populizim-1Forumi me temë “Të imagjinosh të ardhmen e arsimit”, trajtoi mënyrën se si sistemet arsimore mund të transformojnë veten e tyre për të parashikuar të ardhmen
 
Arsimi i lartë ka nevojë për një fokus të ri të bazuar në qytetarinë demokratike dhe globale, sipas Fernando Reimers, profesorit të edukimit ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit, i cili mbrojti me shumë pasion vlerat e lirisë dhe barazisë kundër rritjes së populizmit, në një fjalim kryesor në Samitin Botëror të Inovacionit për Arsimin dhe në forumin Santander në Madrid, Spanjë. Forumi me temë “Të imagjinosh të ardhmen e arsimit”, trajtoi mënyrën se si sistemet arsimore mund të transformojnë veten e tyre për të parashikuar të ardhmen, cilat mjete dhe risi do të jenë ndryshimbërëset e vërteta, si dhe rolin që arsimi i lartë duhet të luajë në formësimin e të ardhmes. “Ne jemi përballë një sfide për liberalizmin nga populistët, të cilët po sfidojnë idetë e lirisë, barazisë, të drejtave të njeriut, demokracisë përfaqësuese dhe globalizimit dhe fashizmi më i madh fillon pikërisht me populizmin”, Reimers rikujtoi 800 delegatët e mbledhur nga e gjithë bota. Reimers lidhi periudhën e Mesjetës, “kur faktet nuk kishin rëndësi”, me epokën tonë aktuale të post të vërtetës. Epoka në të cilën, për shembull, ekspertiza për çështjet e ndryshimit të klimës është hedhur poshtë dhe institucionet konsiderohen pasigurta. Ai tha se, përtej përfitimeve të tjera, Iluminizmi solli demokracinë, të menduarit kritik si dhe universitetet moderne hulumtuese dhe se ne kemi nevojë për të marrë shumë seriozisht sfidat në këtë progres.
 
Studentët duhet të edukohen për sfidat e përbashkëta globale
 
Universitetet duhet të përshtaten dhe të ndryshojnë, por “ne nuk duhet të harrojmë të mirën duke u përpjekur për të shmangur më të keqen”, argumentoi ai. Më pas Reimers vuri në dukje një fokus të ri për arsimin e lartë, bazuar në parimet e shoqërisë demokratike dhe globale. Duke filluar me rëndësinë e të drejtave të njeriut, ai pretendonte se diskriminimet e kohëve të fundit që janë bërë në bazë të besimit fetar, në SHBA, janë kaluar me një heshtje të lartë nga lektorët e institucioneve të arsimit të lartë. “Ka patur protesta, por ne kemi 4.500 universitete dhe 1.200.000 profesorë, ku shumica nuk kanë thënë asnjë fjalë”, -tha ai. “Studentët duhet të edukohen në lidhje me sfidat e përbashkëta globale”, argumentoi ai. Universitetet mund ta bëjnë këtë duke përdorur listën e Kombeve të Bashkuara dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Kjo për shembull, është një mënyrë për të “fuqizuar qytetarët globalë që do të rriten dhe do të marrin përgjegjësi për të përmirësuar botën ku jetojmë”. Reimers argumentoi se kjo është puna e universiteteve, të mësojnë vlera të tilla si të kuadrit të ofruar nga Deklarata e OKB-së së të Drejtave të Njeriut, si dhe etikën.
Ai vlerësoi trimërinë e presidentit të Harvardit, i cili kishte ofruar një çmim prej 100,000 $ për ekipet e studentëve që do të zhvillonin strategji të reja për të trajtuar problemet e varfërisë, arsimit dhe shëndetit publik. Për këtë çmim kanë garuar 350 ekipe, të cilat kanë punuar shpesh në të gjitha disiplinat, duke prodhuar kështu një ambient mjaft efektiv të të mësuarit.
Iniciativa të tjera ishin ato të tipit, vendosja e rrotave në karrige, rrafshim të pjerrësisë që ka nëpër sallat e leksioneve, si dhe lyerja e dhomave me ngjyra të ndritshme të cilat krijuan një atmosferë mjaft dinamike. Fakulteti ishte mjaft i inkurajuar për të ndarë çdo ide inovative të mësimdhënies. “Ndryshimet ishin të mahnitshme dhe më bënin të ndihesha i ngazëllyer çdo ditë”, -tha Reimers. Në fund Reimers argumentoi se liria dhe barazia janë vlera të rëndësishme dhe se alternativat janë një prejardhje nga fashizmi dhe komunizmi. “Roli që ka universiteti është të nxisë liberalizmin”, -tha ai.
 
Lidhja e Arsimit të Lartë me një botë në ndryshim
 
Në fjalimin tjetër kryesor të pasdites, dr. Eduardo Padrón, president i Miami Dade College, që është institucioni më i madh arsimit të lartë në SHBA, argumentoi se “universitetet në pjesën më të madhe nuk e kanë pranuar se bota ka ndryshuar”. Ai tha se shumica e universiteteve janë të shtrenjta, elitiste dhe pasive në metodat e tyre të mësimdhënies dhe se “përshkrimi i tyre si kullat e fildishta është ende ajo që vlen shumë”. Padrón shpjegoi se shumica e amerikanëve tani ndryshojnë vendet e punës 8 ose 10 herë gjatë jetës së tyre të punës dhe kështu nevoja për mësim jetëgjatë dhe përshtatshmëria është kritike. “Në institucionin tim mosha mesatare e studentëve është 26 vjeç dhe për diplomim është 32 vjeç, për shkak se njerëzit kthehen në universitet për të rinovuar aftësitë e tyre”. “Në SHBA dy të tretat e vendeve të punës kërkojnë një lloj kredenciali dhe kjo është arsyeja pse unë kam lobuar për vite me radhë se arsimi i lartë duhet të bëhet një e drejtë universale e njeriut”, -tha ai. “Universitetet duhet të bëhen ‘inkubatorët e përfshirjes’, të përqafojnë diversitetin dhe të jenë agjentë të barazimit. Institucionet e arsimit të lartë duhet të bëhen katalizatorë për rritje ekonomike dhe të barazisë, ose ato do të bëhen të parëndësishme”, -tha ai. Padrón argumentoi se ndërsa punëdhënësit kërkojnë studentë të cilët janë inovativë, mendimtarë kritikë, ndërkulturorë të vetëdijshëm, dhe të cilët mund të përshtaten dhe të bashkëpunojnë, universitetet nuk po ua sigurojnë këta individë. “Universitetet janë duke u përgjigjur shumë ngadalë”, -tha ai. “Ka shumë punë për të bërë dhe pak kohë për ta bërë atë”.
 
‘Kompeticioni’ i rekrutimit
 
Dr. Amber Wigmore Álvarez, drejtori ekzekutiv i Shërbimeve të karrierës në IE, paraqiti disa nga risitë që po ndodhin në Instituto de la Empresa SA, e cila është e bazuar në Madrid. Álvarez shpjegoi se shumë kompani që kërkojnë të rekrutojnë punonjës të rinj, tani iu janë drejtuar nxënësve për të shkarkuar aplikacionet e tyre falas për smartphonet e tyre dhe iu kanë kërkuar të luajnë lojëra në to. Kompanitë pastaj bëjnë para-vlerësimin e kandidatëve në bazë të matjeve të veçanta psikometrike ndërtuar në lojëra. “Në një seancë 30-minutëshe ata mbledhin rreth 30.000 pikë të dhëna. Qëllimi është për t’i mbajtur kandidatët të angazhuar, ndërsa ata bëjnë një profil të personalitetit se si kanë performuar kandidatët”, -tha ajo. “Rekrutuesit tanë tradicionalë, nuk duan t’i analizojnë qindra aplikimet që bëhen për punë. Ne kemi zbuluar se kjo teknologji është një përmirësim i madh mbi proceset tradicionale. Për shembull, 50% e aplikantëve më parë intervistoheshin në një kompani të veçantë dhe tani shifra është vetëm 5%, sepse ata tashmë janë vlerësuar”. “Ne kemi zbuluar se këto aplikacione gjithashtu po promovojnë përfshirjen për shkak se ato eliminojnë paragjykimet e pandërgjegjshme të intervistuesve”, -tha ajo. “Për këto arsye unë besoj se mbi 60% e universiteteve dhe kompanive ndërkombëtare do të përdorin këto mjete si një filtër në raundin e parë për pesë vitet e ardhshme”. Álvarez veçanërisht theksoi se studentët nuk e dinë gjithmonë se cili është pasioni i tyre dhe kështu universiteti IE iu jep atyre më shumë mundësi praktike për t’i ndihmuar ata për të sqaruar pritjet e tyre. “Ne kemi nevojë për më shumë investime të përkushtuara në programet globale të diversitetit dhe praktikat”, argumentoi ajo. Dr. Amal Mohammed Al Malki, dekani themelues i Kolegjit të shkencave humane dhe sociale në Universitetin Hamad Bin Kalifa në Katar, e mbështeti tërësisht. “Ne kemi nevojë për një sistem arsimor që mëson dhe promovon të drejtat gjinore, të drejtat e njeriut dhe etikën me një qasje të ndryshme multikulturore”, -tha ajo. “Në të vërtetë ne duhet të mendojmë përpara dhe të përgatisim studentët tanë për vende pune që ende nuk ekzistojnë”.