orgent-nazajStudimet e para i kreu për Inxhinieri Ndërtimi, por prirja e tij do të qe tjetërkund. Ish-studenti rrëfen sesi zgjodhi Universitetin Europian të Tiranës për të plotësuar vokacionin e tij në Jurisprudencë, sesi gjeti aty gjithë ç’i kish munguar në studimet e para në shtet ku studenti e ndjen veten të tkurrur e gati të mohuar. Pas disa përvojash në tregun e punës, është rikthyer. Jo më si student, por si asistent pedagog duke përmbushur një ëndërr

Vetëm pasi përfundoi studimet për Inxhinieri Ndërtimit në Universitetin e Tiranës, ndjeu se vokacioni ishte tjetërkund. Në vend që t’i dorëzohej zgjedhjes së parë e të mbetej me një ëndërr të parealizuar në sirtar, Orgent Nazaj vendosi ta dëgjojë thirrjen e brendshme që e çonte drejt një fushe të shkencës ku të ndërthurej logjika, jo më në funksion të numrave por të fjalëve. Ishte jurisprudenca. “Në fakt, zgjedhja e Universitetit Europian të Tiranës ka qenë e rastësishme, për sa mund të thuhet pas një pyetësori të gjatë që kisha bërë dhe ku të gjitha përgjigjet më çuan këtu. E them këtë se unë nuk besoj te rastësia, por më kujtohet dikush që ka thënë se “Rastësia është ligji i domosdoshmërisë” dhe e kam ngulitur fort këtë” –tregon Orgenti, ndërsa pas përfundimit të studimeve në Juridik, në UET është kthyer si asistent pedagog në fakultetin ku edhe u formua. “Përpara kësaj eksperience, kisha afro dy vite që punoja në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë. Sigurisht që arritja ime më e rëndësishme profesionale është rikthimi në UET jo më si student, por si pjesë e stafit akademik” –rrëfen ai.

Si student, i ka provuar të dy tipologjitë e universiteteve në Shqipëri, duke mbajtur edhe një diplomë nga universiteti shtetëror dhe një nga një universitet privat dhe vlerësimi që mund t’u bëjë secili syresh niset jo nga paragjykimet, porse nga përvoja e jetuar.

“Jam i bindur se shërbimi i ofruar nga universitetet publike në çdo dimension të kësaj fjale çedon shumë nga standardi i dinjitetit të një të riu shqiptar që synon arsimimin universitar dhe kjo prodhon pasoja në psikologjinë e tyre të mëvonshme. Ndërsa, në Universitetin Europian të Tiranë gjeta tokën e premtuar, në një farë mënyre, sepse u përballa me një realitet tjetër dhe sinqerisht m’u desh pak kohë të përshtatesha. Realiteti ishte tjetër, e gjitha i përkiste studentit dhe jo e kundërta siç ndodh në “Feudet” e arsimit publik ku studenti është në tkurrje të vazhdueshme deri në mohim” –rrëfen ai. Përvoja e studimeve të para e bënë që të druhej para pritshmërive të reja, nga frika e zhgënjimit. “Në rastin tim mund të them pa frikë se pritshmëritë e mia u tejkaluan shumë shpejt, sepse UET ishte dhe është risi”.

Për instrumentet me të cilët u pajis pas studimeve e që i vuri në jetë në përpjekjet e para në botën e punës, Orgenti përgjigjet: “Ekziston një përshtypje e përgjithshme dhe përballem shpesh me idenë se në fund të studimeve studenti është një profesionist i vërtetë dhe kjo i bën të mendojnë se universiteti nuk ka vlerë për tregun e punës. Në fakt është krejt e kundërta; universiteti vërtet nuk të bën profesionist, sepse për të qenë i tillë të duhet një jetë e tërë, por UET ndërton piketat që studenti ta ketë më të lehtë të arrijë qëllimet”.

Ai thotë se ekziston një debat intelektual lidhur me idenë nëse universiteti prodhon profesionistin apo qytetarin. “Kjo nuk duhet kuptuar “o njërën, o tjetrën”, porse ku qëndron fokusi kryesor dhe unë e kam bindjen se Shqipëria ka nevojë për këtë të dytën dhe UET e bën shumë mirë këtë”.

Si asistent pedagog, por edhe si pjesë e rrjetit të ish-studentëve “Alumni UET”, Nazaj ka një këshillë për studentët e rinj. “I vetmi qëllim i një studenti është ai për të cilin mbajnë edhe këtë status. Pra, të studiojnë sa më fort për veten e tyre dhe nëse e bëjnë mirë këtë shumë shpejt do të shpërblehen, por që ndryshe nga universitetet e tjera në UET mundësitë janë më të mëdha”.

Nazaj rrëfen sesi ndihmojnë takimet me ish-studentët e UET, tashmë profesionistë të suksesshëm në tregun e punës, për të kuptuar më mirë dinamikën e zhvillimeve të reja në treg, për t’u përshtatur më pas në kurrikula. “Në këtë botë kaq dinamike edhe ne duhet të jemi sa më dinamikë”.

Kur e pyesin se mes alternativave të studimit në shtet, privat apo jashtë vendit, cilën do të zgjidhte nëse do i jepej sërish mundësia, Nazaj i ka idetë e qarta. “Megjithëse dy të parët i kam provuar arsyeja se pse dikush mund të zgjedhë të studiojë jashtë vendit është literatura dhe stafi akademik, arsye të cilat nuk qëndrojnë kur vjen puna tek UET sepse literatura është e njëjtë me universitetet më të mirë në Europë dhe stafi ynë akademik ka në përbërjen e tij profesorë të nderuar dhe me reputacion si brenda ashtu edhe jashtë vendit”.

Për maturantët që së shpejti do të përballen me dilemën e zgjedhjes së degës së studimeve, por edhe universitetit, Nazaj ka diçka për t’u thënë. “Nëse zgjedhin UET kanë bërë zgjedhjen më të mirë, për shkak se UET do i ndjekë në çdo hap të tyre”- thotë ai, ndërsa zgjedhja e UET, edhe pse e dyta në rrugëtimin e tij akademik, pas studimeve në Inxhinieri mbetet më e mira, sepse e bëri të përmbushë thirrjen e tij të brendshme…