UET

Tre universitete europiane dhe tre shqiptarë, mes tyre dhe UET, kanë bashkuar forcat për të vënë në jetë një projekt që ka si objektiv zgjerimin e ofertës universitare në fushën e administrimit të territorit dhe zhvillimit të zonave rurale. Studime që deri tani në Shqipëri mungojnë.

UET dhe partnerët zhvilluan së fundi një kërkim tregu për të identifikuar kompetencat që nevojiten në kuadër të reformës së re territoriale.

Koncepti i menaxhimit të qëndrueshëm të territorit dhe zhvillimit rural janë bërë pjesë e rëndësishme e agjendës politike për shkak të reformës së re territoriale të vitit 2014, e cila krijoi hapësira të reja administrative –mikse, urbane dhe rurale –dhe për shkak se në kuadër të Acquis Communautaire dhe IPARD nevojiten kompetenca dhe aftësi të reja për specialistët shqiptarë të bujqësisë zhvillimit rural, administrimit të territorit apo mjedisit. Por, oferta ekzistuese në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri nuk mundëson oferta multifunksionale që u përgjigjen këtyre zhvillimeve të reja.

Për këtë, një konsorcium prej gjashtë universitetesh, tre prej të cilëve evropianë (Centre International de Hautes Etudes Agronomiques Méditerranéennes, Montpellier, UNIVERSITÄT HOHENHEIM – Gjermani, PANTEION UNIVERSITY OF SOCIAL AND POLITICAL SCIENCES –Greqi) dhe tre shqiptarë (Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti Fan Noli, po venë në jetë një projekt që ka si objektiv zgjerimin e ofertës universitare në fushën e administrimit të territorit dhe zhvillimit të zonave rurale –“Master in European Innovations for a Sustainable Management of Albanian Territories, Rural areas and Agriculture: Instruments, Policies,Strategies/ SmartAL.

Në këtë kuadër, ky projekt Erasmus+, i financuar nga Bashkimi Evropian, synon të ndërtojë rreth nëntë module të cilat kanë si qëllim të plotësojnë ofertën universitare në fushën e administrimit të territorit në mastera profesionale ekzistues ose në proces krijimi, si edhe ndërtimin e një masteri të ciklit të tretë (Master Ekzekutiv).

Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë, zhvilloi një kërkim tregu gjatë muajit janar 2018 për të identifikuar kompetencat që i nevojiten punonjësve të institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal si edhe shoqërisë civile në kuadër të reformës së re territoriale si edhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nga kërkimi u identifikuan 3 kategori kompetencash; politikat e zhvillimit rural dhe instrumente metodologjike për vlerësimin e politikave, menaxhimi i mjedisit dhe planifikimi i territorit si të nevojshme për t’u përfshirë në modulet e reja universitare që do të ngrihen. Kompetencat e evidentuara u validuan në takimin konsultativ të zhvilluar më 29 janar mes aktorëve të përfshirë në këtë kërkim tregu dhe partnerëve.