stuebStudentët e Universitetit Europian të Tiranës prezantuan detyrat e kursit në lëndën e Web Design, në praninë e pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit Ekonomik të universitetit.

Studentët e Masterit të Shkencave për Informatikë Ekonomike ishin organizuar në grupe ku secili kishte dhënë kontributin e tij në krijimin e faqeve me tematika ndryshe, duke bërë kështu një larmi faqesh të krijuara nga vetë ata. Në prezantim morën pjesë studentët e nivelit Master i Shkencave në degën e Informatikës Ekonomike.

 

 

Studentja Jona Borishi u prezantua me një faqe “Cooking blog”, Alked Brari me “Travel Agency”, Ina Bicaku me “Junior Art School”, Lediona Lame me “Shporta juaj online”, Erjeta Gjoni me “Gang Station online”, Fabino Shehu me “Sporti” dhe Elisabeta me “Librari Online”.

Studentët, gjithashtu, patën mundësinë të logonin faqet e tyre në auditor, duke e treguar konkretisht punën e tyre të realizuar në grup.

Pedagogia e lëndës, dr. Ledina Kartri, u shpreh mjaft e kënaqur për punën e studentëve të saj, duke mos mbetur thjesht në auditorët e leksioneve apo në teoritë, por duke i ofruar tregut faqe me tematika të larmishme, të cilat ata i menaxhojnë më së miri.

“Vetë lënda Web Design të jep hapësirën për të qenë kreativ dhe për t’u bërë një person praktik, dhe kështu së bashku me studentët vendosëm që mos të kishim thjesht një detyrë të zakonshme dhe menduam ta shtrinim në këtë bllok aktiviteti brenda fakultetit tonë dhe duke parë realisht a punojnë vërtet studentët tanë edhe pasi janë aktivë në pjesën teorike”, u shpreh pedagogia Katri, e cila përgëzoi punën në grup të studentëve, duke e parë këtë edhe si sfidë. Për pjesën më të madhe të këtyre studentëve ishte hera e parë që ata krijonin një faqe interneti.

Përgatiti: Anxhelina Mile