Doktorantët e parë të UET, nga ish-studentë në pedagogë
 
Në vitin 2011 Shkolla Doktorale në Universiteti Europian i Tiranës hapi dyert duke u dhënë mundësinë studentëve që kërkonin të ndiqnin karrierën akademike që të ndiqnin edhe ciklin e tretë të studimeve. 
Përveç doktorantëve të jashtëm, UET mbështeti 10 studentët më të mirë të tij që sapo kishin përfunduar studimet master, duke u dhënë mundësinë të ndiqnin doktoraturën dhe të nisnin një karrierë akademike si asistentë pedagogë në UET. 
Kështu universiteti nuk ishte vetëm një univers akademik, por edhe një univers, ku gjithkush me vullnet e dëshirë mund të realizojë ambiciet e tij të mëtejshme.
Plot 6 vite më pas ata kanë tani titullin “Doktor Shkencash” dhe një eksperiencë të gjatë mbi supe si pedagogë. Disa prej tyre e ndaj këtë eksperiencë me Suplementin Mapo Universitet. 
Lulzim Hoxha, Anjeza Xhaferraj, Vilma Spahiu, Blerta Aliu dhe Irena Myzeqari ndajnë me suplementin Mapo Universitet eksperiencën e tyre të doktorimit dhe të kalimit nga ish-studentë në pedagogë. 
 
Lulzim Hoxha
 Mund ta ngatërrosh akoma me një student, por Lulzim Hoxha prej disa vitesh jep mësim në universitet, një ambicje e realizuar falë përfundimit të studimeve të doktoraturës. 
Ai është pjesë e departamentit të shkencave politike në Universitetin Europian të Tiranës, dhe gjithashtu anëtar i klubit të filozofisë Russell, ku është angazhuar duke dhënë disa kumtesa mbi disa nga autorët më të rëndësishëm të filozofisë kontinentale.   
Rreth 6 vite më parë kur sapo kishte përfunduar studimet master dhe UET i dha mundësinë të përfshihej në projektin e doktorantëve të rinj duke nisur studimet e doktoraturës ai do të shprehej se  “UET e shoh si një rrugëtim që nuk do të marrë fund kurrë. Edhe pasi të përfundoj ciklin e tretë të studimeve e shoh veten sërish në UET” dhe sot mund të thotë me plot gojën se kjo ambicje është bërë realiet. 
“Ky projekt ishte shumë i rëndësishëm për karrierën time si doktorant dhe si pedagog i ri për t’u bërë pjesë e botës akademike”- shprehet Hoxha për “Mapo Universitet”.
Kur i nisi këto studime ishte në një moment dilematik, pasi po shikonte mundësinë e studimeve në Francë, por Tirana kishte rezervuar një karrierë akademike për të. 
“Në shtator të vitit 2011, sapo kisha marrë miratimin nga Université Lille 1 për të ndjekur studimet doktorale në degën e sociologjisë në fakultetin e shkencave sociale në Lille. Ideja fillestare ishte që ndërkohë të ruaja kontaktet edhe me UET, ku në korrik të vitit 2011 përfundova studimet Master, në mënyrë që të më jepej mundësia që të jepja disa orë mësimi në auditor. Për arsye personale nuk munda t’i vazhdoj studimet në Francë, kështu që mundësia më e mirë që m’u dha për momentin ishte që ta vazhdoja doktoraturën në UET me bursë, ndërkohë që të filloja punë si asistent në departamentin e shkencave politike”- tregon ai.
Një nga momentet më të rëndësishme të eksperiencës së tij si doktorant në UET ai konsideron “përfshirjen graduale në mësimdhënie, duke nisur si fillim me seminaret derisa në korrik të vitit 2015 përfundova doktoraturën dhe m’u krijua hapësira për t’u angazhuar në orët e leksionit”.  “Punën kërkimore përgjatë doktoraturës në UET mund ta përshkruaj si një proces krejtësisht individual, por ama me synimin për ta përfunduar brenda 3 vjetësh, pasi bursa doktorale kishte një afat 3-vjeçar. Ishte një përvojë shumë e frytshme pasi nga njëra anë po fitoja eksperiencë si asistent përgjatë orëve të seminarit, ndërkohë që nga ana tjetër kisha lirinë për t’u mbyllur në bibliotekën kombëtare për të vijuar mbledhjen e të dhënave dhe materialin empirik për tezën e doktoraturës”- shprehet Hoxha.