mustafa-myrto-foto-coverProfil/ Mësuesi 16-vjeçar që luftonte kundër analfabetizmit vijon të japë mësim edhe pse në pension. Kush është mësuesi që ka debatuar me Ramën e Pollon për strategjinë e arsimit 
 
Ishte viti 1962, kur analfabetizmi në Shqipëri ishte prezent në një shkallë të madhe. Mustafa Myrto ishte vetëm 16 vjeç në atë kohë. Sapo kishte mbaruar shkollën 7-vjeçare dhe kishte përfunduar dhe 2 vite shkollë pedagogjike profesionale. Ai emërohet mësues në shkollat fillore të ngritura kundër analfabetizmit. Ishte vetëm një fëmijë dhe përpara kishte gra e burra e të moshuar që ishin futur në shkollë për herë të parë. Mësuesi-fëmijë i hyri kësisoj rrugës së tij të jetës herët, e cila u bë rruga e tij e vërtetë, profesioni i së ardhmes dhe i së tashmes. Sot është 71 vjeç dhe vijon të japë mësim dhe të drejtojë shkollën private  “Shekulli i ri” në qytetin e Fierit. Për 55 vite mësues nuk ka humbur asnjë pikë energjie nga dita e parë kur e nisi këtë profesion. Gjatë viteve fitoi siguri dhe eksperiencë, vijoi edukimin e tij pedagogjik me dy shkolla të tjera, pedagogjiken në Vlorë dhe më tej arsimin e lartë pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër. Një karrierë e ngritur vetëm mbi pasionin e punës në një sistem diktatorial, ku iu desh të mbante mbi supe edhe një histori familjare që regjimi komunist nuk e shihte me sy të mirë. Xhaxhi i tij që mbante të njëjtin emër, ishte vrarë si ballist dhe ky fakt e bënte më të vështirë punën e tij. Sot ai është kryetar i shoqatës kombëtare “Misionarët e Arsimit” me synimin për të hapur degët  në të gjithë Shqipërinë, një shoqatë që, sipas tij, kërkon të jetë një strehë për të gjithë mësuesit. Myrto ishte i pranishëm në forumin Gjimnaz-Universitet organizuar nga UET, ku diskutoi mbi rolin e mësuesit kujdestar në arsim. Duke folur për gazetën MAPO, ai thekson bindjen se në këto 27 vite demokraci arsimi ka shumë probleme.
 
Mësimdhënia, nevoja për strategji afatgjatë
 
“Arsimi shqiptar kërkon një operacion të thellë në përmbajtje. Ka pasur përpjekje, por kanë qenë sporadike, të bëra nga disa ministra. Ajo që mungon është një debat i gjerë publik, akademik dhe politik që të konkludojë me një konsensus parlamentar për një strategji afatgjatë për arsimin” – thotë Myrto.
 
Ai tregon se ka pasur debate publike me Edi Ramën, gjatë një takimi elektoral kur ishte kryetar i opozitës, dhe me dy ministra arsimi; Genc Pollon e Fatos Bejën, për pikëpamjet e tij.
 
“Edhe Ramës, edhe ministrave, u kam parashtruar qëndrimin tim; se është i nevojshëm një strategji zhvillimi e arsimit. Ne sot nuk dimë çfarë modeli kemi në arsim. Le të bëjmë një debat të gjerë dhe të zgjedhim modelin më të mirë, për të cilin biem dakord të gjithë. Këtë iu kam thënë dhe këtë kërkoj me ngulm akoma”, -thotë mësuesi që ka kaluar dy sisteme të ndryshme politike dhe arsimore.
 
Arsimi komunist vs arsimi sot
 
Mustafa Myrto e ka kaluar gjysmën e jetës në komunizëm, ku mësuesi nuk ishte thjesht një mësimdhënës, por shihej si një “komisar drite”. Ai ka qenë një mësues në fshatrat e Fierit, drejtor shkolle e inspektor arsimi dhe në vitin ’90 është dekoruar për punën e tij me urdhrin “Naim Frashëri”. Në një krahasim të dy sistemeve lidhur me arsimin ai shikon të mirat dhe dobësitë.
 
“Në atë kohë kishte rregull e disiplinë, por arsimi ishte i ideologjizuar. Mësuesi kishte një rol të rëndësishëm në shoqëri. Në mungesë të priftërinjve dhe hoxhallarëve, mësuesi zuri një vend qendror, të respektuar dhe me autoritet në shoqëri. Por, nga ana tjetër, me anë të mësuesit diktatura komuniste realizonte objektivat e saj politikë. Para se të jepnim mësim ne shkonim atje në fshat te punëtorët dhe iu jepnim mësimet e partisë” -thotë Myrto.
 
Por, pavarësisht linjës politike të imponuar, Myrto beson fort se sistemi arsimor i diktaturës ka qenë i fortë e serioz dhe këtë e tregoi momenti kur u hap Shqipëria dhe populli shqiptar u përball me dinjitet me botën e qytetëruar pikërisht për shkak të arsimimit të tij.
 
Sot, në demokraci mësuesi i dy sistemeve shikon se ka një lloj amullie dhe mungesë vëmendjeje, jo vetëm nga shteti, por dhe nga shoqëria ndaj arsimit. “Sot sistemi arsimor është përshtatur me sistemet e botës së përparuar, por shkolla ka mbetur vetëm në dorë të mësuesit. Nuk ka një angazhim institucional të shoqërisë dhe ajo që thashë më lart nuk ka një strategji zhvillimi të plotë”.
 
Myrto i ka provuar të dyja anët e sistemit arsimor, atë shtetëror dhe atë privat. Pas 15 viteve në arsimin privat ai është i bindur se ai është një vlerë e shtuar në arsimin shqiptar dhe një ndihmë për rritjen e cilësisë edhe në arsimin shtetëror.