PLUSNë kuadër të projektit 250+, bashkëpunimi i UET me biznesin, drejtues të UET-it zhvilluan sot një vizitë në kompaninë Plus
Bashkëpunimi universitet- tregu i punës është kthyer në një kryefjalë të Universitetit Europian të Tiranës që nga lançimi i nismës “UET-Universiteti i biznesit” dhe në vijim me programin 250+, ku parashikohet një bashkëpunim konkret mes universitetit dhe 250 kompanive më të mëdha në vend.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, një përfaqësi nga Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi një takim pranë kompanisë së telefonisë celulare Plus-Comunication.
 
Presidenti, prof. dr. Adrian Civici, Prof.as.Dr. Selami Xhepa, zëvendës/rektor për Shkencën dhe Metodologjinë dhe drejtoresha e programeve Master, Prof. Asoc.Dr. Elvin Meka dhe Dr. Orkida Ilollari u takuan me drejtues të kësaj kompanie, Matilda Shehu dhe Arben Margilaj.
Në takim drejtuesit e UET prezantuan projektin 250+, si një projekt që e vendos UET në kontakt të vazhdueshëm me biznesin, institucionet financiare, për të marrë nga biznesi kërkesat e tyre rreth çfarë ata kërkojnë sot nga akademia dhe për të diskutuar për mënyrat se si bizneset mund të bashkëpunojnë me universitetet.
 
“Ne si universitet nën shembullin e disa universiteteve në botë kemi vendosur një lloj strategjie apo filozofie në të ardhmen për të qenë universiteti i biznesit, në sensin që programet kryesore, njohuritë kryesore që merr studenti, aftësitë kryesore të jenë në funksion të nevojave që ka ekonomia, financa dhe veçanërisht biznesi shqiptar.
Universiteti të kalojë nga një universitet me dije të përgjithshme në një universitet të specializuar në funksion të nevojave të biznesit. Për këtë na nevojitet interaksioni me ju. Nga njëra ne të parashtrojmë se çfarë studentësh përgatisim, kryesisht masteri që është dhe profesioni më afër specialitetit kur ai gjen.
Por dhe nga ana tjetër duke marrë përshtypjet tuaja se çfarë janë këta studentë, sa të mirë janë, sa lekë do të duhen më mbrapa për t’i rikualifikuar ata, sa kohë duan të futen në sistem dhe njëkohësisht strategjitë që ka një kompani, siç është rasti i Plus-it, ku shkojnë në 5 apo 10 vitet e ardhshme që ne t’i përkthejmë këto nevoja ne sillabuse, programe, aftësim për studentët.
Ky është kuptimi i përgjithshëm që ai që vjen në UET dhe del nga Uet-i të jetë sa më i gatshëm për tregun e punës”- u shpreh Presidenti i UET-it, Prof.dr.Adrian Civici.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e kompanisë Plus vlerësuan interesin e UET-it për këtë bashkëpunim, duke e cilësuar pioner në këtë rrugë.
Drejtuesit e Plus-it shfaqën shqetësimin e tyre se studentët që kërkonin punë kishin vetëm dije teorike dhe u mungon aftësimi praktik. Ata kërkuan nga universiteti që studentët të përgatiten më shumë me aftësi praktike në fusha të caktuara që të adaptohen më shpejt me një vend pune ku aplikojnë.
Drejtoresha e programeve Master, Dr. Orkida Ilollari tha se universiteti pjesën e praktikës tek studenti e ka në kurrikulat e tij dhe për këtë arsye është futur si risi edhe ftesa për CEO-t dhe ekspertët e kompanive të ndryshme që të japin leksione në auditor, në mënyrë që studenti të njihet nga afër me mënyrën si funksionojnë këto kompani dhe çfarë aftësish kërkojnë ato për të diplomuarit e rinj. Në këtë kuadër ajo ftoi drejtuesit e Plus-it që të jenë pjesë e leksioneve në degën master në UET.