gerald-tukseferiGerald Tukseferi është student i vitit të dytë në degën Informatikë Ekonomike, profili Financë-Bankë dhe është pjesë e Rrjetit të Ekselencës për të dytin vit.
Ai ka përfituar që në vit të parë, bursën e ekselencës që UET ofron për maturantët me rezultatet më të larta dhe ia ka dalë mbanë të këtë po të njëjtat arritje edhe në universitet.
“Kur më njoftuan se isha pjesë e 100 studentëve më të mirë të UET, ishte një privilegj, po aq edhe një përgjegjësi e madhe. Të jesh një student ekselent dhe rrjedhimisht pjesë e Rrjetit të Ekselencës, për mua do të thotë të përfaqësosh denjësisht universitetin ku studion, por njëkohësisht është edhe një shtysë më tepër për mua që të vazhdoj të mbaj këto rezultate të larta që kam arritur deri më tani”, tregon ai në lidhje me të qenit pjesë e grupimit të studentëve më të mirë të UET.

Padyshim dega ku studion nuk është një degë e lehtë, ndaj dhe vullneti dhe përkushtimi për të ruajtur rezultatet është i lartë.
“Dega e Informatikës Ekonomike është një degë relativisht e vështirë ndaj dhe mbajtja e rezultateve të larta ishte një “mision” më vete, por bursa e ekselencës që kisha fituar dhe dëshira për ta fituar atë sërish më kanë motivuar. Pjesëmarrja në aktivitetet që organizon universiteti, por edhe trajnimet e ndryshme në institucione të tjera, gjithashtu më kanë mbajtur të motivuar përgjatë vitit shkollor për të dhënë maksimumin. Besoj se vullneti dhe dëshira për të mësuar, kombinuar me një jetë sociale aktive është një formulë mjaft e mirë suksesi”, tregon ai për gazetën MAPO.