adela danajProfil ALUMNI/ Studentja e ekselencës që është imazh i dy universiteteve: CEU në Hungari dhe UET në Tiranë. 
Imazhi i saj ndodhet në katalogun promovues të programit të Shkencave Politike në Central Europian University (CEU) në Hungari, një nga universitetet më prestigjoze në Europë, por Adela Danaj ndodhet në Tiranë e emocionuar. Sapo është zgjedhur presidente e shoqatës ALUMNI në Universitetin Europian të Tiranës (UET).
Adela ka qenë studente e UET për 3 vite në degën Shkenca Politike dhe gjatë kohës së studimeve ka punuar si praktikante në UET Centre, një zyrë për projektet dhe kërkimin shkencor. Ajo është një nga studentet ekselente të UET-it, e cila i përforcoi studimet e saj me një eksperiencë jashtë vendit, për t’u rikthyer përsëri në shtëpinë e saj të parë akademike.
Rikthimi nga studimet master në CEU përkoi me takimin e Alumni International dhe me momentin kur shoqata do të zgjidhte një drejtues të ri, një detyrë koordinimi mes ish-studentëve dhe universitetit, një angazhim që i shkon shumë për shtat natyrës së Adelës.
Tepër aktive, komunikuese dhe plot energji Adela është një prej atyre rasteve të pazakonta që ka hequr dorë nga një “ardhme e sigurt” për t’iu përkushtuar një ëndrre, duke braktisur një karrierë të saponisur në Mjekësi për të studiuar Shkenca Politike.  Dhe për më tepër, nuk është penduar asnjë sekondë.
Në kërkim të dimensioneve të reja
“Dëgjoja oshëtimin e hapave të mi në korridoret e universitetit dhe kuptova se unë i përkas këtij vendi”:-kështu e përshkruan ajo ditën e parë kur erdhi në auditoret e Universitetit Europian të Tiranës në vitin 2011.
Para këtij momenti, Adela kishte studiuar Mjekësi në degën Stomatologji dhe kishte punuar 3 vjet si stomatologe pas studimeve, duke vuajtur me veten dilemën pse nuk ndoqi një drejtim tjetër që ti përshtatej më shumë me karakterin e saj.
“Unë isha një nxënëse ekselence në gjimnaz dhe kur erdhi momenti për të zgjedhur shkollën bëra një zgjidhje pak pragmatiste duke menduar për tregun e punës, ndaj studiova mjekësi. Por më vonë kur punoja si stomatologe kuptova se, më mungonte shumë socializimi me njerëzit, debatet, shkëmbimi i ideve, etj.. Vërtet po kontribuoja në një dimension human, por fillova të kuptoj se më mungonin dimensionet e tjera që për mua ishin esenciale. Pas një reflektimi të gjatë vendosa të bëj një ndryshim rrënjësor të jetës sime nga pikpamja profesionale dhe njerëzore”.
Mori dhe një herë në dosje listën e notave të gjimnazit dhe trokiti në derën e UET për të ndjekur një degë që nuk është aspak pragmatiste, por i shkonte shumë për shtat asaj, Shkencat Politike.
“Me notat që kisha mund të shkoja në çdo universitet, e dija që do të vlerësohesha me bursë ekselence, por në mendjen time ishte bërë zgjedhja për UET. Filozofia e këtij universiteti ishte shumë e ngjashme me aspiratat e mia dhe si ombrellë që më mbulonte ambicjet e mia të mëtejshme. Dhe intuita nuk më gaboi”.
Dita e parë në shkollë vetëm sa konfirmoi zgjedhjen që kishte bërë me zemër më parë.
“Në universitetet shtetërore në atë kohë, se nuk di si është tani, mungonte dhe gjëja më minimale e infrastrukturës. Ne bënim mësim në klasa me xhama të thyer. Ndaj kur erdha në UET infrastruktura që gjeta më dukej luks, kur sot është normale që studenti të mësojë në kushte me disa standarde. Për shembull, nëse studion në shtet të duhet të vraposh në Biblotekën Kombëtare për një libër, kurse në UET gjeta një biblotekë të pasur që më mundësonte gjithë literaturën që më duhej”.
Ajo e lidh në mënyrë të qënësishme suksesin që pati në shkollë e më pas në karrierën akademike me këtë zgjedhje që bëri.
“UET, hapi dimensione të reja tek unë, ndaj kurrë nuk kam menduar në të tilla terma. Ajo që gjeta, ishte padyshim ajo që kërkoja, ajo që nuk prisja lidhet me faktin se UET ndikoi në mënyrën time të jetesës. Sot, UET është një lifestyle, UET është një status!”- shprehet ajo.
Në vitin e dytë të shkollës, Adela u përfshi në një projekt intershipi të studentëve brenda universitetit. Ajo u punësua si praktikante pranë zyrës së projekteve dhe kërkimit shkencor në UET, ku siç kujton, e nisi  duke bërë fotokopjet dhe në fund arriti të dilte me një eksperience pune që i dha guxim për të ecur më tej.
Duke ndihmuar studentët e tjerë që të aplikonin për shkollime shtesë jashtë vendit i lindi dëshira që studimet master ti bënte në një universitet europian.
Të shkëlqesh tek më të mirët
Pas këshillës së pedagogëve të saj, Tonin Gjuraj, Romeo Gurakuqi dhe Blerjana Bino, ajo aplikoi tek CEU, një universitet prestigjoz në Budapest, Hungari, sidomos në profilin e Shkencave Politike.
“Pata vështirësi si çdo gjë e re, por unë shkova me bazat të mira akademike nga UET dhe kjo më lehtësoi shumë që të gjeja veten shumë shpejt atje”.
Dhe aq mirë e gjeti veten sa iu akordua bursë ekselence nga CEU dhe pas diplomimit u përzgjodh si imazh promovues për shkollën. Gjatë studimeve u bë pjesë e ekipit të kërkimit shkencor për Ballkanin Perëndimor dhe paneliste e disa Konferencave Ndërkombëtare, një arritje e madhe për çdo student që është në hapat e parë të karrierës.
Duke folur për Mapo Universitet, Adela kërkon të bëjë një përkufizim të asaj se çfarë ndikimi patën studimet në UET për karrierën e mëvonshme.
“Studimet në UET, ishin hapi i parë drejt një rruge që nuk ka më kthim pas. Pas përfundimit të ciklit Bachelor, në fushën e shkencave politike, profesorë të mij, të cilëve u jam shumë mirënjohëse më këshilluan të shihja diçka tjetër përtej kufijve. Më prezantuan me programet dhe universitetet lider sot, në fushën e shkencave politike dhe më inkurajuan të aplikoj për të qenë sa më shpejt pjesë e këtyre strukturave të reja, të cilat deri në atë kohë i kisha me të dëgjuar e jo të jetuar. Kanë qenë profesor, Tonin Gjuraj, Profesor.
Romeo Gurakuqi, Blerjana Bino, Elona Shehu e Ketrina Cabiri ata të cilët më ushqyen egon profesionale në tre vite në UET, dhe oguri im për të hedhur sytë tej kufije për një karrierë më të mirë. Aplikova në CEU, e mbushur plot me dyshime, por e bindur në atë që kisha fituar nga UET dhe pak muaj pas aplikimit më erdhi përgjigja pozitive. Ndaj, instrumentat që UET më ofroi nuk ishin vetëm ato që lidhen me studimet e materialet studimore, por dhe kapitali human që i është atashuar UET ndër vite ishin një shtysë dhe mbështetje e fortë për zhvillimin e karrierës profesionale, e cila sapo ka filluar për hir të së vërtetës”.
Rrugëtimi i nisur me frikë nga mjekësia tek një gjë e panjohur, por që i ngjallte kuriozitet, i tregoi Adelës se kur njeriu ndjek pasionet shpërblimi vjen. Studimet për të nuk kanë përfunduar. Ajo synon të nisë doktoraturën dhe të angazhohet në mësimdhënie dhe kërkim shkencor pranë Universitetit, ku ndjeu oshëtimën e ëndrrës së saj 5 vite më parë dhe e ktheu atë në realitet.