albiProfil ALUMNI UET: Studenti i Menaxhim-Biznesit që po shkëlqen në botën e teknologjisë
 
Albi Zhulali është vetëm 27 vjeç, ka një diplomë Bachelor në Menaxhim-Biznes në UET, por mund të thuhet pa frikë se është një nga sipërmarrësit e rinj që do të pushtojë botën me shpikjen e tij në fushën e teknologjisë, një software që i duhet çdo hoteli në botë. Kompania e tij është bërë pjesë e platformës Plug and Play në Silicon Valley në SHBA, ku janë zhvilluar kompanitë më të fuqishme në fushën e teknologjisë si Google, Dropbox, PayPal etj. 
 
Duket si një ëndërr amerikane, por në fakt është ëndrra shqiptare e një djaloshi që i ka besuar pasionit të tij për teknologjinë.
 
I apasionuar pas botës së kompjuterëve ai punoi në mënyrë të vetmuar për afro 10 vite për projektin e tij, për t’ia korrur suksesin vetëm një vit e gjysmë më parë, kur software i ndërtuar mori patentë ndërkombëtare dhe ka nisur të adaptohet nga hotele në të gjithë botën.
 
“Kam ndjekur studimet bachelor në UET, në degën menaxhim-biznes. Pas shkollës iu përkushtova projektit tim dhe aktualisht kam kompaninë time në fushën e teknologjisë. Kemi ndërtuar një software, që quhet Softmogul, i cili është i dedikuar për menaxhimin e hoteleve dhe kompanive të turizmit. Jemi zgjedhur një nga start up-et që është futur në një nga akseleratorët më të mëdhenj në Silicon Valley që quhet Plug and Play. Pjesë e Alumni të Plug and Play janë kompani si, Google, Dropbox, PayPal, dhe shumë gjigantë të tjerë të teknologjisë”, thotë ai për suplementin Mapo Universitet.
 
Kalimi nga fusha e menaxhim-biznesit për të cilën studioi 3 vite në UET në atë të teknologjisë për Albin ka qenë e lehtë dhe e natyrshme. Studimet në një fushë tjetër nga ajo që ai kishte pasion i zgjodhi për t’i dhënë vetes mundësinë që të njohë funksionimin e një biznesi. Sot ai u shet bizneseve turistike në gjithë botën software-in e tij.
 
“Unë gjithmonë kam qenë në fushën e teknologjisë, biznesin e bëra për të rritur njohuritë e mia drejt biznesit, që t’i kombinoja të dyja, biznesin dhe teknologjinë, sepse këto janë dy pasionet e mia”, thotë Albi.
 
Ai sot e ndan jetën e tij mes Tiranës, San Franciskos dhe Singaporit.
 
Po si lindi ideja e parë që do ta çonte drejt suksesit?
 
“Isha duke realizuar një projekt për Shqipërinë, një përpjekje për të listuar të gjitha hotelet shqiptare, në një platformë të vetme, siç është “Booking.com” për turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, në mënyrë që të kenë akses që të gjejnë më kollaj një vend për të qëndruar këtu. Duke nisur këtë projekt zbulova shumë probleme të tjera që kanë në menaxhimin e një hoteli, ose një godine dhe duke bërë më shumë kërkime, nisa në një ide lokale dhe përfundova në një ide globale. Pashë problemet që kishte fusha e hotelerisë në programet, të cilat ishin shumë të vjetër, outdated, të shtrenjtë, kishin një user interface shumë të vështirë për t’u kuptuar nga përdoruesit e programit. Kështu që ne, unë bashkë me ekipin tim, zhvilluam një platformë që është komplet unike. Kemi ndryshuar fokusin nga kompjuter, që është çdo software aktualisht e kemi kthyer në tablet. Pra e kemi bërë recepsionin që të jetë i lëvizshëm në një hotel. Së fundi, kemi mbyllur edhe një investim prej 2 milionë dollarësh për kompaninë tonë. Është një investitor vetjak izraelit i cili i ka besuar idesë sonë, ka parë tregun dhe pëlqimin e fillimit nga hotele që përdorin software-in tonë për momentin dhe ka parë potencial në zhvillim”.
Kjo është historia me pak fjalë e punës 10 vjeçare të këtij të riu, i cili aktualisht e ka lançuar punën e tij dhe ka mbi 20 hotele që e përdorin, në Amerikë, Singapor, dhe Indonezi.
Ndërsa në Shqipëri ai ka vendosur ta ofrojë falas.
 
“Software ynë menaxhon shumë aspekte të një hoteli, që te check-in, check-out, integrimi me gjitha kanalet e shitjes të tilla si Booking, Tripadvisor etj. Por krahas këtyre mundësive, ne jemi në gjendje të zëvendësojmë edhe bankën sepse e kthejmë Ipad-in në një terminal banke praktikisht, ku mund të pranohen dhe pagesat, nëpërmjet software-it tonë. Çdo shërbim mund të realizohet brenda software-it tonë. Aktualisht në Shqipëri, për ta ofruar këtë software është e vështirë pasi akoma nuk mbështeten shumë kompanitë fintech, ndaj ne për momentin, kemi vendosur që për Shqipërinë ta ofrojmë software-in tërësisht falas për të gjitha hotelet. Dhe aktualisht janë disa hotele shqiptare që e kanë përqafuar si platformë.
Ky software ka si qëllim të lehtësojë menaxhimin e hoteleve, ndaj edhe krijuesit e tij janë kujdesur në çdo detaj, që eksperienca e përdorimit të tij, të jetë e lehtë dhe efikase.
“Ne kemi bërë një set tutorials, me video që janë të gjitha online, falë të cilave është shumë thjeshtë që të mësosh si ta përdorësh programin. Gjithashtu, ne ofrojmë një suport që është 24/7 ku për çdo pyetje, paqartësi apo problem që mund të ketë përdoruesi, ne raportojmë në kohë reale dhe i japim zgjidhje”.
Të gjithë, veçanërisht të rinjtë që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre profesional, ëndërrojnë të kurorëzojnë ëndrrën e tyre me sukses ashtu si Albi.
 
Por cila do të ishte këshilla e Albit, për të gjithë të rinjtë, të cilët ashtu si ai dëshirojnë të jenë të suksesshëm?
 
“Këshilla më e mirë që mund të jap është të punosh fort. Po nuk punove fort nuk arrin dot asgjë. Një vit e gjysmë më përpara unë s’kisha praktikisht asgjë, sot kam një kompani me një staf të madh, kemi ndërtuar një nga teknologjitë më të avancuara për menaxhimin e hotelit, jemi pranuar në një nga akseleratorët më të mëdhenj në Silicon Valley dhe kemi një investim 2 milionë dollarë… e gjitha kjo vjen vetëm nga puna dhe dedikimi. Softmogul i ka një vit e gjysmë që është si kompani, por unë kam mbi 10 vjet që punoj vetë. Suksesi nuk vjen direkt, është një punë e gjatë, me dështime, suksese të vogla, derisa të arrish atje ku duhet. Unë ende kam shumë punë përpara, megjithatë edhe këtu ku kam arritur nuk është një punë e shkurtër. Është një punë shumë e gjatë, veçanërisht me veten, nuk duhet të dorëzohesh edhe nëse të gjithë të thonë se duhet”.
 
Padyshim që rruga e suksesit është e gjatë, dhe Albi ka ende shumë për të fituar, megjithatë mund të thuhet pa frikë, se është një shembull i vërtetë frymëzimi, për të gjithë ata të cilët kanë një ëndërr dhe po punojnë fort për ta realizuar. Puna shpërblehet…
 
 
Këshilla më e mirë që mund të jap për të rinjtë e tjerë është; duhet të punosh fort. Po nuk punove fort nuk arrin dot asgjë. Një vit e gjysmë më përpara unë s’kisha praktikisht asgjë, sot kam një kompani me një staf të madh, kemi ndërtuar një nga teknologjitë më të avancuara për menaxhimin e hotelit, jemi pranuar në një nga akseleratorët më të mëdhenj në Silicon Valley dhe kemi një investim 2 milionë dollarë… e gjitha kjo vjen vetëm nga puna dhe dedikimi. Softmogul i ka një vit e gjysmë që është si kompani, por unë kam mbi 10 vjet që punoj vetë. Suksesi nuk vjen direkt, është një punë e gjatë, me dështime, suksese të vogla, derisa të arrish atje ku duhet. Unë ende kam shumë punë përpara, megjithatë edhe këtu ku kam arritur nuk është një punë e shkurtër. Është një punë shumë e gjatë, veçanërisht me veten, nuk duhet të dorëzohesh edhe nëse të gjithë të thonë se duhet.