyetjen: Çfarë ndikimi ka përdorimi i Softwar-it Packet Tracer për përmirësimin e mësimdhënies dhe të nxënit në fushat e inxhinierisë? Përgjigje kjo e cila do të pohonte apo mohonte hipotezën e ngritur se: Përdorimi i Software-it Packet Tracer do të përmirësonte mësimdhënien dhe do të rriste të nxënit te studentët në fushat inxhinierisë dhe aftësinë krijuese të tyre. Në bazë të rezultateve të fituara është treguar efektiviteti i paketës simuluese në përmirësimin e mësimdhënies dhe të nxënit të studentëve në fushat inxhinierike, kontribut ky i cili do tu shërbej mësimdhënësve, studentëve dhe zhvilluesve të programeve në fushat inxhinierike.

Çfarë thonë studentët e profesorët

Të 11 pyetjet lidhur me të nxënit, të përdorura në këtë analizë, ishin organizuar në bazë të kategorive te të mësuarit, stileve dhe teknikave te të mësuarit, në edukimin inxhinierik. Vlera mesatare për këto 11 pyetje do të na shërbej për të përcaktuar efektin e simulimit në rezultatin e të nxënit. Pika neutrale është 3. Rezultatet me vlerë më të lartë se 3 tregojnë për efektin negativ kurse rezultatet nën vlerën 3 tregojnë për efektin pozitiv të përdorimit të simulimit. Mesatarja për këto 11 pyetje sillet në rangun prej: 1.72-2.28, çka tregon se shumica e studentëve kishin një mendim pozitiv për ndikimin e simulimit në të nxënit e tyre. Studentët nuk bënë injorim të pyetjeve ose nuk dhanë një përgjigjie të njëjtë për të gjitha pyetjet. Tetëdhjetë e shtatë për qind e studentëve kanë deklaruar se simulim i ka ndihmuar në të vërtetë ata të aplikojnë konceptet që janë mësuar në teori në “situata të vërteta”. “Praktikisht simulimi ndihmon në procedurën e të kuptuarit të qëllimit të detyrave apo problemeve të parashtruara në teori. Simulimi jetëson teorinë në praktikë, ai ndikon në mënyrë koherente mbi tërësinë e zgjedhjes së problemit, kështu përfitojmë shumë nga kjo”(Studenti 119522). Një tjetër student shkruan se “simulimi i mundësoi që t’u qaset në mënyrë më serioze problematikave të ndryshme dhe përzgjedhjes së topologjive” (Studenti 321471). Përmes përgjigjeve të marra nga studentë vihet në dukje sërish përparësia e përdorimit të simulimit në raport me mësimdhënien tradicionale ku mësimdhënësi njohurit e tij apo të saj ua transmeton studentëve duke shfrytëzuar tabelën. Simulim i detyron studentët të nxjerrin konkluzione dhe të krahasojnë pikëpamje të ndryshme. Mbi 75% e studentëve pajtoheshin ose pajtoheshin plotësisht se simulatori u kishte ndihmuar atyre për të nxjerrë gjykimet e tyre, krahasuar ato më të tjerëve dhe në fund për të marrë një vendim të nxjerrë në mënyrë kritike. Një student kishte dhënë përgjigjen se simulimi ishte i nevojshëm dhe domosdoshmërisht i aplikueshëm për të pasur të nxënë efektiv për problematikat e Rrjeteve Kompjuterike, dhe se falë përdorimit të simulatorit Packet Tracer, kishte arritur të kuptonte në detaje mënyrën se si duhej qasur në mënyrë të drejtë dhe për të ardhur deri te një zgjidhje konkrete për transmetimin e paketave në rrjet (Studenti 432132) Mbi 80% e studentëve janë pajtuar ose pajtuar plotësisht për ndikimin pozitiv të simualtorit për të rritur të nxënit e tyre, dhe mbi 85% mendojnë se do të kenë rezultate të shkëlqyera.

Çfarë duhet të ndryshojmë

Përdorimi i simulimit në kuadër të lëndës Rrjetet Kompjuterike luanë një rol të rëndësishëm në ofrimin e mundësive për studentët, që të trajtojnë problematika të ndryshme sa i përket zgjedhjes më të mirë të dizajnit dhe topologjive të rrjetit, si dhe mundësitë e testimit të rrjetit. I gjithë ky proces ju mundëson studentëve qasjen në mënyrë kritike dhe diskutimin e zgjidhjeve . Kjo i bën studentët të aftë për të menduar në mënyrë kritike, kreative, dhe duke ju ofruar mundësinё që të sjellin inovacione në kuadër të fushës së diskutuar. Mirëpo përdorimi i simulimit nuk është elementi i vetëm për rritjen e të nxënit të studentëve, ngase përdorimi i simulimit duhet të shoqërohet edhe me një varg aktivitetesh tjera që përfshijnë procesin e mësimdhënies pa anashkaluar asnjëherë aspektin teorik. Simulim pa pjesën teorike do të ishe një praktikë e konceptuar pa bazë teorike, mirëpo edhe teoria pa simulim do të ishte një gjë pothuajse pa jetësim.