ekselenca-cover“Një universitet nuk është i mirë se ka shumë para apo se ka pedagogët më të mirë, por se ka studentët më të mirë”. Kjo moto për UET-in ka arritur të krijojë një brez ekselentësh, studentë të shkëlqyer që sot janë të punësuar në administratë apo biznes, në jetën akademike ose kanë gjetur veten jashtë vendit duke zhvilluar më tej karrierën e tyre profesionale. Rrjeti i ekselencës pasurohet çdo vit me studentë të rinj të cilët e gjejnë veten në krye të qeverive studentore, në intershipe të ndryshme apo në klubet e debatit. Ata janë lokomotiva e universitetit.  Nga Elda Dedja

Prej disa vitesh UET ofroi bursa për 100 më të mirët e Maturës Shtetërore. Në një takim të organizuar në sallën Aula Magna dhjetëra studentë, pjesë e rrjetit të ekselencës e gjeten veten duke diskutuar mbi arritjet e tyre, universitetin dhe sfidën për të vijuar të jenë ekselentë edhe në vitet në vazhdim të studimeve.

Investimi në dije, është investimi më i mirë që dikush mund të bëjë për veten. Në një realitet ku rëndësia e të qenit i ditur dhe i miredukuar e ka humbur disi shkëlqimin e vetë, ka ende studentë të cilët janë të etur për dije dhe janë të motivuar e të përkushtuar për të qenë versioni më i mirë i vetes. Studentët të cilët e ndërtojnë jetën e tyre në bazë të këtyre vlerave janë edhe krenaria e një universiteti.
Në Universitetin Europian të Tiranës, krenaria mban një emër, Rrjeti i Ekselencës. Grupimi i studentëve ekselentë, ka zhvilluar javën e kaluar mbledhjen e tij të parë për vitin e ri akademik 2017-2018.
Anisa Subashi, Dekania e Studentëve në Universitetin Europian të Tiranës, ka qenë e pranishme në këtë mbledhje të parë dhe ka shfrytëzuar rastin për t’iu uruar mirëseardhjen edhe anëtarëve të rinj të këtij Rrjeti Ekselence.
“Jam e kënaqur të shoh këtë sallë të mbushur sot me studentë ekselentë. Ekselenca është një kënaqësi jo vetëm e juaja por edhe e jona. Iu uroj veçanërisht suksese studentëve të vitit të parë, uroj që të ruani ato rezultate të larta me të cilat jeni regjistruar në UET dhe urime atyre që kanë ruajtur mesataren sërish këtë vit. Ka edhe studentë të cilët janë në vit të dytë apo të tretë, dhe bëhen pjesë për herë të parë e këtij Rrjeti, ndaj dua t’i përgëzoj për punën dhe përkushtimin që kanë treguar ndaj studimeve. Në UET do të gjeni të gjithë hapësirat e nevojshme për të qenë të përgatitur më së miri, duke filluar që nga literatura e update-uar dhe e sjellë sa më afër tregut të punës dhe deri te programet e shkëmbimit studentor siç është Erasmus+. Ju duhet vetëm të punoni dhe të jepni më të mirën tuaj”, -tha ajo në fjalën e saj përshëndetëse.
Dekania e Studentëve gjithashtu nënvizoi faktin se studentët ekselentë në UET janë gjithnjë të mbështetur, qoftë falë sistemit të bursave, qoftë falë promovimit të tyre.
“UET mbështet studentët ekselentë me anë të sistemit të bursave që ofron, gjysmëbursa si dhe bursa të plota në varësi të mesatare. Gjithashtu, anëtarët e Rrjetit të Ekselencës janë gjithnjë të mirëpritur qoftë në zyrën e dekanit, qoftë në zyrën e rektorit apo presidentit, për të marrë një letër reference nga strukturat më të larta të UET, për një punësim apo intership që dëshirojnë të ndjekin. Në fund të vitit akademik, 100 studentët me rezultatet më të larta në UET, marrin një certifikatë mirënjohjeje dhe angazhimi nga UET”.

Gëzim Cako, president i ri i Rrjetit të Ekselencës, ka shpjeguar se çfarë është ky rrjet.

“Rrjeti i ekselencës, është një grupim i studentëve me rezultatet më të larta në universitet. Në thelb ky grupim ka provimin e studentëve ekselentë si dhe angazhimin e tyre në çështje të ndryshme brenda dhe jashtë universitetit. Kjo strukturë bën të mundur përcjelljen e ideve inovatore të studentëve, problemet që i shqetësojnë, çfarë mund të bëhet më mirë dhe si mund t’i konkretizojmë këto ide. Çdo përpjekje realizohet në saje të një qëllimi, rritjen e angazhimit dhe përfaqësimit dinjitoz, për një shoqëri më të mirë”, thotë ai.

Gëzimi tregon për gazetën MAPO se si funksion ky rrjet, cilët janë anëtarët e tij dhe si mundet një student i Universitetit Europian të Tiranës të jetë pjesë e tij.

“Kriter për të qenë pjesë e Rrjetit të Ekselencës është mesatarja mbi 9.5. Të gjithë ata studentë të vitit të parë, të cilët janë regjistruar në universitet me një mesatare të tillë të lartë, bëhen automatikisht pjesë e këtij rrjeti, së bashku me studentët e viteve të tjera në UET. Në përfundim të vitit akademik, 100 studentët më të mirë me rezultatet më të larta, pajisen edhe me certifikata mirënjohjeje nga universiteti. Krahas kësaj certifikate, të gjithë ata të cilët kanë një mesatare të lartë kanë mbështetjen maksimale nga UET, që ofron edhe bursat përkatëse të ekselencës”.

Rrjeti i Ekselencës është mjaft i rëndësishëm për shkak se anëtarët e tij mund të quhen pa frikë krenaria e UET. Është pikërisht standardi i lartë dhe kërkesa që këta studentë kanë ndaj vetes fillimisht dhe më pas ndaj universitetit ku studiojnë, që e bën këtë të fundit të jetë gjithnjë në kërkim të cilësisë dhe përmirësimit.

“Sigurisht objektivi ynë si studentë ekselentë është të kërkojmë më të mirën ndaj vetes, por edhe ndaj universitetit ku studiojmë. Ky grupim na lejon të shprehemi ashtu siç do të donim dhe na lejon njëkohësisht të punojmë për të arritur më të mirën që duam. Ky grupim është zëri i universitetit dhe çdo gjë e mirë, arrihet kur më të mirët bashkëpunojnë”.

Në këtë mënyrë, në mbledhjen e tyre të parë, Presidenti i Rrjetit të Ekselencës ka ftuar të gjithë studentët e tjerë anëtarë, të jenë pjesë aktive e këtij rrjeti, duke shprehur mendime, duke dhënë sugjerime dhe duke ndërmarrë nisma të cilat i mendojnë të nevojshme, jo vetëm për të çuar më tej formimin e tyre profesional, por edhe për të marrë më të mirën nga universiteti i tyre.

Studentët ekselentë të UET flasin për përvojat e tyre dhe rëndësinë e të qenit një student i shkëlqyer.

 

Hera Behari: Kurioziteti dhe puna janë çelësi i suksesit akademik

Hera Behari është studente në degën Financë-Bankë, dhe është për të dytin vit radhazi, pjesë e Rrjetit të Ekselencës së Universitetit Europian të Tiranës. E karakterizuar nga vullneti dhe përkushtimi ndaj punëve që merr përsipër, ajo ia ka dalë mbanë të ketë rezultatet e larta akademike që ka.
“Fakti që bëj pjesë në grupin e studentëve ekselentë është vlerësim për rezultatet mësimore dhe gjithashtu stimul për të përvetësuar gjithmonë e më shumë dije. Nga ana tjetër, përkthehet në përgjegjësi të shtuar për të qenë sistematike dhe për të ruajtur rezultate të larta mësimore”, shprehet Hera në lidhje me të qenit një studente ekselente.
Ajo është bërë pjesë e UET duke qenë fituese e bursës së ekselencës që ky universitet ofron, dhe ia ka dalë mbanë ta ruajë atë. Por sa e lehtë ka qenë për të kjo?
“Të jesh student ekselent, nuk mund të them se është e lehtë, pasi kërkon vullnet dhe përqendrim, por nuk do ta quaja as të vështirë. Gjithçka varet nga këndvështrimi. Personalisht, gjatë gjithë jetës sime shkollore, e kam konsideruar studimin si “punën” time, sepse ka qenë ndër të paktat përgjegjësi që kam pasur. Patjetër që me kalimin e viteve rritet shkalla e vështirësisë, por në të njëjtën mënyrë kam rritur edhe përpjekjet dhe intensitetin e studimit. Dëshira për të zotëruar sa më shumë njohuri në përgjithësi dhe sidomos dëshira për të pasur një formim të plotë në profesionin tim të ardhshëm, janë ato të cilat më frymëzojnë për të dhënë maksimumin tim”, shpjegon ajo.
Hera, tregon për gazetën MAPO, se çelësi i suksesit të saj nuk është gjë tjetër, veçse kombinimi i kuriozitetit dhe punës sistematike.

Aleksja Oruçi: Përballja me veten është sfida më e vështirë

Aleksja Oruçi është studente në vitin e dytë, në degën Komunikim Dizajn. Si e tillë, karakterizohet nga një stil i veçantë dhe qëndrim që bie lehtësisht në sy. Krahas pasionit të saj për artin dhe fotografinë, Aleksja është edhe një ndër studentët ekselentë të UET, me rezultate mjaft të larta akademike.
“Një pjesë e mirë e studentëve kur fillojnë të studiojnë në universitet bien në rezultate dhe e përballojnë me më shumë vështirësi atë. Për mua ndodhi e kundërta, unë tani jam më mirë sesa në gjimnaz dhe kjo falë punës time. Në të vërtetë unë nuk kam studiuar dhe nuk jam përpjekur për t’u bërë më e mira apo më e mirë se dikush tjetër, unë thjesht jam përpjekur dhe kam “luftuar” për t’u përmirësuar, për të nxjerrë më të mirën nga vetja dhe kjo është më e vështirë sesa përballja me dikë tjetër, përballja me veten”, shprehet ajo në lidhje me të qenit pjesë e Rrjetit të Ekselencës.
Dëshira për të qenë një version më i mirë i vetes se dje, përkushtimi ndaj qëllimeve të tua por mbi të gjitha pasioni për artin duket se i kanë mundësuar Aleksjas të jetë jo vetëm një nxënëse shumë e mirë siç ka qenë në gjimnaz, por një studente ekselente siç është sot.
“Për të qenë një studente ekselente më motivon si fillim ndërgjegjja, për t’iu shpërblyer në një farë mënyre prindërve të mi sakrificat që bëjnë për mua, për t’i bërë krenarë e sigurisht për t’i shpërblyer vetes mundin, kohën e gjithë përpjekjet për të arritur atje ku unë dua.
Sukses për mua është çdo arritje sado e vogël, mbi të gjitha e bërë me dashuri. Suksesi im është të studioj atë çka unë dua, atje ku unë dua dhe ta dua me shpirt atë çka do të bëj në të ardhmen”, tregon ajo.

Vivian Begaj: Ëndrrat janë motivimi më i mirë i mundshëm

Vivian Begaj është një ndër maturantet ekselente e cila ka zgjedhur të studiojë në UET, në atë degë të cilën ajo e quan degën për të cilën ka ëndërruar gjithnjë, Marrëdhënie ndërkombëtare.
Për shkak të rezultateve të larta të tri viteve gjimnaz, ajo është bërë menjëherë pjesë e Rrjetit të Ekselencës në UET.
“Të jesh një student ekselent për mua do të thotë të jesh një student i përkushtuar, të kalosh një pjesë të mirë të kohës pranë librave, të kesh vullnet dhe motivim për të zgjeruar gjithmonë dijet e tua. Megjithatë, veç rezultateve të larta, besoj se një student ekselent quhet dikush që ka pasion dhe dëshirë për të arritur diçka dhe këtë e reflekton në një karakter të fortë, të shkathët dhe me gatishmërinë për të sfiduar veten dhe për të lënë gjurmën e vet në shkollën ku studion”, shprehet ajo.
Vivian është mjaft e motivuar që rezultatet e larta të cilat e kanë ndjekur deri më tani ta shoqërojnë edhe në rrugëtimin e ri të cilin sapo e ka nisur, universitetin.
“Ruajtja e rezultateve të larta mendoj se është një sfidë për çdo student. Nuk do ta konsideroja si një sfidë të lehtë, por nuk mund të them se ka qenë tepër e lodhshme apo stresuese. Studimi sistematik më ka ndihmuar të mos e ndiej së tepërmi ngarkesën. Duke qenë një person që adhuroj të mbush kohën time me aktivitete ekstrakurrikulare, trajnime apo punë vullnetare shpesh jam përballur me vështirësi në menaxhimin e kohës dedikuar studimeve e aktivizimit në shoqëri civile, por mendoj se e kam kaluar sfidën me sukses. Kam arritur të bëj çdo gjë që kam dashur dhe uroj të vazhdoj kështu edhe gjatë studimeve të larta”.
Edhe pse në fillim të vitit të ri shkollor, Vivian duket se e ka pritur mjaft mirë këtë eksperiencë të re, duke qenë po e njëjta, e përkushtuar, me vullnet, energjike dhe mjaft aktive.
“Ëndrrat janë motivimi më i mirë i mundshëm”, thotë Vivian.

Gerald Tukseferi: Përfaqësoj denjësisht universitetin ku studioj

Gerald Tukseferi është student i vitit të dytë në degën Informatikë Ekonomike, profili Financë-Bankë dhe është pjesë e Rrjetit të Ekselencës për të dytin vit.
Ai ka përfituar që në vit të parë, bursën e ekselencës që UET ofron për maturantët me rezultatet më të larta dhe ia ka dalë mbanë të këtë po të njëjtat arritje edhe në universitet.
“Kur më njoftuan se isha pjesë e 100 studentëve më të mirë të UET, ishte një privilegj, po aq edhe një përgjegjësi e madhe. Të jesh një student ekselent dhe rrjedhimisht pjesë e Rrjetit të Ekselencës, për mua do të thotë të përfaqësosh denjësisht universitetin ku studion, por njëkohësisht është edhe një shtysë më tepër për mua që të vazhdoj të mbaj këto rezultate të larta që kam arritur deri më tani”, tregon ai në lidhje me të qenit pjesë e grupimit të studentëve më të mirë të UET.
Padyshim dega ku studion nuk është një degë e lehtë, ndaj dhe vullneti dhe përkushtimi për të ruajtur rezultatet është i lartë.
“Dega e Informatikës Ekonomike është një degë relativisht e vështirë ndaj dhe mbajtja e rezultateve të larta ishte një “mision” më vete, por bursa e ekselencës që kisha fituar dhe dëshira për ta fituar atë sërish më kanë motivuar. Pjesëmarrja në aktivitetet që organizon universiteti, por edhe trajnimet e ndryshme në institucione të tjera, gjithashtu më kanë mbajtur të motivuar përgjatë vitit shkollor për të dhënë maksimumin. Besoj se vullneti dhe dëshira për të mësuar, kombinuar me një jetë sociale aktive është një formulë mjaft e mirë suksesi”, tregon ai për gazetën MAPO.

Hygerta Pjeshka: Ekselenca është privilegj dhe përgjegjshmëri

“Të jesh një studente ekselente së pari, është privilegj, sepse ti tanimë ke një titull vlerësimi që të përfaqëson jo vetëm ty si individ, por gjithashtu të njeh edhe kontributin e punës së palodhur, angazhimin dhe dashurinë e reflektuar mbi botëkuptimin e dijeve, ideve të tua. Një prezantim hyrës i shkurtër që tregon një pjesëz të rëndësishme të përkushtimit tënd të madh të jetës”.
Është ky një lloj përkufizimi që Hygerta Pjeshka, studente në degën Shkenca Politike në UET, ka për te qenit një student ekselent.
Ajo është tanimë për të dytin vit radhazi pjesë e këtij rrjeti ekselence dhe krahas rezultateve të larta në mësime është gjithashtu një ndër studentët më aktivë në UET.
“Të them të drejtën unë e konsideroj ekselencën jo thjesht si një aftësi, në të vërtetë është një mënyrë sjelljeje në të cilën ti shpalos veprimet e tua. Pra, të jesh një studente ekselente është një sfidë e fortë që ti ke me veten nga njeri krah dhe me të tjerët nga ana tjetër, për sa i përket ruajtjes së atij rezultati final të përkthyer në fund me notat. Një dualizëm mes Unit dhe Tjetrit, si një çelës universal që pret të të hapë portat e suksesit në të ardhmen”, shprehet ajo.
Ndërkohë që rezultatet e larta i ka arritur falë punës dhe përkushtimit ndaj dijes, ajo tregon se një ndër motivimet më të forta që ka për të ecur përpara në jetë është edhe familja e saj.
“Motivi im më i madh, që më ndihmon të bëj përpara si studente ekslente është familja ime, njerëzit e mi që më besojnë, më mbështesin edhe mbi të gjitha më duan për Hygertën e vërtetë që ata njohin, me forcën, intelektin dhe vizionet e saj për të nesërmen e afërt”.