profil-olgert-rakipllariProfil/ Studenti i Marrëdhënieve me Publikun-Komunikim në UET: Konkurset e dizajnit, një motivim për punën time 
 
Olgert Rakipllari është një ndër studentët më aktivë që ka Universiteti Europian i Tiranës. Studenti i Komunikim-Dizajnit është gjithmonë i pranishëm në konkurset e shumta që zhvillohen në lidhje me degën e tij të studimit. Pjesëmarrja e tij ka qenë e lartë si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë.
 
Më herët ai u shpall fitues i konkursit “Unë jam UET” për brandimin e produkteve të universitetit me rastin e 10-vjetorit të UET. Tashmë ai vjen sërish si fitues, por në konkursin për brandimin e zyrave të Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë (EU Info Network).
 
Vendimin për të konkurruar Olgerti e mori pa hezituar dhe vetëm brenda 1 jave arriti të paraqitej përpara jurisë me punimet e tij të brandimeve.
 
Kësaj here konkursi për të ishte ndryshe pasi ndodhej para një jurie ndërkombëtare dhe padyshim që emocionet dhe frika ishin akoma dhe më të mëdha. Natyrisht që një projekt i tillë ka nevojë dhe për mbulimin e pjesës së arkitekturës, të cilën e bëri Inesa Gishto.
 
Olgerti rrëfen për MAPO, punët konkrete të cilat janë tashmë brandimi i kësaj zyre të Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë.
 
“Është bërë brandimi dhe krijimi i një instalacioni. Dizenjimi i ambienteve të reja të kësaj qendre, ku përfshihet holli, 2 sallat e të rinjve, të fëmijëve dhe sallën e konferencave”, tregon ai.
 
Me një punim të realizuar në një kohë rekord, për vetëm një javë dhe me një konkurrencë të fortë fitorja dukej si një mision i pamundur. Por pavarësisht kësaj,  pjesëmarrja vlente shumë në një konkurs të tillë.
 
“Nuk e prisja ta fitoja çmimin, ishte me të vërtetë surprizë. Na kontaktuan për të na thënë që duhet të flasim rreth punës, dhe aty na deklaruan që kishim fituar”, rrëfen Olgerti.
 
Planet për të ardhmen ai i ka shumë të qarta, ku karriera është në fokus. Natyrisht që studimet e kanë ndihmuar shumë dhe universiteti ka vend primar në planet e tij.
 
Ai merr pjesë në shumë aktivitete, dhe natyrisht që do ta vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.
 
“Motivimi im është pjesëmarrja nëpër konkurse”, shprehet ai.
 
Për të pjesëmarrja në konkurse rrit aftësitë profesionale pasi nuk mjaftojnë vetëm njohuritë akademike.
 
“Ne tashmë po dalim në jetë, po ballafaqohemi me çfarë kërkon tregu. Kam qenë dhe do të jem  akoma i dhënë pas konkurseve”, kështu e mbyll rrëfimin e tij për MAPO.