Irena Myzeqari1Doktorantët e parë të UET, nga ish-studentë në pedagogë 
 
Në vitin 2011 Shkolla Doktorale në Universiteti Europian i Tiranës hapi dyert duke u dhënë mundësinë studentëve që kërkonin të ndiqnin karrierën akademike që të ndiqnin edhe ciklin e tretë të studimeve. Përveç doktorantëve të jashtëm, UET mbështeti 10 studentët më të mirë të tij që sapo kishin përfunduar studimet master, duke u dhënë mundësinë të ndiqnin doktoraturën dhe të nisnin një karrierë akademike si asistentë pedagogë në UET. 
Kështu universiteti nuk ishte vetëm një univers akademik, por edhe një univers, ku gjithkush me vullnet e dëshirë mund të realizojë ambiciet e tij të mëtejshme.
 
 
Plot 6 vite më pas ata kanë tani titullin “Doktor Shkencash” dhe një eksperiencë të gjatë mbi supe si pedagogë. Disa prej tyre e ndaj këtë eksperiencë me Suplementin Mapo Universitet. 
Lulzim Hoxha, Anjeza Xhaferraj, Vilma Spahiu, Blerta Aliu dhe Irena Myzeqari ndajnë me suplementin Mapo Universitet eksperiencën e tyre të doktorimit dhe të kalimit nga ish-studentë në pedagogë. 
 
Irena Myzeqari, ish-studente e shkëlqyer në Shkencat e Komunikimit, që tani gjendet përballë studentëve të rinj, të cilët presin prej saj t’u ndriçojë rrugën në studimet e tyre të saponisura. 
Pjesë e projektit të UET për doktorantët e parë të zgjedhur nga radhët e studentëve më të mirë në vitin 2011, Myzeqari sot ndihet e sigurt në hapat akademikë, por kujton frikën dhe dilemat që kishte 6 vite më parë. 
“Në shtator  të vitit 2011 mora një ftesë për të qënë pjesë e një projekti, 10 studentët me të mirë do t’u ofrohej bursë për të vazhduar studimet doktorale. Si u ndjeva? Frikë! Sa herët mendova, unë e  dua mësimdhënien, por a  jam gati për këtë sfidë?  Mbas morisë së pyetjeve, unë përqafova sfidën dhe u bëra pjesë e një programi që ndryshoi jetën e 10 të ngjashmëve si unë”, shprehet ajo për “Mapo Universitet”. 
Përvojën si doktorante në UET e cilëson si “një nga periudhat më frytdhënëse”, pasi siç shprehet ajo, “pata mundësinë të mësoja më shumë për veten dhe të vija në provë gjithë aftësitë që kisha fituar në studimet e mia bachelor dhe Master”.
 
“Ishin vitet kur unë mora leksionet e para të kulturës organizative dhe të punës, kuptova vit mbas viti se cilat detyra dija ti bëja më mirë e cilat jo si edhe koha kur unë iu përkushtova shumë një objekti të vetëm studimi, doktoraturës sime në Shkencat e Komunikimit. Midis orëve në auditor me studentët, punës si asistente në shkollën doktorale, orëve intensive  të studimeve doktorale dhe  kohës se  dedikuar kërkimit, unë u rrita dhe e kthej  kokën shpesh mbrapa për të kuptuar më mirë  të tashmen time dhe në cilat hapa duhet të ndërtoj të ardhmen”- shprehet Myzeqari. 
 
Kalimi nga studente në pedagoge për të ka qenë një rrugë e bukur e mbështetur nga pedagogët e saj që ajo i cilëson “profesionistë, njerëz të mirë artikuluar, të dashur me auditorin, shpjegues ekselent e njerëz model”.
“Kur mu dha rasti të isha në vendin e tyre, kuptova njëherazi përgjegjësinë dhe vështirësinë për ta bërë këtë punë  me po aq dedikim sa  ata.  Vit mbas viti  unë u rrita në aulat e auditorëve; seminaret që mbuloja në vitet e para dhe me pas leksionet e plota mbasi mbylla doktoraturën më  mësuan rëndësinë e pedagogut dhe rolin që ai mund të luajë në ndryshimin e  jetes së studentëve që ka përballë. Dhe më besoni nuk është rol  i lehtë;  ti nuk je autoriteti, je mentori, nuk je dhënësi i dijes, ti je dritarja nga  ata mund të shohin  sa e pa fundme është dija, ti je anti-konformisti  dhe ata janë ata që duhet të kuptojnë se nëse revolucioni nuk ndodh në aulat e universitetit nuk ka për të ndodhur në asnjë hapësirë publike tjetër”- kështu e përshkruan Irena eksperiencën e saj si pedagoge në UET.